Reportazh nga Vlora/ Dje iku një tjetër autobus me vlonjatë për në Gjermani. Brenda 1 viti në shkolla mungojnë 500 nxënës

712
Sigal

Nga Ergys Alushi

Kurset e gjermanishtes janë rrafsh. Një pronar shkolle private, më tregonte sot, se 20 nxënës janë larguar me familjet jashtë shtetit dhe se detyrimi i prindërve për pagesat e fëmijëve në shkollë, i kalojnë 50 milion lekë. Çfarë po ndodh?! Më shumë se 500 fëmijë mungojnë në shkollat e qytetit të Vlorës, në krahasim me një vit më parë. Shkollat raportojnë çdo javë largimet e fëmijëve nga shkollat. Familjet e tyre largohen jashtë vendit në kërkim të një pune, jete më të qetë dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Me të tilla ritme, parashikohet që pas një periudhe pesëvjeçare të mbyllen disa shkolla 9 vjeçare në qytet, duke nisur me shkollat në periferi të qytetit. Në këto zona largimet janë edhe më masive për shkak të vështirësive për t’u integruar të banorëve. Parashikimet mbështeten dhe në rënien drastike të numrit të lindjeve. Ndërkohë në shkollat private situata është edhe me e rënduar. Bashkë me shtimin përditë të numrit të nxënësve që largohen nga shkolla, problemet janë shtuar dhe për pagesën e shkollës nga prindërit. Në fund të vitit shkollor dhjetëra nxënës rrezikojnë të mos tërheqin dëftesat e diplomat për shkak të pamundësisë për të paguar shkollën. Që nga viti 1991-1992, Vlora është duke përjetuar një tjetër eksod masiv, që në ndryshim nga ato vite, po ndodh në heshtje dhe me mospërfilljen e shtetit, i cili në vend që të lëshoje alarmin, mundohet ta anashkalojë, ta mbajë larg opinionit e medieve. Aq i madh është pritshmëria për rritjen e numrit të atyre që duan të largohen sa mjafton të shikosh kurset e mësimit të gjuhës gjermane, të cilat janë të tejmbushura, ndryshe nga 3 apo 4 vjet më parë kur kurset ishin pothuajse bosh e me pakicë. Në këtë situatë ajo që konstatohet në Vlorë është se investimet që po kryhen janë në antitezë me shumicën e drejtuesve që janë vendosur e po vendosen në drejtim të institucioneve. Ndryshe nga çfarë u premtua se institucionet do drejtoheshin nga njerëzit më të mirë, po ndodh e kundërta pasi në drejtim janë të njëjtët njerëz prej vitesh që vetëm ndryshojnë institucion por jo drejtorllëkun, duke shkaktuar pakënaqësi e mosbesim në opinionin e gjerë vlonjat.