Refugjatët, Meta drekë pune me Avramopoulos

449
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi sot një drekë pune me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, me të cilin biseduan rreth krizës së refugjatëve dhe mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë evropiane.
Duke biseduar mbi situatën e fundit të krizës migratore të refugjatëve në Evropë dhe veçanërisht në rajon, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vuri në dukje se kjo është një krizë e paprecedentë që kërkon një përqasje më të koordinuar evropiane. Në këtë drejtim, Meta theksoi se Shqipëria është një vend evropian, dhe si i tillë do të kontribuojë në përballimin e kësaj krize me solidaritet dhe përgjegjësi evropiane, brenda kapaciteteve të saj.
Meta nënvizoi se Shqipëria është e gatshme të kontribuojë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e saj evropianë, duke përforcuar njëkohësisht kapacitetet e saj humanitare, strukturat e sigurisë, inteligjencës, regjistrimit dhe vetimit të refugjatëve që mund të kalojnë nga territori i saj.
Komisioneri i BE-së për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, shprehu mirënjohjen e tij për qëndrimet dhe gatishmërinë e autoriteteve shqiptare dhe vuri në dukje se Shqipëria ka jo vetëm një eksperiencë të gjerë historike në përballimin e krizave humanitare, por edhe një përqasje evropianiste ndaj krizës aktuale që ka prekur rajonin dhe vendet e tjera të BE-së.
Në përfundim, Meta dhe Avramopoulos biseduan edhe mbi luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme dhe ndanë bindjen se miratimi i ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë si dhe një bashkëpunim më i ngushtë me strukturat evropiane si Europol, do të kontribuojnë në rritjen e ndjeshme të luftës së Shqipërisë ndaj këtyre fenomeneve negative.
Sigal