Sigal

Korçë, rektori i Universitetit “Fan Noli” tenton të thyejë protestën e studentëve

Studentët: “Po na duket sikur jemi në “Opinion” dhe po dëgjojmë Edi Ramën!”

Pas 10 ditë protestash pa ndërprerje në të gjitha universitetet publike të vendit, duket se rektori i Universitetit “Fan Noli” në Korçë, Ali Jashari, tentoi të thyejë protestën e studentëve, me pretekstin se kërkesat e tyre mund të përmbusheshin nga vetë Universiteti i Korçës, por mjaftoi vetëm kjo parashtresë e rektorit Jashari, që studentët të braktisin të irrituar takimin, madje duke u shprehur se po u dukej vetja si te emisioni “Opinion” duke dëgjuar monologun e Edi Ramës. Përgjigja e Jasharit se ai nuk ishte Edi Rama, por rektori që po përpiqej t’u jepte zgjidhje kërkesave të studentëve, nuk u mor parasysh. Studentët e pranishëm në sallë refuzuan të dëgjonin shpjegimet e mëtejshme të rektorit, ndaj po atë çast salla mbeti e braktisur. Rektori dhe disa prej pedagogëve mbetën tejet të habitur. Nuk e prisnin të ndodhte kështu

Parapërgatitja


Gjithçka kishte nisur një ditë më parë, kur mes rektorit Ali Jashari të Universitetit Fan Noli dhe një grupi të vogël studentësh kishte pasur një takim. Në këtë takim paraprak ishte vendosur që studentët të paraqisnin kërkesat e tyre dhe të dëgjoheshin nga rektorati për të gjitha shqetësimet e tyre. Mirëpo, në takimin e ditës së premte, ajo çka ishte vendosur nga studentët një ditë më parë nuk u mor parasysh. Në vend që dëgjoheshin studentët ashtu siç ishte rënë dakord, takimi nisi me fjalën e rektorit, i cili nisi të fliste për punën e kryer në universitet dhe rezultatet e arritura. Studentët pjesëmarrës, edhe disi të hutuar nga devijimi që mori mbledhja, e lanë rektorin të fliste për rreth 20 minuta, deri sa ai mbërriti te paragrafi i fjalës së tij, ku thuhej se kërkesat mund të zgjidheshin nga vetë universiteti. Ky çast përmbysi gjithçka në atë takim. Braktisja e sallës qe e shpejte.

Studentët të zhgënjyer

Studentët, të mbetur të zhgënjyer nga mosrespektimi i kushteve që kishin kërkuar për pjesëmarrje, nuk morën parasysh as tentativën e rektorit, kur ai iu drejtua konkretisht me këto fjalë: “Ata që kanë përgjegjësinë për zgjidhjen e këtyre kërkesave jemi të gjithë. Qysh nga viti 2014, tarifa e shkollimit për Universitetin tonë ka qenë dhe është 20 mijë lekë. Janë 1000 studentë që kanë përfituar financiarisht nga nga 3002 studentë që kemi në programet bachelor, gjë që do të thotë se për një student në Universitetin e Korçës, është rreth 93 mijë lekë të rinj, nga të cilat 73 për qind mbulohen nga Buxheti i Shtetit dhe 27 për qind nga të ardhurat e Universitetit”. Mirëpo as ky shpjegim nuk e bindi Këshillin Studentor për të qëndruar deri në fund të mbledhjes, sepse gjithçka po u dukej si një inskenim nga ana e rektorit, të paktën kështu u shprehën studentët, kur po dilnin nga salla. Për ta, takimi në fjalë ishte një përpjekje e qartë e rektorit që studentët të hiqnin dorë nga protestat dhe asgjë më shumë.

Protestat do të vijojnë

Ndërkaq, nga ana e rektorit ishte menduar se takimi do të shkonte deri në fund, aq më shumë kur konstatoi se pjesëmarrja ishte më e madhe nga një ditë më parë, gjë që u duk edhe te fjala e tij, kur tha: “Kërkesat e studentëve tanë që janë të pranishëm këtu, në një masa më të madhe sesa dje që ishim në një takim me mua, lidhet me ato (kërkesat), që janë shtruar gjatë protestave studentore në të gjitha universitet publike të Shqipërisë, por edhe me kërkesat e konkrete që lidhen me universitetin tonë. Mirëpo, pikërisht në këtë çast, një studente e Këshillit Studentor, i ndërpreu fjalën duke i thënë: “Po më duket vetja si në “Opinion” dhe sikur kam Edi Ramën përpara syve dhe po bën monolog”. Pas kësaj, përpjekja për të larguar studentët nga protesta u duk e dështuar tërësisht. Duket se protestat do të vijojnë gjatë.