Replikat në Asamble, Blushi: Monark. Rama: Luftove PS

461
Mbledhja e djeshme e Asamblesë Kombëtare përballi kryetarin e PS-së, Edi Rama dhe deputetin Ben Blushi. Pasi dëgjoi fjalën e tij, i ulur në sallë, me të gjithë të tjerët, Blushi nuk priti më shumë për të kërkuar llogari se përse në planin e partisë për zgjedhjet e reja nuk ishte futur zgjedhja e kryetarit, kërkesë kjo e përsëritur prej tij edhe publikisht. Burimet nga mbledhja bënë të ditur se debatet janë acaruar deri sa në një moment, Blushi i ka kujtuar Ramës se ai nuk është as mbret dhe as monark që nuk mund të zgjidhet. Blushi i ka kujtuar kancelaren Merkel, e cila edhe pse fitoi zgjedhjet, iu nënshtrua zgjedhjeve brenda partisë. Ndërsa kryetari socialist, Rama, mësohet të ketë reaguar: “Turp të të vijë! Në kohën kur ne luftonim për votat e PS-së, ti e sulmoje”. Në fund vendimi për zgjedhjen e kryetarit është lënë të sqarohet në kongresin e janarit të vitit që vjen. Mësohet se në këtë kongres do të merret edhe një vendim për një konfirmim të kryetarit me votën e delegatëve, mësohet. Pas përfundimit të Asamblesë Kombëtare të PS-së , deputeti socialist Ben Blushi e quajti ‘arbitrar’ vendimin që të mos ketë zgjedhje për kreun e partisë.
“Parlamenti i Shqipërisë mblidhet nesër dhe thotë nuk ka zgjedhje për një afat të pacaktuar të përgjithshëm. Këtë bëri kjo asamble sot, vendosi një gjë që nuk kishte të drejtë”, tha Blushi për gazetarët pas përfundimit të Asamblesë Kombëtare të PS-së. “Në mënyrë imponuese, kjo mbledhje u detyrua të merrte një vendim që nuk mund ta merrte. Kanë marrë një vendim që të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste, çdo organizatë, çdo kryetar partie në rreth të zgjidhen, me përjashtim të një kryetari, që është kryetari i PS-së. Pra, mendoni një parti ku çdokush zgjidhet por kryetari i partisë jo. Këtë e unë e konsideroj një gjë arbitrare”, deklaroi deputeti Blushi. Sipas tij, “Kryetari i PS-së mori një mandat të përhershëm, shpresoj të mos jetë i përjetshëm se s’ka mundësi. Është e gabuar, kongresi nuk kishte pse vendoste për mandatin e tij, sepse afati i mandatit të kryetarit të partisë ka skaduar në vitin 2013. Pra, e çuan në vitin 2016. Nëse kongresi nuk e vendos, e çojmë në 2020. Kur pra do të ketë zgjedhje për kryetarin e Partisë Socialiste?!
E thashë brenda dhe më vjen keq, është edhe për të qeshur, edhe për të qarë. Është partia më unike në planet që zgjedh çdo njeri përveç kryetarit. Shpresoj ta kem gabim, por ky është vendimi që u mor sot edhe ju përveçse gazetarë, jeni qytetarë. Dhe si mund të pranoni ju që partia e qeverisë suaj është demokratike që nuk zgjedh kryetarin e vet, i cili thotë kur humb zgjedhjet ta ndryshojmë statutin sepse i humba pa dashje”, nënvizoi më tej, Blushi. I pyetur nga gazetarët, sërish Blushi tha: “Do ishte mirë që kjo mbledhje të mos devijonte. Unë s’dua të bëj një debat ekonomik, s’kam ardhur për këtë arsye këtu, megjithëse thash sot që do ishte mirë që kjo mbledhje të mos devijonte. Çfarë do të thotë devijim? Fakti që konsumuam kaq shumë kohë për një gjë apriori të vetëkuptueshme, sepse nuk mund të mblidhej parlamenti i Shqipërisë dhe vendosë që mos të ketë zgjedhje një herë në 4 vjet, e pranoni ju?!”, u shpreh Blushi. I pyetur ndër të tjera se a mendon që mund të përjashtohet nga partia për kritikat e tij, Blushi tha: “Pse mendoni se do më përjashtojnë se kërkoj zgjedhje në parti?! Nëse e bëjnë, atëherë e mirëpres”. Në lidhje me faktin se a do të kandidonte ai nëse do të kishte zgjedhje për kryetar, Blushi tha: @Nëse ka zgjedhje do e them”.
Sigal