“Reporterët pa kufi” për 2018-n/ Media në Shqipëri nën presion nga mafia dhe politika. Ambasada jonë në Athinë pengon gazetarin Zinxhiria

840
Sigal

Dje në mbrëmje ambasada shqiptare në Athinë ka hapur dyert për emigrantët për të festuar festat e Nëntorit dhe për t’u njohur me ndryshim e ambienteve ne kushte sa më të mira si dhe një panair libri dhe fotografik dhe një vepër reliev punuar nga Sokrat Lambro kushtuar Skënderbeut, Dedë Gjon Lulit, Isa Boletinit etj. Mirëpo, ambasada shqiptarë në Athinë ndalon gazetarin Shpëtim Zinxhiria, me pretendimin se urdhri është dhënë nga ambasadorja. Kjo është hera e dytë, që ambasada jonë në Athinë ndalon pa asnjë motiv gazetarin Shpëtim Zinxhiria. Hera e parë ishte gjatë takimit që pati ministri i Diasporës dhe i Shtetit z. Majko.

Mbrëmë gazetari Zinxhiria është ndaluar nga drejtuesit e ambasadës, dhe ka bërë një debat edhe me zv. ambasadorin Florian Nova, duke i kërkuar arsyen, se përse ndalohet. Në fillim gazetari është ndaluar nga konsulli Çakulli, që sipas tij është ndaluar të filmohet brenda në ambientet e ambasadës, në një kohë, kur të tjerë televizione ishin brenda. Sipas Çakullit dhe zv/ambasadorit Nova ndalimi është bërë nga lart, që le të nënkuptosh kreun e ambasadës shqiptare në Athinë.

Media në Shqipëri është nën presion nga mafia dhe politika

Reporterët pa Kufij kanë bërë publik mbrëmjen e djeshme raportin për vitin 2018. Në këtë raport për herë të parë janë përfshirë edhe 3 gazetarë shqiptarë, si të kërcënuar nga krimi dhe politika.

Mafia kërcënon gazetarët

Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij media në Shqipëri është nën presionin e mafias dhe të politikës. Raporti i vitit 2018 flet për krimin e organizuar që ka shtuar kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave. Në raportin e këtij vitit përmenden rastet e tre gazetarëve shqiptarë, Alida Tota, Klodiana Lala dhe Basir Çollaku. Ndërsa flitet për sulmin me armë në shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala, si kërcënim i pastër i krimit të organizuar.

Politika ushtron presion ndaj medias

Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij, gjithashtu problem është edhe ndërhyrjet politike. Në rastin e gazetares Alida Tota që u largua nga puna pas përplasjes për një kronikë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, për vrasjen e punëtorit adoleshent, Ardit Gjoklaj në vendgrumbullimin e plehrave në Sharrë. Gazetari Basir Çollaku përmendet për intervistën e marrë Dritan Zaganit dhe faktin se denoncoi një lidhje shtetërore me krimin dhe trafikun e drogës.

Zyrtarët kërcënojnë me padi gazetarët

Kur të gjithë në Shqipëri e pranojmë se korrupsioni i zyrtarëve të lartë dhe pa ndëshkueshmëria është problemi kryesor, që e lë Shqipërinë jashtë negociatave për anëtarësim në BE, misioni i medias, i gazetarëve është që të denoncojnë të gjitha rastet korruptive. Mirëpo drejtësia në Shqipëri është e kapur në atë shkallë, sa edhe me reformimin e drejtësisë, ende asnjë zyrtar i lartë nuk është gjykuar, nuk është dënuar për korrupsion, as për shpërdorim detyre. Madje,e dhe në ato raste kur provat, faktet e korrupsionin e kanë bindur prokurorinë që t’i çojnë në burg zyrtarët e lartë, kanë qenë vendimet e gjykatave, që u kanë dhënë jo vetëm pafajësinë, por edhe shpërblimin për ditët e burgimit. Kësisoj, kryebashkiakë, nëpunës të ministrive, madje edhe titullarë të ministrisë së Jashtme, drejtorë të Përgjithshëm, gjykatës, prokurorë kanë çuar në gjyq gazetarët, për denoncimet e korrupsionit, sepse kanë marrë nga gjykatat certifikatën e “ndershmërisë”, duke ushtruar kësisoj, jo vetëm presion, por edhe kërcënim ndaj punës së gazetarit, me qëllim që t;u mbyllin gojën.

Projektligji i qeverisë për …antishpifjen

Qeveria, e ndodhur përballë publikimeve të përditshme të rasteve të korrupsionit, sidomos me koncesionet dhe tenderët, po përgatit një projektligj, të cilën e pagëzon “Antishpifje”, ku ka qëllim që të çojë në gjyq të gjithë ata që akuzojnë publikisht me shkrime ministrat dhe kryebashkiakët për korrupsion. Sipas qeverisë, duhet më parë që gjykatat të japin vendimin e formës së prerë të dënimeve të korrupsioneve, e pas kësaj, gazetarët të shkruajnë për …korrupsion, kur dihet, që deri tani prokuroria dhe gjykatat nuk kanë dënuar asnjë rast korrupsioni. Madje, qeveria ka krijuar edhe fondin e Bamirësisë,me paratë e dëmshpërblimeve nga gjykatat për shpifjet ndaj ministrave.