Sigal

Jakup B. GJOÇA

Parlamenti Evuropian dje, në miratimin e Rezolutës për Shqipërisë, theksoi si detyrë për vendin tonë, që duhet të miratojnë reformën zgjedhore, si kushtin kryesor për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, vendim që do të merret në qershorin e 2019. Siç dihet, në 30 qershor 2019 do të mbahen edhe zgjedhjet vendore, ndaj edhe reforma e re zgjedhore duhet të miratohet të paktën 6 muaj para datës së zgjedhjeve. Parlamenti Evropian kujton nevojën për t’u kushtuar vëmendje të duhur pretendimeve për financim të paligjshëm dhe të padeklaruar të partive politike; mirëpret punën e Komitetit Ad-hoc, për Reformën Zgjedhore të Parlamentit Shqiptar, lidhur me pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, transparencën në financimin e fushatës, regjistrimin e votuesve, blerjen e votave, përdorimin e teknologjive të reja të votimit dhe votimin jashtë vendit, si dhe i kërkon atij që të arrijë konsensus dhe të miratojë reformat e nevojshme në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të vitit 2019

Rekomandimet e OSBE për reformën zgjedhore mbeten në sirtar

Një nga rekomandimet kryesore të OSBE për reformën e re zgjedhore ishte që në zgjedhjet vendore të 2019, të aplikohen për herë të parë numërimi elektronik, si provë, për ta shtrirë paskëtaj edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021-it. Gjithashtu, OSBE-ja ka rekomanduar edhe depolitizimin e adminsitratës zgjedhore, për të rritur besueshmërinë e procesit zgjedhor. Mirëpo, të dyja këto rekomandime të OSBE duket se nuk do të përfshihen në reformën e re zgjedhore. Madje, vetë Bledi Skënderi, anëtarë i KQZ-së, përfaqësuesi PS-së ka pohuar publikisht se KQZ-ja nuk do të depolitizohet. Opozita e akuzon mazhorancën, se në kundërshtim me Kodin Zgjedhor ka uzurpuar 1 mandat në KQZ, që i takon opozitës. Siç dihet, para disa kohësh, mazhoranca paraqiti 2 kandidatura për në KQZ, ndërkohë që ende janë edhe 2 vende vakuum. Opozita pretendon se mazhoranca ka vetëm 1 vend, ndërsa 2 kandidaturat e tjera duhet t;i takojnë opozitës, sipas përqindjes së përfaqësimit të partive politike në parlament. Opozita nuk ka paraqitur 2 kandidaturat e tjera, kështu që KQZ-ja deri tani ka vetëm 5 anëtarë, nga 7 që duhet të jetë numri i tyre. Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të 2013-s, opozita socialiste nuk paraqiti 3 kandidaturat e saj për në KQZ, dhe zgjedhjet parlamentare u zhvilluan me një KQZ me 4 anëtarë. Ndërsa numërimi elektronik sërish nuk do të mundësohet, sikurse dështoi edhe në 2013-n dhe kjo bëhet qëllimisht, që palët politike të kenë më shumë mundësi të ndërhyjnë e të tjetërsojnë votat, siç kanë bërë herët e tjera, për të cilat kanë akuzuar njëra – tjetrën për manipulim votash.

PS: Kemi gati draftin

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla nga Londra, deklaroi para emigrantëve shqiptarë, se palët politike në Komisionin Parlamentar të reformës zgjedhore kanë dhënë dakordësi dhe është gati drafti i reformës së re zgjedhore dhe shpreson se deri në fund të 2018-s reforma zgjedhore do të votohet edhe në parlament. Balla pranoi se në reformën e re zgjedhore nuk do t’u jepet e drejta e votimit emigrantëve, siç ishte premtuar.

Bylykbashi: Nuk kemi dakordësi

Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të reformës zgjedhore deputeti i PD-së Bylykbashi edhe ditët e fundit hodhi poshtë pretendimet e Ballës se opozita ka dakordësi për draftin që përmend Taulant Balla. Madje opozita shumë herë ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në Parlament, deri sa kohë nuk do të miratohet projektligji për Vettingun në politikë, duke lënë të hapur mundësinë që të mos marrë pjesë as për reformën zgjedhore.