Rekomandimi për hapjen e negociatave, vetëm nëse ka progres në 6 muajt e ardhshëm…

721
Presidenti i Komisionit Evropian Jean Claud Juncker në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama deklaroi se rekomandimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë do të vijë vetëm nëse do të ketë progres në 6 muajt e ardhshëm. Juncker vlerësoi progresin e deritanishëm dhe përpjekjet e Shqipërisë për realizimin e reformave dhe përmbushjen e kushteve, por theksoi se gjithçka do të varet nga ecuria që do të ketë vendi në 6 muajt e parë të 2018-ës.

“Lavdërojmë përpjekjet e Kryeministrit për të luftuar korrupsionin në mënyrë më të mirë të mundshme. Nëse ka progres të mëtejshëm gjatë 6 muajve në vijim dhe mendojmë se do të ketë, do të propozojmë hapjen e negociatave. Por kjo do të varet nga progresi i muajve që vijnë, megjithëse besoj se do të ketë progres. Unë nuk kam thënë që Serbia dhe Mali i Zi janë në pikën e hyrjes në BE, pra mos thoni që unë kam thënë një gjë të tillë. Dua që Shqipëria të anëtarësohet në BE, por tani jemi në pikën kur mund të propozojmë hapjen e negociatave. Nëse gjërat ecin në 6 muajt në vazhdim, do të kemi një rekomandim për hapjen e negociatave”, tha Juncker.

Ndërsa, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ky proces nuk përfundon kurrë, por duhet të rikonfirmohet javë pas jave dhe muaj pas muaji. “Muajt që vijnë janë një fazë e re, në të cilën duhet të kapim rezultate të prekshme. Sfida është tashmë e përbashkët dhe jam i sigurt që opinioni publik në Shqipëri do e kuptojë saktësisht mesazhin tuaj, që ka të bëjë me faktin se ky është një proces që vlerësohet mbi bazën e meritës”, tha Rama. 
“BE forcë lëvizëse për Ballkanin, reformat të nxitura nga aspirata për integrim”
Kryeministri Edi Rama i pranishëm pasditen e djeshme në Bruksel, në edicionin e 18 të Samitit të Politikave për Ballkanin Perëndimor, deklaroi se Bashkimi Evropian është një forcë lëvizëse e rëndësishme për Ballkanin. Ai tha se pa BE, rajoni nuk do e ketë në mundur që të kryejë reformat që po ndërmerr aktualisht.“Gjithçka po ndodh pasi Ballkani dëshiron të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian. Nëse kjo shpresë zbehet, gjërat mund të shkojnë në drejtim të gabuar. Kjo është arsyeja pse pyetja jonë nuk është ajo që do të ndodhë mes nesh, por çfarë do të ndodhë midis nesh dhe BE-së”, u shpreh Rama. Ai shtoi se për sa kohë jemi në drejtim të procesit të integrimit, praktikisht jemi në ndërtim të institucioneve. Rama deklaroi se shpreson që shtetet anëtare do të pajtohen me Bashkimin Evropian dhe BE të jetë ashtu siç e kemi njohur dhe siç kemi ëndërruar për të dhe jo diçka tjetër. “Kur BE ishte në formën e saj më të mirë, ne ishim në formën më të keqe, tani që jemi në formën më të mirë, BE-ja, jo se është në formën më të keqe, por po shkon në këtë drejtim. Ndoshta ne kemi një shans për t’u divorcuar përfundimisht me të shkuarën dhe të martohemi me një union të shkëlqyer, i cili na thotë se do të martohemi por nuk na thotë se kur. Në qoftë se nuk do të ndodhë shpejt, do të na ndihmojë të rritemi në mënyrë të shëndosh”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.
Presidenti i PE: Reforma në drejtësi, afron me BE
Kryeministri Edi Rama në vijim të vizitës së tij në Bruksel, doli në një konferencë të përbashkët për mediat me Presidentin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Presidenti Tajani në fjalën e tij vlerësoi një sërë reformash që janë kryer në Shqipëri, për të cilat tha se shkojnë në ndihmë të integrimit.

“Në mënyrë të veçantë reforma në drejtësi që në mënyrë të veçantë mbart rëndësi mjaft të madhe. Kjo natyrisht çon përpara raportin mes Shqipërisë dhe BE”, u shpreh Tajani.

Në vijim ai paralajmëroi një vizitë të tij në pranverë në Shqipëri, i shoqëruar me një delegacion sipërmarrësish evropianë, në mënyrë që të krijohet punë, rritje ekonomike dhe sipërmarrje të përbashkëta.“Shqipëria është një vend me të cilin duam të forcojmë marrëdhëniet, dhe kjo vizitë përfaqëson një hap përpara në rrugëtimin e çeljes e negociatave”, deklaroi Presidenti i PE, në konferencën e mbajtur pasditen e djeshme. Tajani tha se e përgëzoi Ramën jo vetëm për rezultatin zgjedhor, por edhe për bashkëjetesën fetare në Shqipëri, duke e cilësuar si model për t’u ndjekur. Nga ana e tij Kryeministri Rama e cilësoi si kënaqësi të veçantë takimin me Presidentin e PE, ku përveç titullit të lartë e cilësoi edhe si një italian të madh. “E rëndësishme të flasim me fakte dhe rezultate për të arritur më në fund të çelim negociatat me Evropën. Ne mbështetemi shumë tek miqësia juaj dhe miqtë e mëdhenj te ky institucion por jemi mjaft të ndërgjegjshëm se mbi të gjitha vlerë ka rezultati në çdo pjesë të asaj fletoreje të detyrave të shtëpisë që ne kemi”, u shpreh Rama.

Ai u shpreh i kënaqur se sot mund të dëshmohet se Shqipëria ka hedhur hapa përpara dhe do të vazhdojmë me të njëjtën vendosmëri për të arritur në prill dhe në maj për të pasur mundësi për të pasur akses në Evropë.
Sigal