Sigal

Ja bilanci i punës së ministrave më të “suksesshëm”, të cilët largohen nga qeveria e Rilindjes….

Me një të rënë të lapsit, kryeministri Rama ndryshoi në fund të vitit të kaluar gjysmën e kabinetit qeverisës. U larguan nga detyra ministra të rëndësishëm, që prej vitesh drejtonin financat, punësimin e ekonominë, energjetikën e infrastrukturën, bujqësinë apo arsimin. Arben Ahmetaj ia la vendin te “financat, punësimi e ekonomia” Anila Denajt; Damian Gjiknuri do t’i dorëzojë “super-ministrinë e energjisë dhe infrastrukturës”, Belinda Ballukut; Niko Peleshi dorëzon çelësat e “bujqësisë” tek Blendi Çuçi, e Sonila Qaton te “sipërmarrja” do e zëvendësojë Eduard Shalsi. Shumë herë kryeministri Rama emrat e ministrave të shkarkuar, i ka lakuar si ministrat më të suksesshëm të qeverisë së tij. Ja disa nga bilancet e sukseseve të ministrave të shkarkuar të qeverisë së Rilindjes.

Arben Ahmetaj, ish-ministër i Financave

Arben Ahmetaj erdhi në krye të Ministrisë së Financave në shkurt të vitit 2016, pasi kishte drejtuar për gati tre vjet Ministrinë e Ekonomisë. Ai zëvendësoi në këtë detyrë Shkëlqim Canin. Ardhja e Ahmetajt në krye të financave ndodhi në një kohë kur klima e sipërmarrjes ishte mjaft e rënduar për shkak të rritjes së ndjeshme të taksave, në janar 2014 dhe të “agresivitetit” me të cilin u konceptua fushata kundër informalitetit dhe të gjithë indekset e shoqatave të biznesit tregonin përkeqësim. Ahmetaj tentoi ta zbuste këtë situatë, duke nisur një seri konsultimesh me biznesin për paketën fiskale dhe lehtësimin e procedurave tatimore. Në mes të vitit 2016, “financat”, tashmë nën logon e Ahmetajt, njoftuan dhe planet për një falje fiskale, që u miratua në fund të atij viti. Ahmetaj u rizgjodh si ministër i Financave dhe pas zgjedhjeve të 2017-s (Ministri, të cilës iu shtua dhe “ekonomia” dhe “punësimi” duke e bërë sigurisht një Super Ministri në Qeverinë Rama 2), duke vijuar me të njëjtën përqasje si në mandatin e mëparshëm. Por, përtej fasadës bashkëpunuese, të shpalosur gjatë 2016-s, gjërat nuk shkuan dhe aq mirë. Indekset e besimit të biznesit, përfshirë ato të shoqatave të investitorëve të huaj vijuan të ishin të përkeqësuar. Taksat indirekte dhe politikat fiskale favorizuese për grupe të caktuara ishin shqetësime të sipërmarrjes. Në kahun tjetër, pavarësisht rritjes së taksave, të ardhurat u zgjeruan në nivele minimale (4.3 për 11 mujorin 2018, ndaj të njëjtës periudhë në 2017, pra më pak se treguesi i inflacionit dhe rritja ekonomike e raportuar në vend, që do të thotë një ulje në terma relative e performancës së administratës së financave dhe eficiencës së politikës fiskale), një tregues direkt se rritja e taksave dhe politikat fiskale vetëm sa kanë shtuar evazionin. Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kishte gjetje, që nëse do të rezultonin të tilla, janë skandaloze për mënyrën se si menaxhohen financat e shtetit. Sipas KLSH-së shifrat e borxhit dhe të deficitit janë manipuluar, mungon kontrolli mbi shpenzimet publike, ka raste në masë, kur prokurimet publike bëhen pa vulën e thesarit, detyrimet e prapambetura janë në rritje dhe kontratat raportohen vetëm për pagesat aktuale, duke krijuar paqartësi për të ardhmen, një skenar i ngjashëm me krizën greke. Për më tepër në buxhetin e dy viteve të fundit parashikohet dhënia e koncesioneve me vlerë gati 2 miliard euro, shuma që nuk raportohen në borxhin publik, duke e nën/raportuar atë, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Akti i fundit i Ministrit të Financave ishte një paketë në dukje lehtësish fiskale. Themi në dukje se nga njëra anë u rrit kufiri për tatimin e pagave të larta (23%) nga 130 mijë në 150 mijë lekë dhe nga ana tjetër si një thikë pas shpine u rrit paga maksimale, pas rritjes