“Refuzimi i statusit, është notë negative për klasën politike, jo për shqiptarët”

558
Sigal

INTERVISTA/Albert Brojka, ishkryetar i Bashkisë të Tiranës: “PD dhe PS për marrjen e pushtetit, sakrifikojnë integrimin e Shqipërisë”

Albert Brojka, ishKryetar i Bashkisë të Tiranës, në këtë intervistë për “Telegraf”, shtron një pyetje për Edi Ramën: “Përse i trefishoi taksat ndaj biznesit të vogël kur sihte 11 vjet Kryebashkiaku i Tiranës? Gjithashtu, zoti Brojka, duke vlerësuar shkaqet e dështimit të marrjes të statusit, ka bindjen se klasa politike në Shqipëri, për mbajtjen/marrjen e pushtetit, sakrifikon edhe integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

– Zoti Brojka, shkaqet pse nuk u përmbushën nga politika, detyrimet për marrjen e statusit kandidat, janë objektive, apo subjektive?

– Refuzimi që na u bë, për t’u pranuar vend kandidat në BE është si reezultat i jetës politike, të të dy kahëve, të partive të vogla, të parlamentit në tërësi. Kjo do të ketë pasoja për të ardhmen tonë. Do të vonojë shumë edhe kohëpranimin si vend anëtar me të drejta të barabarta në BE. Dikush, si forcë politike,  ka fajin më të madh, dikush ka fajin më të vogël, por të gjithë janë të akuzuar. Nuk na i ka fajin bota.Tashmë fajin e kemi vetë ne. Qoftë edhe për tre ligjet që nuk i votoi opozita dhe bëri gabim, por edhe për problemet e gjyqësorit, për korrupsionin dhe  për problemet e mosplotësimit të standarteve demokratike europiane, që lidhen me të drejtat e Njeriut, dhe lirinë e votës. Po edhe partitë e vogla, te disa prej tyre, që dalin me një nacionalizëm ekstrem, e këto nuk mund të lejohen nga Europa. Të gjitha këto, në kompleks, bënë që klasa politike të vlerësohet negativisht për mosangazhimin e saj sa duhet në integrimin e Shqipërisë. Klasa politike ndërshkoi shqiptarët me sjelljen e saj negative, duke i përjashtuar nga Familja Europiane, për të tretën herë.

– Sa u intereson tani shqiptarëve, se kujt do ti mbetet në derë faji i dështimit, ndërsa shohim përditë që PD dhe PS lodhen më shumë të akuzojnë njera-tjetrën dhe nuk kanë aspak dëshirë të bashkëpunojnë?

– Shqiptarëve nuk u intereson fare se kujt i mbetet faji. Shqiptarëve u inereson të integrohen, sepse me këtë ëndërr, me këtë ideal, shqiptarët rrëzuan diktaturën. PD-ja dhe PS-ja u intereson ky debat shterpë, pasi nuk kanë të tjera ide, nuk kanë vizion aspiratën e shqiptarëve për integrim, por duan që dështimin e fajin ta kenë si kartë për interesat e tyre partiake, për konsum elektoral, në fushatën zgjedhore të 2013-s. Fatkeqësisht, edhe pse klasa politike është fajtore, ky debat shteprë që bëjnë këto ditë, na bind edhe një herë, që politikanët tanë nuk duan të nxjerrin mësime nga dështimi. Forcat politike do të vazhdojnë me të njëjtin stil, që çdo hap të Shqipërisë për integrim, ta përdorin sipas interesave të tyre dhe jo për interesat e shqiptarëve.

– Atëhere, kemi të drejtën të pyesim. Politikës i intereson integrimi? Derisa dështon për herë të tretë.

– Politikës, i intereson integrimi, por në plan të dytë. Në plan të parë, për PD-në dhe PS-në është shteti dhe pushteti. Dhe në qoftëse duhet të sakrifikojnë diçka për të marrë me çdo kusht dhe me çdo çmim pushtetin, partitë sakrifikojnë integrimin. Klasa politike te ne nuk është mësuar që të sakrifikojë interesa partiake për hir të integrimit të shqiptarëve, për interesat e qytetarëve, për interesat kombëtare. Nuk kemi politikanë të ndërgjegjshëm, pa dallim, të majtë, të qendrës, të djathtë.

Retorikat nacionaliste, të shprehura edhe nga partitë e mëdha, kujt i shërbejnë në këto momente? Integrimit? Çështjes kombëtare?

– Shqipërisë, jo! Integrimit, jo! Edhe me konsumin e retorikave nacionaliste, partitë politike te ne, duan të përfitojnë sa më shumë pushtet. Ndaj nuk mund të besojnë se shprehjet e nacionalizmave nuk janë idealet dhe patriotizmi i politikanëve dhe nuk e besoj se e duan kaq shumë Shqipërinë. Politikanët tanë kishin kohë të dëshmonin partiotizmin e tyre, por e kishin harruar në ethet e pushtetit. Pastaj, në këto momente që duam të intergrohemi në BE, Familja Europiane i largon kufijtë, nacionalizmi i ngushtë- që nuk ka asgjë të përbashkët me patriotizmin- i ngushton kufijtë e Familjes Europiane. Politikanët tanë, tregohen kontradiktorë.BE-ja nuk i pëlqen, nuk i shkojnë për shtat demorkacisë e kulturës të BE-së këto nocione të nacionalizmit fanatik. Historia e Milosheviçit na ka treguar se ku të çon nacionalizmi. Sepse, historikisht, është e njohur, që komunizmi, kartën e fundit që luajti, ishte nacionalizmi. Atëhere, kuptohet se kujt i intereson në këto momente nacionalizmi i shprehur.

