Reforma zgjedhore, sfida e re e parlamentit shqiptar

535
Reforma zgjedhore pritet të jetë sfida e re e punës së Kuvendit të Shqipërisë. Për herë të fundit Kodi Zgjedhor në Shqipëri është ndryshuar në 2012, ku u ndërhy në çështje që kanë të bëjnë me listat zgjedhore, regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe financimin e zgjedhjeve dhe të fushatës elektorale. Raporti i OSBE/ODIHR propozon një sërë rekomandimesh me synim përmirësimin e mbajtjes së proceseve zgjedhorë në Shqipëri dhe për t’i sjellë ato në përputhje të plotë me standardet demokratike. Raporti kërkon që t’i kushtohet rëndësi rritjes së pavarësisë, paanësisë dhe kapacitetit profesional të komisioneve zgjedhore. Kështu, ligji mund të ndryshohet për të lejuar caktimin e komisionerëve jo partiakë në të gjitha nivelet, në mënyrë që të depolitizohet administrimi zgjedhor. OSBE kërkon edhe rishikimin e kuadrit ligjor për rregullimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore. Një tjetër rekomandim i ndërkombëtarëve lidhet me përshpejtimin e afateve për dorëzimin e raporteve financiare tek audituesit e KQZ-së dhe publikimin e tyre në kohë. Rekomandime të tjera të vëzhguesve ndërkombëtarë lidhen me kufizimet e përgjithshme të së drejtës për të votuar të personave me aftësi të kufizuar mendore. Vëmendje po ashtu i duhet kushtuar sigurimit të personave të huaj me të drejtën për të votuar në zgjedhje, pas një periudhe të caktuar banimi në vendin ku zhvillohen zgjedhjet, kur këta të fundit përmbushin të njëjtat detyrime ligjore që përmbushin qytetarët e tjerë. Raportet ndërkombëtare sugjerojnë gjithashtu se duhen shtuar përpjekjet për të siguruar, që të gjithë zgjedhësve t’u caktohet një kod i saktë identifikues adrese dhe që të dhënat e dyfishuara të verifikohen dhe zgjidhen. Autoritetet duhet të fillojnë në kohë hetimet rreth pretendimeve specifike për zgjedhës të shtuar në regjistrin civil dhe listat e zgjedhësve në kundërshtim me ligjin. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve, duke përfshirë procedurat për mbledhjen, verifikimin dhe miratimin e nënshkrimeve mbështetëse, duhet të jenë të qarta dhe të rregulluara mjaftueshëm para zgjedhjeve për të siguruar qëndrueshmëri dhe siguri ligjore. OSBE/ODHIR rekomandon gjithashtu se nevojiten përpjekje shtesë për të trajtuar problemin e vazhdueshëm të blerjes së votës, si nëpërmjet edukimit të zgjedhësve, ashtu edhe përmes ndjekjes penale, me qëllim rikthimin e besimit në procesin zgjedhor. Sa i takon rolit të medias në procesin zgjedhor, ndërkombëtarët rekomandojnë që Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) duhet të monitorojë median gjatë dhe ndërmjet zgjedhjeve në mënyrë që të zbatojë dispozitat ligjore për mbulimin e paanshëm të aktorëve politikë, duke përfshirë dispozitat në mbulimin e barabartë të lajmeve për garuesit gjatë fushatave zgjedhore.
Sigal