Rekomandimi i KE për negociata, flet presidenti Meta: Të evitojmë polemikat

459
Presidenti Ilir Meta ka folur nga Përrenjasi për rekomandimin e hapjes së negociatave me BE.
Duke folur pas inaugurimit të çerdhes së qytetit të rikonstruktuar me fondet e Turqisë, presidenti Meta u shpreh se duhet ‘të përqendrohemi në thellimin reformave për përmbushjen 5 prioriteteve kyçe’.
‘I bindur që i kemi të gjitha mundësitë për çeljen e negociatave’, nënvizoi në fjalën e tij, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Presidenti kërkoi që të evitohen polemikat e brendshme.
‘Të evitojmë çdo lloj polemike e të përqendrohemi në objektivin e integrimit europian’.
Pyetje-përgjigjet e Presidentit Meta në Përrenjas:
Pyetje: Zoti Meta jemi në prag të negociatave të Bashkimit Evropian, dhe shohim një skepticizëm të vendeve të rëndësishme si Franca dhe Gjermania. Cili është komenti juaj për këtë: sa shanse ka Shqipëria?
Presidenti Meta: Së pari duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, sepse ky është një hap mjaft i rëndësishëm. Dhe së dyti duhet të përqendrohemi në thellimin e reformave të 5 prioriteteve kyçe, sidomos për të treguar më shumë vullnet dhe rezultate përsa i takon sundimit të ligjit. Jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë që Këshilli të mbështesë plotësisht këtë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë.
Pyetje: Duket se ka një konflikt mes Bashës, Ramës dhe përfaqësuesit të Gjermanisë në lidhje me këtë çështje?
Presidenti Meta: Mendoj se në këto momente është shumë e rëndësishme që të evitojmë çdo lloj polemike dhe të përqendrohemi te demonstrimi i rezultateve në ditët, në javët që vijnë, sepse besoj se kjo do të ishte rruga më e mirë që ky rekomandim i Komisionit të kthehet në mënyrë të sigurt në një vendim pozitiv të vendeve anëtare.
Pyetje: Zoti President, si e vlerësoni ju këtë investim nga qeveria turke për institucionet arsimore, por edhe bashkëpunimin midis dy vendeve?
Presidenti Meta: Si President dua të shpreh mirënjohjen ndaj gjithë këtij angazhimi të jashtëzakonshëm të “TIKA-s” në të gjithë vendin dhe të falënderojmë qeverinë e Turqisë për këtë mbështetje. Dhe së dyti, dua të falënderoj Kryetaren e Bashkisë dhe Ambasadorin turk që pata fatin ta nis ditën kaq bukur sot me këta fëmijë këtu në Bashkinë e Prrenjasit, të cilët janë kaq të lumtur në këtë mjedis të ri tërësisht të transformuar, që u jep krahë ëndrrave të tyre, dhe që njëkohësisht ka krijuar mundësi të reja jo vetëm për fëmijët, por ajo që është shumë e rëndësishme, edhe për nënat e tyre, që edhe ato të jenë më të qeta e më të sigurta.
Kështu që edhe njëherë do të falënderoja Ambasadorin dhe “TIKA-n” për çdo punë të shkëlqyer që kanë bërë!
Sigal