Replika Rama-Basha për financimet dhe administratën Trump. Ristani në prokurori për kontratat

597
Basha: Akuza janë në vazhdën e qëndrimeve anti-Trump nga Edi Rama

Edi Rama: Lulëzim boll me ‘retë në pantallona’, shko në Prokurori 

Qeveria, si duket, ka gjetur fushë-terren, që të dalë nga llogoret e mbrojtjes nga akuzat që i adresohen për korrupsion dhe inkriminim, dhe është hedhur në kundërsulm, duke etiketuar kryetarin e Opozitës, Lulzim Bashën, duke e akuzuar se ka përdorur rusët të lobojnë në SHBA për të takuar presidentin e SHBA Donald Trump. Dhe e gjithë kjo strategji kundërmësymje e qeverisë së Ramës është e mbështetur në një shkrim të një reviste të Majtë në SHBA, pa dhënë më tej, asnjë fakt tjetër. Ende është e freskët skandali që u zbulua në SHBA, ku një shqiptaro-amerikan, Bilal Shehu u bë dorëzanë nga Kryeministri Rama dhe pagoi dhjetëra mijëra dollarë, për të lobuar që Rama të dilte një fotografi me Presidentin e atëhershëm Obama. Madje, Bilali u dënua nga gjykatat amerikane, ndërkohë, që në Shqipëri, drejtësia shqiptare, nuk u shqetësua më, që të interesohej pranë gjykatës amerikane dhe senatit amerikan, që të rihapte dosjen, si palë e interesuar. 
Rama Bashës: Nuk të mbulon dot më jorgani i kundër-akuzave
Vijojnë replikat në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha në lidhje me investigimin e revistës amerikane “Mother Jones” për financim të lobimit të Partisë Demokratike nga biznesmenë rusë. Kryeministri Rama ka reaguar sërish, duke i kërkuar Bashes të shkojë në prokurori të rrëfehet.“Lulëzim boll me retë në pantallona, shko vetë në prokurori e rrëfehu para organit të akuzës se jorgani i kundër akuzave nuk të mbulon dot më!”- shkruan Rama. “Që është një mishmash financiar xhepash të errët, kjo nuk diskutohet sepse vetë mishmashi provohet edhe nga dy prononcime krejt të kundërta, në harkun e 3 muajve nga i zoti i mishmashit; Që është një mishmash në shkelje të hapur me pasoja penale të disa ligjeve të vendit, as kjo nuk diskutohet dhe për këtë mjafton të dëgjosh qoftë edhe vetëm këto dy prononcime krejt kontradiktore; Që është e habitshme që të gjenden disa rusë bujarë (dhe jo vetëm rusë) që të nxjerrin nga xhepat e tyre gjysmë milionë dollarë për një parti shqiptare, as kjo nuk diskutohet që e bën mishmashin edhe më skandaloz, ligjërisht e politikisht! Por që kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cenimit të imazhit të Shqipërisë (drogë drogë drogë krim krim krim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit evropian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme! Shqipëria nuk mund të merret dot peng nga askush dhe shqiptarët pa dallim partie, nuk e meritojnë këtë mishmash papërgjegjshmërie politike, ligjore dhe kombëtare..
Lulzim Basha: Prokuroria të hetojë Sesi Rama shkeli ligjet amerikane
Basha i konsideroi akuzat për lobimin rus qesharake dhe akuzoi Ramën për lidhje të errëta me kompaninë ruse GUNVOR. Ai ftoi Prokurorinë të hetojë kryeministrin pasi ka shkelur ligjet amerikane. “Ftoj publikisht prokurorinë shqiptare të fillojë hetimin e burimit dhe mënyrës si Edi Rama, në konspiracion me të tjerë, shkeli ligjet amerikane duke futur para të huaj në fushatën presidenciale Obama”- u shpreh Basha. 
Për hir të opinionit publik dëshiroj të sqaroj një herë e mirë disa gjëra:

1. Akuza që Partia Demokratike ka marrë para prej rusëve për të bërë konspiracion së bashku me Presidentin Trump kundër Edi Ramës është një akuzë qesharake, që vetëm një mendje megalomane si Edi Rama mund ta gatuajë. Këto akuza janë në vazhdën e qëndrimeve anti-Trump dhe anti-administratës Trump nga Edi Rama.

2. Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk ka asnjë lidhje direkt dhe indirekt me asnjë individ, organizatë, kompani apo interes rus.
3. Dje e akuzova publikisht Edi Ramën për lidhje të errëta me kompaninë ruse GUNVOR, por ai sot nuk u përgjigj, duke gatuar një tjetër sallatë ruse, si ajo e Mother Jones, për të fshehur të vërtetat. Nëse ka rrezik rus në Shqipëri, ai vjen përmes Ramës kryeministër! Jo vetëm sepse si njeri i zhytur në krim, ai është lehtësisht i shantazhueshëm nga kushdo, por sepse ai, konkretisht, ka mirëpritur ndikimin rus! Edi Rama duhet të sqarojë publikisht se kush ia solli, çfarë ka biseduar dhe çfarë i ka premtuar kompanisë GUNVOR, me të cilën është takuar të paktën një herë në zyrën e tij në Tiranë. Ai duhet të sqarojë, gjithashtu, se pse mbështet tezën e përkrahur edhe nga Rusia për shkëmbim territori midis Shqipërisë dhe Serbisë. Rama duhet të sqarojë gjithashtu aferën me kompaninë turke që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës, kompani e cila ka kontratë me kompani shtetërore ruse për ndërtim centralesh bërthamore.

4. Për kontrata e lobimit të Partisë Demokratike ne i kemi kërkuar prokurorisë shqiptare të kryejë çdo verifikim dhe i kemi dhënë prokurorisë të dokument. Për të ruajtur të njëjtin standard dhe për t’i shërbyer drejtësisë, ftoj publikisht prokurorinë shqiptare të fillojë hetimin e burimit dhe mënyrës si Edi Rama, në konspiracion me të tjerë, shkeli ligjet amerikane duke futur para të huaj në fushatën presidenciale Obama. Për këtë çështje ka një vendim të formës së prerë të drejtësisë amerikane që ka vërtetuar faktin dhe krimin, prandaj prokuroria shqiptare e ka të lehtë ta hetojë këtë çështje.
5. Edi Rama ka disa javë që po përpiqet të pushojë hetimet për Saimir Tahirin. Prandaj, fushata e sulmeve, përmes mercenarëve me pagesë, ka për qëllim largimin e vëmendjes së opinionit publik nga droga dhe krimi. Çështjet e drogës si “Xibraka”, Maminasi, Saimir Tahiri janë çështje me rëndësi kombëtare, të cilat nuk duhet lejuar që të mbulohen me mjegullën e propagandës qeveritare, sepse rreziku kryesor për destabilizimin e Shqipërisë është droga dhe krimi. Prandaj, lufta ndaj drogës, krimit dhe lidhjeve të tyre me politikën është prioritet kombëtar
Sigal