Sigal

Forumi i “Telegraf”: Flasin Shehi, Duka, Ndoka dhe Galdini: Nëse nuk ndryshohet Kodi Zgjedhor, PD-ja humbet

Flasin për gazetën “Telegraf”

Aleatët e PD-së, Shehi, Ndoka, Duka dhe Galdini flasin në forumin e gazetës “Telegraf” dhe argumentojnë domosdoshmërinë e ndryshimit të Sistemit aktual Zgjedhor, si domosdoshmëri për të barazuar votën, si mundësia e vetme që votuesi të votojë drejtpërdrejt deputetin e vet, që në parlament të ketë edhe pluripartitizëm.

Dashamir Shehi, deputet kryetar i LZHK: PD-ja humbet me këtë sistem elektoral

 

Kryetari i PD-së na ka dhënë fjalën se PD-ja do të luftojë fort në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore për të ndryshuar sistemin aktual zgjedhor. Në qoftë se nuk e bën, atëherë PD-ja do të jetë përsëri e humbura edhe ën zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sepse me reformën territoriale që bëri kjo maxhorancë, i jep asaj epërsinë elektorale. Ndryshimet e tjera, që pretendojnë të bëjnë për reformën zgjedhore janë krunde.

 

Nard Ndoka, deputet, kryetar i PDK: Reforma zgjedhore është një paçavure PS-PD

Sistemi zgjedhor aktual është problemi kryesor për zgjedhjet, për votën, për përfaqësimin dhe standardet. Nëse vazhdojmë të ecim me këtë sistem, thjesht po zhbëjmë çdo element të demokracisë funksionale, pluralizmit dhe çimentojmë një sistem bipolar; që forcon dy individë, por asgjëson përfundimisht; demokracinë brenda partive, bllokon lëvizjet e reja politike, dëmton pluralizmin. Kuvendi i Shqipërisë kthehet në dy batalione me ushtarë politikë, që ngrenë dhe ulin kartonët, sipas urdhrave të dy kryetarëve. Administrata zgjedhore me përfaqësues vetëm të dy partive politike ka shkatërruar zgjedhjet, tendenca për ta ruajtur akoma këtë model tipik komunist, mbetet një aventurë e rrezikshme, që fundos përfundimisht pluripartizmin, duke asgjësuar çdo votë të partive pa përfaqësues në komisione. Ky sistem zgjedhor me këtë trupë zgjedhore politike, nuk krijon asnjë shpresë për zgjedhjet, për standardet! Reformë zgjedhore e kthyer në pazare, privilegje për vete dhe pengesa për të tjerët; nuk mund të quhet reformë zgjedhore; por një paçavure PS-PD!

Agron Duka, kryetar i PAA: Opozitës i leverdis të ndryshojë Sistemin Zgjedhor

Në radhë të parë përshëndes dakordësinë për depolitizimin e komisioneve zgjedhore dhe testimin që do t’i bëhet votimit elektronik në zgjedhjet vendore e 2019. Në fakt, në çdo raport, apo vendim që vjen nga institucionet e BE-së, reforma zgjedhore përmendet si një nga standardet që Shqipëria duhet të plotësojë, dhe këto dy pika krijojnë kushtet për përmirësime të domosdoshme dhe të shumëpritura. Për sa i përket sistemi zgjedhor, edhe sepse vetëm një nga bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm është shprehur, pra nuk mund të marrim për të mirëqenë deklaratën e vetëm një pale, do të kemi kohën e duhur për të diskutuar mbi këtë pikë. Ndryshimi i sistemit është një çështje shumë komplekse, sepse kërkon në ndërhyrje në Kushtetutë, pra do të duhen 2/3 e votave, për këtë arsye edhe procesi do të kërkojë një kohë shumë më të gjatë. Nga ana tjetër ne kemi një marrëveshje fjale me z. Basha mbi përmirësimin e sistemit, duhet të presim edhe qëndrimet e z. Bylikbashi mbi këtë çështje për të formësuar një qëndrim përfundimtar. Megjithatë, përtej deklaratave politike të njërës, apo tjetrës palë, gjykojë se opozitës i intereson të jetë shumë kërkuese për ndryshimin e sistemit, pasi do të na ndihmonte jo vetëm për të ndërtuar strategjinë politike për zgjedhjet e ardhshme, por do të na siguronte dhe një betejë të madhe, atë të kthimit të besimit në sistemin politik.

Arian Galdini, kryetar i LDE: Problemi më krimndjellës është mungesa e zgjedhjeve të lira

Problemi më i madh e më krimndjellës që ka Shqipëria sot, qëndron tek paaftësia dhe pamundësia jonë si shoqëri që të ndikojmë në përzgjedhjen, ndryshimin dhe qarkullimin e elitave. Ky problem vjen e mbetet i pazgjidhshëm ngase ne ende nuk kemi themeluar e as realizuar në këtë vend zgjedhjet e para të lira, të ndershme dhe të drejta e gjithëpranuara nga të gjithë. Kemi bërë zgjedhje pluraliste por jo zgjedhje te lira. Raporti që kemi me zgjedhjet si shoqëri, përcakton edhe raportin që kemi me lirinë, zhvillimin, dinjitetin individual, social, publik dhe kombeëtar. Raporti me zgjedhjet determinon pa diskutim edhe raporti që kemi me krimin, mafian dhe oligarkët… Zgjedhjet si krim dhe transaksion financiar, janë vrasëse të drejtpërdrejta të lirisë, e njëkohësisht e dorëzojnë shoqërinë, politikën, partitë, shtetin, drejt e në prehrin e krimit, mafias dhe oligarkëve. Deri sot, Kodi Zgjedhor është bërë e ndryshuar, jo për të garantuar zgjedhje të lira, por për të krijuar ngrehina sa më të sofistikuara të procesit zgjedhor, të cilat ndërsa garantojnë kontrollin dhe pandryshueshmërinë e elitave, kanë edhe paketimin e me marrëveshje nëpërmjet konsensusit negativ të të gjitha palëve dhe udhëheqësve tonë politikë, për t’u shitur si zgjedhje të pranueshme apo më të mira se të mëparshmet… Sprova e ndryshimeve të tanishme të Kodit Elektoral, nuk është më debat teknik e teknologjik Sistemesh dhe marifetesh elektorale. Sprova e ndryshimeve në Kodin e ri Zgjedhor flet drejtpërdrejt për raportin që duan të ndërtojnë Shumica Qeverisëse dhe Opozita me zgjedhjet e lira. Po vazhduan konsensusin negativ të vrasjes përmirësimit dhe përditësimit teknik të marifeteve që vrasin zgjedhjet, meritojnë ndëshkim dhe refuzim spektakolar nga të gjithë ne, nga të gjithë qytetarët. Mua më së shumti më dhemb e shqetëson qëndrimi i Opozitës mbi Raportin me Zgjedhjet e Lira dhe të Ndershme. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk kërkohen me fjalime kur i vret me marrëveshje. Ose do bëjmë zgjedhje vërtetësish të lira e të ndershme, ose do ta pranojmë se jemi shoqëri dhe shtet i dështuar. Sipas meje, sistemi me i mirë do tê ishte një ndërthurje racionale mes proporcionalit me mazhoritarin.

Nga Jakup B. Gjoça