Reforma Zgjedhore, flasin Lleshi, Kume dhe Gjata: Ja cilat janë mundësitë e zgjidhjes

547
Alma Çuka
Tre ish-kryetarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve flasin për sistemin zgjedhor dhe domosdoshmërinë e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit
Ashtu sikundër e ka paralajmëruar edhe më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e djeshme se vitin tjetër do të fillojë regjistrimi i shqiptarëve të diasporës teksa ka prezantuar planin për diasporën dhe emigracionin në një takim në Kryesinë e Kuvendit. 
Teksa dha këtë lajm, Rama u bëri thirrje partive politike për ta parë këtë si një arsye të fortë me qëllim që të mos mungojnë në këtë proces. Ai tha gjithashtu që asnjë nga partitë e interesuara të mos tregojë, apo lërë të kuptohet ose keqkuptohet se nuk është e interesuar për votën e shqiptarëve jashtë atdheut. Sistemi Zgjedhor është diskutuar jo pak nga të gjithë përfaqësuesit. Në vendin tonë janë provuar të gjitha sistemet e mundshme dhe sipas ekspertëve asnjë prej tyre nuk ka dhënë rezultatin e kërkuar. Të njëjtin qëndrim mbajnë edhe në këtë rast njohësit e mirë të sistemit zgjedhor. Ata janë optimist lidhur me regjistrimin dhe garantimin e votës së shqiptarëve që janë jashtë vendit, por nuk dinë ende se si do të procedohet për të arritur një rezultat pozitiv dhe shumë të kërkuar. Për gazetën “Telegraf” folën lidhur mbi këto problematika tre ish-kryetarë të KQZ, Lefteri Lleshi, Kristaq Kume dhe Çlirim Gjata. 
Lefteri Lleshi, ish-kryetare e KQZ
Lidhur me sistemin që do të përdoret për zgjedhjet, problemi nuk qëndron në faktin se cili prej tyre do të jetë. E rëndësishme është fakti se sa partitë politike do i besojnë sistemit që do të pranohet prej tyre. Unë di të them se mazhoritari i pastër ka një problem. Nuk respektohen kuotat xhirone. Gratë nuk janë të përfaqësuara nëse do të zbatohet ky sistem. Shqipëria është vendi që i ka provuar të gjitha sistemet deri në këto momente. Por janë partitë politike ato që gjejnë mënyrën për t’iu larguar sistemit . Janë partitë të cilat bëjnë kalkulimet e tyre dhe sipas këtyre llogarive vendosin më pas se cili sistem do të jetë më i mirë për to. Zgjidhja qëndron vetëm tek vullneti politik dhe besueshmëria e njëri-tjetrit. Askush nuk mund të detyrojë partitë politike të zbatojnë një sistem zgjedhor. E gjitha varet prej tyre. Të vetmit që mund t’i detyrojnë të zbatojnë ligjin janë të huajt, OSBE /ODIHR. Por edhe këta nuk mund t’i detyrojnë që ata të zgjedhin sistemin, por vetëm të tregojnë se saj e respektojnë ligjin dhe të venë gishtin mbi problematikat e hasura. Lidhur me votimin e shqiptarëve që janë jashtë dua të them se më parë do të shohim se çfarë përmban platforma e qeverisë. Po kështu mendoj se jo në të gjitha rastet vota e emigrantëve ndikon në rezultatin e zgjedhjeve. Ka vende që kjo votë përmbys rezultatin, por ka edhe të tjera ku nuk ka ndikim. Gjithsesi vota e tyre është tepër e rëndësishme. 
