Rektori Kule i kërkon ministrit serb të Arsimit njohjen e diplomave të studentëve të Luginës së Preshevës që studiojnë në Tiran

509
Sigal

Një grup pedagogësh të Histori -Filologjisë do të fillojnë punën për implementimin e abetares së përbashkët

Prof.Dr. Dhori Kule  sfidon  botën akademike shqiptare dhe është i vetmi personalitet i arsimit në vend që në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare  ka vendosur hapjen e shkollave shqipe dhe njohjen e tyre, duke na kujtuar rilindësit shqiptarë që punuan natë e ditë për gjuhën amtare.  Pas hapjes së katedrës së Gjuhës Shqipe në universitetin më të madh të Selanikut dhe i dyti në Greqi pas atij të Athinës, Rektori i Universitetit të Tiranës Prof.Dr.Dhori Kule ka qëndruar për tre ditë rresht në  Luginën e Preshevës  për të parë gjendjen konkrete të arsimit shqip në këtë zonë. I shoqëruar nga një grup profesorësh dhe specialistësh  të Universitetit të Tiranës  ata kanë parë nga afër situatën dhe u kanë premtuar që në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri -Serbi  dhe memorandumit që pritet të nënshkruhet javën e ardhshme të futet edhe njohja e diplomave për të gjithë studentët e Luginës së Preshevës.  Në takimin që Prof.Dr. Dhori Kule zhvilloi në Bujanoc  me ministrin e Arsimit të Serbisë i kërkoi këtij të fundit, që tre komunave kryesore të banuara nga shumica  me popullsi shqiptare  Presheva,  Bujanoci dhe Medvegja duhet t’u njihet diploma e Universitetit të Tiranës. Kjo kërkesë do të shtrohet në takimin që ministri i Jashtëm serb pritet të bëjë në Tiranë në datën 22 tetor. Gjatë këtij takimi pritet nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave midis dy vendeve, “ne -ka theksuar Rektori Kule -në takimin me autoritetet e Bujanocit -do të kërkojmë njohjen nga ana e Serbisë të diplomave të Universitetit të Tiranës për studentët e Luginës së Preshevës”. Gjithashtu, u ra dakort që në ditët në vazhdim një grup pedagogësh të Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit të  Histori -Filologjisë të fillojnë punën për implementimin e abetares së përbashkët, e cila tashmë është bërë prezente në Shqipëri dhe Kosovë. Prof.Dr.Shezai Rrokaj do të jetë në krye të kësaj nisme duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për arsimin dhe gjuhën shqipe në vendet, ku jetojnë dhe studiojnë shqiptarët. “Pas vendosjes së abetares së përbashkët  me Kosovën, Maqedoninë dhe  Luginën e Preshevës, itinerari ynë i radhës për Universitetin e Tiranës do jetë Ulqini dhe trevat shqiptare në Malin e Zi”, përfundon Rektori i Tiranës, Prof.Dr.Dhori Kule.