së asaj minimale. Nga njëra anë u rrit pragu për bizneset e vogla nga 8 në 14 milionë lekë dhe nga ana tjetër u ul pragu për TVSH-në në 2 mln lekë, që rezultoi me një shtim të evazionit fiskal, siç kishte parashikuar dhe FMN. Nga njëra anë u ul dividendi në 8%, nga ana tjetër tamtami mbi fitimin, një nga taksat më të rëndësishme për bizneset mbeti në 15%, më i larti në rajon së bashku me Serbinë. Forca e punës pothuajse mbeti e pandryshueshme për të njëjtën periudhë, teksa emigracioni po e gërryen gradualisht forcën e punës, me pasoja në të ardhmen. Reforma e sigurimeve shoqërore, e nisur që nga koha kur ministër i punëve dhe çështjeve sociale ishte Erion Veliaj po rezulton e vështirë (për të mos thëne thjesht “e dështuar”) për shkak të plakjes së popullsisë dhe emigracionit masiv. Për 11 mujorin 2018, shpenzimet nga buxheti për sigurimet shoqërore e shëndetësore përbënin 36% të totalit, nga 34% në 2017-n. E dështuar ishte sidomos reforma në fshat ku bujqit kanë braktisur skemën me rritjen e masës së kontributit. Kjo i ka detyruar financat të hartojnë një tjetër projektligj që ul masën e pensionit për bujqit në afatgjatë në krahasim me formulën aktuale. Transparenca ishte një tjetër element që la për të dëshiruar në kohën e Ahmetajt, që i mbylli financat për mediat dhe e përqendroi informacionin vetëm në dorë të tij, por kjo nuk duket të jetë “meritë” e tij, por thjesht një përfshirje e Financave në skemën e përgjithshme tipike të “Fasadës së lustruar të Rilindjes”. Statistikat e detajuara fiskale nuk po publikohen më që prej muajit gusht dhe raporte të tjerë gjithashtu nuk publikohen më. Dhe jo vetëm transparenca është e rëndësishme. Nëse nuk do të ndërpritet praktika e “manipulimit të shifrave” në Financat Shqiptare (nuk kemi se si ta neglizhojmë raportin e KLSh në lidhje me këto konstatime serioze sa i përket vërtetësisë së shifrave të publikuara) , kjo jo vetëm do të përbënte një element shumë serioz për sa i përket besueshmërisë së Qeverisë në nivel ndërkombëtar të financave (kur ajo të dalë përsëri në emetime të borxhit, apo kur të vinte koha e rishqyrtimit nga Agjencitë e Renditjes), por edhe do të shtrëngonte Qeverinë në politika të shtrëngimit fiskal me rritje të nivelit të taksave apo tatimeve për të ribalancuar financat në bazë të parametrave reale të deficitit apo të volumit total të borxhit.

Damian Gjiknuri, ish-ministri i Energjetikës dhe infrastrukturës

Damian Gjiknuri, me profesion jurist, erdhi në krye të Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë që në mandatin e parë të qeverisjes së socialistëve. Reforma më e madhe e kryer nga ministria që ai drejtoi ishte ajo e energjisë. Pas largimit të kompanisë çeke CEZ në janar 2013, pas privatizimit të dështuar të shpërndarjes, rimarrja nga shteti ishte sfida më e madhe. “Reforma” funksionoi, ndonëse krediti kryesor i duhet të jepet tek “agresiviteti” me të cilën Qeveria Rama (në fakt vetë Rama e po ashtu edhe Policia e rendit) iu kundërvu fenomenit të konsumit të papaguar apo abuziv të energjisë, teksa në fund të 10 mujorit humbjet e energjisë zbritën në 23.7%, nga rreth 45% në kohën që e dorëzuan çekët. (duhet të themi se fundi i administrimit të CEZ ishte një katastrofë e vërtetë, ndërsa CEZ ishte në format “largimi” dhe abuzimi me ndërmarrjen CEZ në terren kishte arritur nivele të frikshme në çdo aspekt, pavarësisht përpjekjeve të menaxhimit të caktuar nga ERE i kohës, për këtë periudhe tranzitore). Në mandatin e dytë, Gjiknuri u vu në krye të një super-ministrie, duke marrë dhe infrastrukturën. Damian Gjiknuri do të mund të mbahet mend si Ministri qe bëri reformën energjetike (pavarësisht agresivitetit të saj) apo Ministri që akordoi licencën e parkut të parë energjetik në energji të rinovueshme.