Kristaq Kume, ish- kryetar i KQZ
Së pari, do të doja të ishte një ndërmarrje serioze për të pasur një rezultat të prekshëm, sepse problemi i mundësisë për të votuar shtetasit shqiptarë me të drejtë vote që banojnë jashtë vendit pa qenë e nevojshme për të qenë në qendër është problem i shtruar 12 vjet më parë. Në kuadër të reformës zgjedhore për vitit 2005. Jemi ndër vendet e pakta që nuk u kemi krijuar mundësinë reale shtetasve tanë të marrin pjesë në zgjedhje, pavarësisht se ligjërisht problemi është i zgjidhur. Legjislacioni shqiptar nuk ia mohon të drejtën të gjitha atyre që plotësojnë kushtin për të qenë votues, por legjislacioni dhe rregullat , pra Kodi Zgjedhor nuk iu mundëson realisht shprehjen dhe konkretizimin e kësaj të drejte. Në qoftë se do të ketë vullnetin për ta trajtuar dhe gjetur zgjidhjen për këtë problem mendoj se duhet parë në gjithë kompleksitetin e tij që do të thotë jo vetëm të gjenden mundësitë për ta realizuar konkretisht këtë gjë, mundësi të cilat të mos krijojnë hapësira për keqpërdorim të votës së shqiptarëve që banojnë jashtë atdheu, të mos krijojnë hapësira për tu goditur më pas rezultati i zgjedhjeve, ashtu sikurse duhet të trajtohet me seriozitet problemi i vlefshmërisë që duhet të këtë vota e këtyre shqiptarëve në strukturën e ardhshme politike të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u trajtuar sepse Shqipëria është ndër vendet ku një përqindje e konsiderueshme mbi 40% e shqiptarëve që kanë të drejtën për të votuar ndodhen jashtë dhe për pasojë vota e tyre mund të ndikojë në mënyrë esenciale në rezultatin e zgjedhjeve. Theksoj se në të tilla situata edhe në kodin e praktikave të mira në çështjet zgjedhore të Komisionit të Venecias rekomandohet që ky problem të realizohet dhe të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme referuar situatave të vendit. Duhet të jetë pjesë e diskutimeve në reformën zgjedhore dhe kjo, pra sa vota e shqiptarëve që banojnë jashtë do të sjellin rezultate në Kuvendin e Shqipërisë dhe si duhet të konvertohet kjo votë në mandate. Këto çështje duhet të trajtohen. Problemi është kompleks në të dy aspektet si në atë procedural , pra rrugës që duhet ndjekur ashtu edhe në efektin që duhet të sjell kjo votë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Për të gjetur zgjidhjet referenca ka dhe referencat janë jo vetëm çfarë thuhen në dokumentet e OSBE dhe Komisionit të Venecias por dhe në praktikat e përdorura në vendet të botës por edhe në vendet që janë rrotull nesh si Maqedonia dhe Kosova. Fakti që Kryeministri deklaron se do të filloj punën në 2018 është shpresëdhënës sepse natyrisht dihet që e gjitha kjo bëhet jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme lokale por për ato parlamentare. Koha mjafton nëse do të ketë vullnetin për të gjetur zgjidhje. Do kërkoja që të mos shprehemi vota e emigrantëve, por vota e shqiptarëve që banojnë jashtë territorit të vendit. Dhe këtu kam parasysh jo vetëm për ata që kanë emigruar për arsye ekonomike, por edhe studentet, njerëz që shkojnë pranë familjarëve të tyre, të sëmurët e kështu me radhë. Problemi duhet trajtuar për të gjithë ata që ditën e zgjedhjeve nuk janë në Shqipëri. Ndërkohë lidhur me sistemin që duhet zbatuar do të thosha se ai mazhoritar i pastër penalizon gratë. Pra bien kuotat gjinore. Mund të kërkohet në mënyrë të sforcuar që në një numër të caktuar të zonave zgjedhore të garojnë vetëm gra, por gjithsesi kjo nuk do të sillte respektim të kuotave gjinore. Vetëm kështu mund të bëhet se ndryshe jo. Sistemi mazhoritar e ç’bën efektin që sjell vendosja në ligj e kuotës. Sepse garohet direkt me emra. 
Çlirim Gjata, ish- kryetar i KQZ
Mendoj se parimisht regjistrimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe garantimi i të drejtës për të votuar është e thjeshtë. Por unë ende nuk e di se si do të zgjidhet ligjërisht një problem i tillë. Ka më shumë se 20 vite që thuhet nga partitë politike se do të bëjnë të mundur regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë po kështu edhe dhënien e të drejtës për të votuar, por deri sot nuk është bërë asgjë. Pastaj ka edhe një problem tjetër. Varet se çfarë sistemi zgjedhor do të përdoret. 
Sigal