“Reforma Zgjedhore ka një kuadër ligjor të besueshëm”

667
Sigal

INTERVISTA/ Qemal Minxhozi, deputet i PS-së: “Kritika e aleatëve për PS-në, emocione të momentit, në interesin e të gjithëve, të bashkohemi”

Dje në Kuvend, ndodhi e pazakonshmja. Reforma Zgjedhore bashkoi PD-në dhe PS-në dhe partitë e tjera parlamentare votuan kundër të mëdhenjve. Konkluzioni? Kur interesat partiake përqasen, nuk ka më ndasi politike. Dhe e kundërta: Kur interesat partiake janë në kundërshti, partitë bëhen politikisht kundërshtare. Oponenca e deputetit Fatmir Mediu, kryetarit të PR-së, në Kuvend për Reformën Zgjedhore,  edhe pse aleat tradicionalisht i PD-së, ishte tepër e ashpër, sa edhe votimi kundër, qoftë në parim, qoftë edhe nen për nen të Reformës Zgjedhore. LSI-ja abstenoi, ndërsa deputetët e PDIU-së e braktisën fare seancën plenare, në shenjë proteste. Partitë e Aleancës së Bashkuar, kohë më parë, kanë deklaruar se  shpresojnë  deri në ditën e sotme të votimit të Reformës Zgjedhore, nëse PD-PS do të merrnin parasysh edhe kërkesën e tyre për korrektimin e Kodit Zgjedhor, në të kundërt, do të ndërmarrin veprime politik, të pavarura nga PS-ja. Në diskutimet e Berishës dhe Gjiknurit, nuk u përmend as si një mundësi që mund të shikohet në të ardhmen, kërkesa e korrigjimit të Kodit Zgjedhor. Deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi, në intervistën për “Telegraf” shpreh mendimin se kritikat e aleatëve janë thjesht emocione të momentit, shprehje e dëshpërimit dhe asgjë më shumë.

– Zoti Minxhozi, Reforma Zgjedhore u miratua me konsensusin e PD-PS, ndërsa partitë e tjera parlamentare e kanë refuzuar. Tashmë, mendoni që kjo reformë do të sjellë atë paqe politike dhe atë besueshmëri te zgjedhjet e 2013-s?

– Ajo që ka rëndësi është që ka një kuadër ligjor, i cili është i besueshëm. Rëndësi të madhe tani ka zbatueshmëria e ligjit që sapo miratuam dhe peshën kryesore e ka qeveria. Ajo që doja të theksoja është që ne me mirëkuptim, arritëm të gjejmë pikat e përbashkëta, për të patur një reformë zgjedhore sa më të qëndrueshme, sa më gjithëpërfshirëse.

– “Reformë të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse”, çfarë doni të thoni?

E qëndrueshme, që të përfshijë gjithë spektrin politik shqiptar. Sepse, duhet të keni parasysh që nga kjo reformë përfitojnë të gjitha partitë politike. Natyrisht, që secila parti ka opsionet e veta dhe donin të kishin një Kod dhe Reformë, që të ishte sa më afër interesave të secilit. Dhe unë mendoj që kjo reformë i përmbush gjërat më bazike.

Kur thatë “gjithëpërfshirëse” për këtë reformë, në Parlament u dha një fakt domethënës: 260.000 vota të partive të tjera janë përfaqësuar me 6 mandate deputetësh, ndërsa nga 600.000 vota të secilës parti, PD dhe PS, janë përfaqësuar me 65 mandate secila. Kjo a nuk dëshmon të kundërtën e “gjithëpërfshirës” të Kodit Zgjedhor?

Po. Kjo ishte një deklaratë e zotit Mediu (kryetari i PR-së), që është një zë i mekur në shkretëtirë. Duke qenë në koalicionin e djathtë, nuk kanë bërë presionin e duhur, ose një presion real.

Nga an tjetër, edhe partitë aleate të PS-së e kanë kritikuar shumë ashpër PS-në, ngaqë nuk mbajti zotimin politik që u kishte premtuar për korrektimin e Kodit Zgjedhor. Cili mund të jetë shpjegimi juaj?

Reforma Zgjedhore ka dy shtylla kryesore. Ne si PS jemi një pjesë. Zoti Rama është shprehur, që ne jemi të gatshëm për të kontribuar për korrektimin e Kodit Zgjedhor, por kjo kërkesë nuk është përkrahur nga PD-ja.

– A ka luksin politik, PS-ja që të mos ketë në aleatim partitë e majta në zgjedhjet e 2013-s? Cili do të jetë reagimi i këtejshëm i PS-së me aleatët?

Unë mendoj që reagimet e udhëheqësve të partive aleate janë emocione, të momentit, do të thosha, të dëshpërimit, të cilat kanë një bazë, por, ishte tepër e vështirë që ne të imponoheshim Berishës. Qëllimi i PS-së për zgjedhjet e 2013-s është forcimi i Aleancës së Bashkuar, sepse vetëm me PS-në, këta aleatë mund të shikojnë vetveten në pushtet. Nuk besoj që partitë aleate të dalin jashtë aleatimit me PS-së, sepse nuk është as në interes të tyre, dhe as në interes të së majtës në përgjithësi.