Niko Peleshi, ish-ministri i Bujqësisë

Niko Peleshi erdhi në krye të bujqësisë në vitin 2017, pas një përvoje si kryetar bashkie i Korçës, një qytet dinamik që sot është kthyer në një destinacion të preferuar turistik dhe pa një karriere të spikatur, si zëvendëskryeministër në mandatin e parë të socialistëve. Dinamizmin e tij dhe aftësitë mikromenaxhuese ai i transmetoi dhe tek dikasteri i bujqësisë. Rritja e prodhimit vendas është një fakt real gjatë vitit të fundit, ndonëse është e vështire të konstatohet nëse se kjo ishte si pasojë e qenies në fokus të Ministrisë, përmes paketave lehtësuese fiskale, sidomos për sektorin e agroturizmit, apo si pasojë e nevojës reale të një sektori të ekonomisë që si pasojë e faktorëve pozitivë ndërkombëtare, ka pasur një rritje sektoriale galopante, apo dhe industrisë vendase të turizmit, që ka akomoduar një numër mjaft më të lartë turistësh vitin e fundit në raport me vitet e kaluara. I parë si një sektor me potencial, agroturizmi u mbështet dhe përmes projektit risi “100 fshatrat”, që synon të përqendrojë fondet dhe vëmendjen e qeverisë në krijimin e një modeli zhvillimi në zonat rurale. Ndonëse është akoma herët për të nxjerrë konkluzione, ky është një nga projektet e vetme që kemi parë si elemente qe do të mund të përbënin një lloj “motori” zhvillimi për vendin. Nën drejtimin e Peleshit, Shqipëria plotësoi kushtet e nevojshme për të përfituar nga program IPARD, një program i fokusuar tek bujqësia dhe që është një bashkëpunim mes Qeverisë dhe Bashkimit Evropian, që mundëson një total financimi për bujqësinë prej 94 mln euro. Ndryshe nga ato që përmendëm më sipër si arritje në fushën e Bujqësisë, këtë nuk mund ta bëjmë në fushën e Sigurisë ushqimore, që mbetet një pike e dobët e sistemit, pre e korrupsionit dhe e klientelizmit. Po ashtu, nuk u pa një ndryshim cilësor në përpjekjet në hapjen e tregjeve të reja jashtë vendit, që do t’i shërbente zhvillimit të qëndrueshëm dhe konkurrues të një sektori modern të Bujqësisë Shqiptare. Por Niko Peleshi si ministër nuk u dha zgjidhje fermerëve për gjetjen e mundësive të reja për treg të produkteve shqiptare, as brenda vendit, por as për eksport, fermerët e kanë shumë të vështirë të investojnë, sepse nuk mundin dot të marrin kredi bankare, as subvencione, si edhe për mundësi tepër të kufizuara të bujqësisë tonë që të përdorë teknologji të përparuar bashkëkohore për kultivimin e bimëve bujqësore.

Sonila Qato, ish-ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Sonila Qato mori detyrën si Ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes pas zgjedhjeve të 2017-s, në një ministri të re pa vendimmarrje, por më shumë me funksion konsultues dhe që trajton ankesat e sipërmarrjes. Bizneset janë shprehur pozitivë për bashkëpunimin që kanë pasur me znj. Qato.

