Regjistrimi i pronave, Manjani: Gushti afati i fundit për aplikime

417
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani përmes një mesazhi drejtuar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pronave, ZVRPP kujton se fundi i këtij muaji është afati i fundit që është lënë për regjistrimin e pronave. Manjani bën thirrje që të trajtohen të gjitha aplikimet e prapambetura, dhe sidomos ato që vijnë nga vendime gjykate të formës së prerë.
Sipas ministrit, në shtator kontrolli do të jetë më i rrepë dhe toleranca zero.
“Kujtesë për të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP): Fundi i këtij muaji është afati që kemi vendosur për të trajtuar të gjitha aplikimet e prapambetura! Veçanërisht ato aplikime që vijnë me vendime gjyqësore të formës së prerë!
E përsëris: Askush nuk ka të drejtë të mos zbatojë vendimet e gjykatave që kanë marrë formë të prerë! Askush!
ZRPP është thjesht një zyrë inventari i pronave të qytetarëve dhe jo nje zyrë që ndan apo jep prona! Pronësia fitohet vetëm me mjete ligjore dhe ZRPP nuk është as zyrë e as mjet për të fituar apo hequr pronësinë e askujt! Vendimi i gjykatës, me përjashtim të vërtetimit të faktit gjyqësor, është ligj dhe si i tillë duhet zbatuar! Ju kam sqaruar nëpërmjet një letre zyrtare se si duhen trajtuar sipas ligjit të gjitha rastet!
Kam kërkuar dhe kërkoj shërbim sa më të shpejtë, pa zvarritur në këto zyra! Është e thjeshtë: regjistroni çdo transaksion sipas ligjit dhe po sipas ligjit mund të refuzoni, por jo të zvarrisni asnjë praktikë dhe asnjë person!
Në shtator kontrolli do jetë i rreptë dhe toleranca zero!
Këtë mesazh “kujtesë” e kam edhe në përgjigje të të gjithë atyre qytetarëve që janë ankuar dhe ankohen përditë tek sporteli i Ministrisë së Drejtësisë dhe në telefonin apo e-mailin tim!”, thuhet në mesazhin e Manjanit.
Sigal