Reportazhi i Al Jazeera: Shteti shqiptar nuk ndihmon viktimat e tërmetit

541
Sigal

Më shumë se dy javë pas tërmetit vdekjeprurs, disa familje që kanë humbur shtëpitë, thonë se kanë marrë pak ose aspak ndihmë Më 26 nëntor, Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4, që vrau 51 persona. Pas tij pati një vërshim solidariteti, veçanërisht nga fqinji i Shqipërisë, Kosova, që dhuroi 500 mijë euro. Në total 15 milionë euro janë premtuar nga Bashkimi Europian, kurse yjet e popit me origjinë shqiptare si Bebe Rexha, Rita Ora dhe Dua Lipa kanë vendosur mbështetjen e tyre pas iniciativave për të mbledhur para për të prekurit. Më shumë se dy javë më vonë, disa familje që kanë humbur shtëpitë e tyre, thonë se kanë marrë pak ose aspak ndihmë nga shteti. Iren Doçi, 23 vjeç, jeton pranë Mamurrasit dhe tashmë qëndron në një kasolle të vogël në oborr me pesë fëmijët e saj, të shoqin dhe vjehrrin. Kur goditi tërmeti, ia dhashë djalin e vogël burrit dhe vrapova lart për të marrë fëmijët,” i tha ajo Al Jazeera-s. Ajo thotë se mundi të kthehej në shtëpi pas tërmetit, por këtë javë një paslëkundje shembi një mur në një prej dhomave të fëmijëve. “Nuk kam marrë asgjë nga bashkia. As ushqim, as rroba, asgjë,” thotë ajo për Al Jazeera. Ajo qan, teksa ecën rreth rrënojave të shtëpisë së mbushur me të çara dhe mure të rëna pjesërisht. “Im shoq fiton 200 euro në muaj, ai është i vetmi në këtë shtëpi me një punë të përhershme dhe nuk kemi asnjë ndihmë tjetër reale,” thotë ajo dhe  tregon një çadër të paketuar në kopsht, e cila duhet të shërbejë si strehë e përkohshme për familjen, duke thënë se as nuk ia ka idenë se si ngrihet. Teksa po fliste me Al Jazeera-n, disa ushtarë shqiptarë u shfaqën, i ngritën çadrën në kopsht dhe u larguan pa ofruar ndonjë ndihmë tjetër. Lindita Basha, që jeton pranë Fushë-Mamurrasit, po ashtu thotë se nuk ka marrë ndonjë ndihmë. “Nuk e di përse nuk ka ardhur askush,” thotë ajo, që akoma fle në shtëpi, por dy djemtë e saj, 18 dhe 27 vjeç, flenë në tendë jashtë për shkak të lëkundjeve të vazhdueshme. “Nuk më intereson nëse vdes, por dua që ata të jetojnë,” thotë ajo. Në fshatin Vlashaj, shtëpitë e braktisura janë dëmtuar dhe banorët janë tmerruar. Asnjë nga banorët e intervistuar nga Al Jazeera nuk kishte marrë ndonjë ndihmë domethënëse nga shteti. Në qytezën e Thumanës, ku u shënuan vdekje më të shumta, Bujar Caka humbi gruan dhe djalin 18-vjeçar. “Pashë çatinë që u shemb mbi ta. E kuptova menjëherë se ishin të vdekur”.

Ai ka marrë njëfarë ndihme për humbjen e tij- rreth 8 mijë euro është depozituar në llogarinë e tij bankare, por nuk është e qartë se për çfarë është kjo shumë. “Nuk e di nëse është për shpenzime apo për jetët që humbën? Nuk ka para që e kompenson këtë,” tha Cuka për Al Jazeera. Cuka dhe vajza e tij janë akoma të pastrehë dhe po qëndrojnë tek të afërmit. “Më kanë thënë se kryeministri do që të ndërtojë një shtëpi për mua, por nuk kemi dëgjuar gjë prej atëherë. Ata tentuan të më dërgojnë në një apartament larg, ku nuk njoh asnjë,” thotë Cuka, e cila i tha Al Jazeera se Elvis Naçi, një figurë e njohur fetare në Shqipëri, është ofruar për t’i ndërtuar një shtëpi, por qeveria e ka refuzuar ofertën duke insistuar se do e ndihmojë vetë. “Na kanë premtuar shumë, por duken si fjalë boshe. Për ne, shpresa ka vdekur,” thotë Cuka. Al Jazeera e pyeti zyrën e kryeministrit Edi Rama se kur do të marrin ndonjë ndihmë apo më shumë ndihmë zonat e prekura, dhe se kur Bujar Cuka dhe vajza e tij do kenë shtëpinë e premtuar. Zëdhënësi Endri Fuga tha se më shumë se 13 mijë njerëz janë akomoduar pas tërmetit, 5 mijë prej tyre në hotele. Njerëzit në zonat rurale kanë marrë tenda dimri, kurse ndihma për qiratë nuk do vonojë, tha ai. “Të gjithë familjet që kanë humbur një anëtar gjatë tërmetit, janë vendosur në ndihmë financiare,” pretendoi ai.

Dy javë pas tërmetit, asnjë ndihmë nga shteti

Një nga rrjetet mediatike më të mëdha në botë, Al Jazeera, raporton se në Shqipëri, shteti nuk po duket pranë banorëve të prekur nga tërmeti i rëndë i 26 nëntorit. Gazetarja thotë se ata që kanë humbur banesat e tyre, ankohen se kanë marrë pak ose aspak ndihmë nga shteti. Edhe pse kanë kaluar thuajse dy javë, thuhet në reportazh, qytetarët ankohen se nuk e kanë parë dorën e qeverisë, pavarësisht premtimeve. Irena Doçi nga Mamurrasi thotë se nuk ka marrë asgjë nga bashkia, as ushqim, as rroba, asgjë. Edhe Lindita Basha thotë se nuk ka marrë asgjë si ndihmë. Kurse Bujar Caka, që humbi gruan dhe djalin 18-vjeçar në Thumanë, thotë se është akoma pa strehë dhe jeton te të afërmit. Ai thotë se Elvis Naçi i ka ofruar ndihmë për të ngritur një shtëpi të re, por qeveria e ka refuzuar duke insistuar se do e ndihmojë vetë. “Na kanë premtuar shumë, por janë fjalë bosh. Për ne ka vdekur shpresa,” thotë Cuka.