Lindita Nikolla, ish-ministre e MARS

Lindita Nikolla tentoi të bëjë një reformë të thellë arsimore, në ciklin parauniversitar dhe në ciklin universitar. Protesta e studentëve në fundvitin e 2018-s dëshmoi qartë se reforma e ndërmarrë nga ministrja Lindita Nikolla për Arsimin e Lartë ka dështuar tërësisht, sepse kjo reformë universitare, në fakt, nuk iu dha, as pavarësinë universiteteve publike, as nuk rriti cilësinë e mësimdhënies, por vetëm shumëfishoi tarifat për studentët, mbuloi në terr të madh menaxhimin e qindra milionë eurove nga rektoratet e universitetet publike. Por, ministrja Nikolla do të mbahet mend edhe për privilegjet që ajo bëri me bursat studimore, duke filluar që nga fëmija e vet, e cila nuk studioi në universitetet publike shqiptare të reformuara nga mamaja, por studimet i bëri në Francë dhe nga bursat që u dha fëmijëve të ministrave, deputetëve, zyrtarëve të lartë, që ata t’i ndiqnin në universitetet më të mira të botës. Vajza e Lindita Nikollës është e punësuar në Bankën e Shqipërisë. Lindita Nikolla është lakuar edhe në media për vilën e saj të ndërtuar, por asnjëherë ministrja Nikolla as i përgënjeshtroi akuzat dhe asnjëherë nuk dha shpjegimet e duhura, se me çfarë lekësh e ndërtoi vilën e saj, ndërkohë që as nuk ka dhënë asnjë sqarim se me çfarë të ardhurash financiare vajza e saj përballoi studimet universitare në Francë, ndërkohë që të ardhurat e ministres Nikolla dhe të bashkëshortit të saj nuk mund të përballojnë dot koston e studimeve shumëvjeçare të vajzës së tyre në Francë.

Ditmir Bushati, ish-ministri i Jashtëm

Ditmir Bushati do të mbahet mend për dështimin total të diplomacisë shqiptare, sidomos në hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në për anëtarësimin në BE, por edhe me të ashtuquajturën marrëveshje me Greqinë. Ministri Bushati, tentoi që të anashkalonte edhe institucionin e Presidentit të Shqipërisë duke shkelur edhe Kushtetutën e Shqipërisë, për të arritur në fshehtësi dhe në mungesë të plotë të transparencës marrëveshje me Greqinë, duke bërë pazare politike me Greqinë. As deri më sot, ministri Bushati nuk ka dhënë as Kuvendit të Shqipërisë asnjë detaj të bisedimeve dhe arritjeve që ka bërë ne negociatat me Greqinë, ndërkohë, që ish-ministri grek i Jashtëm Nikos Kotcias ka deklaruar publikisht shumë herë, që diplomacia shqiptare nuk e ka shtruar asnjëherë në tavolinën e bisedimeve Çështjen Çame, ndërkohë që ka plotësuar çdo kërkesë të diplomacisë greke edhe për zgjerimin e kufirit detar deri në 12 milje, në lejimin e ndërtimit të varrezave të ish-ushtarëve grekë të vrarë, në 1940 në territorin tonë në luftën Italo – Greke. Ministri Bushati ka votuar disa herë në OKB rezoluta në favor të Palestinës, duke kundërshtuar edhe votën e SHBA-ve, ndërkohë që Palestina nuk njeh shtetin e Kosovës. Ministri Bushati do të mbahet mend si ministër i Jashtëm edhe për emërimet nepotike të të afërme të vet në poste shumë të rëndësishme si ambasadorë apo të njerëzve dhe shokëve të vet nëpër ambasada dhe konsullata të Shqipërisë në shtete të ndryshme. Bashkëshortja e Ditmir Bushatit, punon konsulente e projekteve të Këshillit të Evropës në Shqipëri dhe Kosovë.