– Derisa zgjedhjet e 2013-s, vihen si kusht për të parë sa të lira e të ndershme do të zhvillohen, thua se sapo rrëzuam ndonjë rregjim diktatorial, paçka se jemi 21 vite në pluralizëm, demokracia te ne është e tillë në formë, e vuan në përmbajtje?

– Në këto 21 vite, klasa politike nuk vë asgjë tjetër, përveç mbajtjes/marrjes të pushtetit. Ndaj nuk e ka për asgjë që të cënojë edhe lirinë e votës. Përpiqet që të manipulojë votën, pavarësisht se kështu vritet demokracia. Ndaj BE-ja nuk mund të pajtohet me vrasjen e votës së lirë dhe ndaj nuk mund të na paranojë në Familjen e saj, si dhunues të votës së lirë. Atje ku parftitë kanë nevojë për manipulimin e votës, harxhojnë edhe paratë. Venë njerëzit me muskujt që të numërojnë votën, për llogari të tyre. Nuk përjashtohet asnjë parti, por “meritë” ka kush bërtet e bën zhurmë më shumë.

-A ka kontradiktë në platformën ekonomike elektorale të Edi Ramës, derisa pramton heqjen e taksës dhe, ndërkohë, edhe rritjen e fondeve për arsimin, shëndetësinë publike, për politikën sociale?

Ka kontradiktë, se investimet varen nga sasia e lekëve që vjel nga taksat, ose nga borxhi. Po edhe borxhet do t’i paguajnë taksapaguesit. Unë jam për takësn progresive, sepse në pagimin e taksave, secili duhet të kontribojë sipas  norës së fitimit. Duhet të vendosen raporte të drejta midis biznesit të madh, të mesëm e të vogël, në kontributin që duhet të japin në taksa.

– Shpresoni se zgjedhjet e 2013-s do të sjellin ndryshimin e kërkuar? Është ndërgjegjësuar elektorati për përgjegjësinë që ka për votën e tij?

– Kam frikë se jo. Sepse, po të ishte ndërgjegjësuar, do t’i kishtë dhënë përgjigjen klasës politike. Kam frikë se do të votohet bardhë e zi, me inat. Në momentin e votimit, njërëzit nga inati i PS-s, do të votojë PD-në dhe nga inati i PD-së njërëzit do të votojnë PS-në. Por, një pjesë e elektoratit, është ndërgjegjësuar dhe do të votojë edhe për forcat e treta, si LSI, FRD, AK, etj. Do të ketë rritje, të këtyre forcave.

– Votimi bardhë e zi, a nuk rrit edhe arrogancën politike të PS-së dhe PD-së, e këto, pastaj, sillen me papërgjegjshmëri edhe në integrimin e Shqipërisë?

– Sa më shumë pushtet të kenë, këto dy forca politike, kaq më arrogante do të sillen ndaj integrimit të shqiptarëve. Sa më shumë të zgjerohet spektri politik, sa më shumë të jetë i ekulibruar pushteti, sa më shumë marrëveshje politike të ndërtohet qeverisja, kaq më e përgjegjshme do të jenë politikanët për sjelljen e tyre politike. Unë do të doja një marrëveshje PD-PS në bashkëqeverisje. Boll i kemi ngrënë kokën njeri-tjetrit, për interesa personale. Një shembull e kemi, bashkëqeverisja PD-LSI. Por kjo bashkëqeverisje të shtrihet edhe PD-PS, për të mirën e integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kështu do të ndajnë përgjegjësitë. Deri tani polemikat PD-PD të kujtojnë luftën e klasave në diktaturën e proletariatit, që zhduknin fizikisht kundërshtarin politik.

– Në këtë pragfushate zgjedhore, ju a do të riaktivizoheni politikisht?

– E shoh veten  jashtë politikës. Edhe politika nuk më do, sepse jam i papajtueshëm, jo i zellshëm.  Edhe unë nuk shoh ambjent tërheqës, kështu siç bëhet politika.

Rama, si Kryebashkiaku i Tirsanës i trefishoi taksat e biznesit të vogël

Ju, duke qënë tashmë më afër realitetit dhe më pak i implikuar me politikën, platformën elektorale të Edi Ramës, për heqjen fare të taksës për biznesin e vogël dhe në disa tregues të tjerë ekonomik, a është e mundshme për ekonominë tonë?

Mundësia reale është, se heqja e taksave biznesit të vogël, edhe mund të realizohet, sidomos në kushtet e krizës, për ta realizuar. Që të jemi më objektivë dhe që të bindemi në sinqeritetin politik të Edi Ramës, e të mësojmë sa ai do të jetë i gatshëm ta realizojë, nëqoftëse do të bëhet Kryeministër, e pyes. Pse zoti Rama, nuk i hoqët taksat biznesit të vogël, në 11 vitet që ishit Kryetar i Bashkisë së Tiranës? A e dini se Rama, si kryebashkiak i Tiranës, i trefishoi taksat e biznesit të vogël, në krahasim me taksat që kishte Bashkia e Tiranës, kur unë isha kryebashkiak? A e dini se Rama deklaronte atëherë se do të lironte detyrimet fiskale, sa ai të vinte në Bashki, dhe çfarë bëri ne fakt? A mund të përgjigjet dot, Rama? Pse nuk i hoqi detyrimet fiskale, si Kryetari i Bashkisë, derisa i kishte premtuar? Ndaj, më duket demagogji, kjo platformë ekonomike elektorale e Ramës, për heqjen e taksave biznesit të vogël. Sepse taksën e biznesit të vogël e mbledh bashkia, jo qeverisja qëndrore.

 – Faleminderit!