A ka mundësi që korrektimi i Kodit Zgjedhor të bëhet në vjeshtë?

Duhet të pyeten specialistët për këtë, megjithëse ne, siç ju thashë, kemi edhe vullnetin politik. Por, derisa ky vullnet politik mungoi nga PD-ja, e kam të vështirë të bëj parashikim optimist.

Imunitetin, a është e gatshme PS-ja që ta miratojë në 6 gusht?

PS-ja e ka bërë të qartë vendimin e saj. Nuk jemi, gjithsesi, kundër heqjes së imunitetit, ne kemi qenë iniciatorët e saj. Por duhet parë disa elementë të tjerë, sepse kemi të bëjmë me prekjen e Kushtetutës.

– A mund të bëhen ndryshime në Kushtetutë sa herë të lindin nevoja për çdo problem të veçantë?

– Kushtetuta nuk mund të preket sa herë që duam. Ndryshimet që duhen bërë, duhet të bëhen njëherë e mirë.

Opsioni i PS-së, cili është? Të shtyhet votimi i Imunitetit përtej 6 gushtit?

Nesër (sot) do të bëhet mbledhja e Këshillit të Legjislacionit, ku bëj edhe unë pjesë, dhe do të ketë një qëndrim më të qartë.

Nga ana tjetër, debati për heqjen e imunitetit, kufizohet vetëm me pjesëmarrjen e partive parlamentare. Përse janë të përjashtuara partitë jo parlamentare, grupet e interesit e shoqëria?

Pikërisht, ne kërkojmë që ky debat, për më tepër që kërkon ndryshime në Kushtetutë, të jetë gjithëpërfshirës. Të mos jetë thjesht, në këndvështrimin politik. Kjo çështje ka shumë nevojë të ushqehet me mendime sa më të pjekura, jo vetëm nga politikanët. Këtë kërkon PS-ja. Shtrirja në kohë nuk ka rëndësi, por kur secili të thotë fjalën e vet në debat, sepse është hap shumë i rëndësishëm për të gjithë.

Në realitetin politik aktual, heqja e imunitetit, pa u shoqëruar me reformat e tjera në Gjyqësor e Drejtësi, me depolitizimin e organeve të akuzës, a do të jetë një mundësi të luftohet korrupsioni e krimi i organizuar?

– Tani, duhet të kemi parasysh diç Këtu. Që heqja e imunitetit është një element më vete, por edhe këto që ju përmendët, janë të bashkëlidhura me imunitetin, sepse sistemi gjyqësor, organet e prokurorisë, janë ansambël kompleks të gjërave. Për shembull, ne kërkojmë të kemi më tepër garanci në zgjedhjen e gjyqtarëve, të Gjykatës Kushtetuese, që këta të mos jenë thjesht një burim i partive, por të jenë personalitete me integrim, ku palët politike t’i miratojnë në saj të integritetit e jo militantizmit partiak. Pra, kërkojmë që të zgjidhen me 84 vota, ndryshe, nuk mund të depolitizojmë Gjyqësorin.

Nëqoftëse kompromisi politik nuk arrin dot në këtë pikëmbërritje politike, heqja e imunitetit do të ketë efikasitetin kur mbisundon fryma e politizimit të Gjyqësorit e organeve të akuzës?

Kjo që thoni është mëse e drejtë, dhe PD-ja duhet të reflektojë në politikën e saj, se pa konsensusin e PS-së, është e kotë të diskutojmë për një problem kaq madhor.

Mënyra sesi ia shtron Kryeministri  PS-së. çështjen e imunitetit: “Ose votojeni tani, ose bëheni përgjegjës të dështimit, është e pranueshme nga opozita?

– Kjo qeveri ka patur prioritetin e saj që Shqipëria të mos jetë vend që të jetë afër standardeve europiane. Edhe heqja e imunitetit është një premtim i pa mbajtur i PD-së.

–  Fushata elektorale, de fakto ka filluar për PS-në. Erjon Braçe, publikisht ka kërkuar që listat e kandidatëve për deputetë të mos përgatiten nga udhëheqësi dhe një grup i ngushtë, por të propozohen nga baza. Ju çmendim keni?

– Është herët për të diskutuar për këtë, sepse presim shtatorin dhe Asambleja e PS-së dhe kryesia do t’i diskutojë këto.

Statusi i kandidatit nuk varet nga heqja e imunitetit

Kjo që thotë qeveria, se mosmiratimi i këtij ligji do të rrezikojë statusin, nuk është i drejtë. Heqja e imunitetit është një element, por nuk është e gjitha. Shqipëria është e gjitha. Mazhoranca akoma nuk ka zbatuar ato kritere që ka kushtëzuar BE-ja. Shembulli ishte zgjedhja e Presidentit, edhe pse ishte kusht nga BE-ja që të zgjidhej me konsensus, nuk u zbatua nga mazhoranca. Nuk po ecet me reformën parlamentare, që është nga 12 prioritetet. Dhe po të themi sot, që gjithçka për marrjen e statusit varet nga imuniteti, është një spekulim politik.

– Faleminderit!