Senida Mesi, ish-Zëvendëskryeministre

Senida Mesi, një emër i padëgjuar, pa asnjë kontribut shoqëror dhe politik, erdhi në qeveri në postin e zëvendëskryeministres ndoshta më shumë si sponsorizim i disa koncesionarëve të fuqishëm, të cilët kanë marrë koncesione nga kjo qeveri, derisa Senida Mesi ka firmosur, në mungesë të kryeministrit, shumë koncesione, të cilat janë përfolur në shtyp dhe në social-media, si koncesione me mungesë të plotë të transparencës, si për shembull, koncesioni për prishjen e Teatrit Kombëtar etj. Senida Mesi, përveç firmës së saj në shumë VKM dhe koncesione të dhëna, nuk ka asnjë kontribut tjetër në postin e saj si zëvendëskryeministre. Por, ndoshta jo rastësi, është që bashkëshorti i zëvendëskryeministres Senida Mesi, punon tek Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë dhe si pedagog i jashtëm në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

Mirela Kumbaro, ish-ministre e Kulturës

Mirela Kumbaro, në 5 vitet si ministre e Kulturës do të mbahet mend për shkatërrimin e Kulturës. Nuk dha asnjë kontribut për të promovuar vlerat e kulturës shqiptare në botë, nuk arriti dot as të mbrojë trashëgiminë kulturore të vendit nga rrënimi, braktisja, plaçkitja, por ishte e zonja që të emëronte politikisht çdo drejtues të institucioneve kulturore dhe artistike. Mirela Kumbaro do të mbahet mend, që në vitet e saj si ministre e Kulturës u përmbyt disa herë Biblioteka Kombëtare, por edhe për miratimin e ligjit për prishjen e Teatrit Kombëtar, duke injoruar tërësisht, jo vetëm trashëgiminë kulturore të vendit, por edhe injoroi komunitetin e artistëve.

Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe e Energjisë, besnikja e Kryeministrit

Belinda Balluku është emëruar nga kryeministri Edi Rama ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zëvendësuar kështu Damian Gjiknuri, është mbesa e ish-ministrit komunist Beqir Balluku që u eliminua si pjesë e grupit të ushtarakëve nga Enver Hoxha. Balluku që në vitet e qeverisë Rama ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Aviacionit Civil njihet si një besnike e kryeministrit aktual. Ajo iu bashkua stafit të Edi Ramës që në bashkinë e Tiranës. Balluku ka qenë shefe e marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Tiranës, kur bashkia drejtohej nga Edi Rama, i cili e mori me vete edhe në departamentin e informacionit në PS, pasi socialistët humbën bashkinë në vitin 2011. Por ajo u largua përkohësisht nga ky funksion pas një gafe që bëri në një komunikim të Ramës për Kosovën. Por me sa duket Rama nuk e harroi kurrë miqësinë e ngushtë që pati me këtë ish-drejtoreshë të rëndësishme të kompanisë celulare AMC. Ai fillimisht e emëroi në postin e Drejtoreshës së Aviacionit Civil dhe tani në vend të Damian Gjiknurit në një nga dikasteret më të rëndësishme dhe më të pushtetshme të vendit. Ndërsa në 2015-n mori postin e drejtoreshës së ‘Albcontrol sha’, ose siç njihej më herët, Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror (ANTA). Në krye të ‘Albcontrol sha’, Balluku u akuzua për krijimin e borxhit prej 94 milionë euro. Në ceremoninë e inaugurimit të linjës “Air Albania”, Kryeministri Edi Rama e quajti drejtoreshën e ANTA-s Belinda Balluku “Shtriga e kuq e zi e Aviacionit”. Gjatë periudhës që ajo drejtonte ANTA-n, kishte nën vartësi edhe sektorin e VIPP-ve në aeroportin e Rinasit dhe për këtë opozita ka hedhur shumë akuza, pasi kudo në botë ky post i ANTA-s është i papranueshëm në sektorin e VIPP-ve ku kalojnë pa kontroll persona me imunitet si deputetë, ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë. Gjithashtu akuza të forta nga opozita dhe ekspertë janë bërë për prokurimet, duke kërkuar rihetimin e aktivitetit të saj dhe rihapjen e dosjeve të mbyllura nga auditimet e bëra. Çështja e lejeve të avionëve të vegjël, të kapur me hashash pas rrëzimit të tyre kërkojnë hetim të thellë, në lidhje me dhënien e lejes së kalimit në bregdetin shqiptar të avionit që u rrëzua në Divjakë.