Reforma Zgjedhore është “Thembra e Akilit” në Shqipëri

758
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Në raportin e OSBE|ODHIR, pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-s u shkrua se votat u vodhën, u shitën, u blenë. Fakt është se partitë politike shpenzuan financiarisht qindra herë më shumë lekë, sesa shuma që deklaruan në KQZ dhe askush nuk dha llogari. Këto analiza të raportuesve të organizmave përkatëse ndërkombëtare janë të njëjta për çdo herë zgjedhje elektorale në Shqipëri, e megjithatë, edhe pse për çdo herë që zhvillohen zgjedhje parlamentare në Shqipëri, krijohet komision parlamentar për reformë zgjedhore, asnjëherë këto fenomene në zgjedhjet në Shqipëri nuk ndalohen. Dhe, deri tani, të vetmet “reforma zgjedhore” që janë ndërmarrë në Shqipëri, janë ato reforma që u japin dy partive, PS-PD gjithë privilegjet zgjedhore, që nga partizimi i Administratës Zgjedhore, KQZ dhe komisionet e tjera përkatëse zgjedhore, ku PS-PD kanë numrin më ta madh të anëtarëve, ndërsa partitë e tjera, edhe parlamentare dhe jo parlamentare nuk kanë asnjë anëtar nëpër komisione zgjedhore, duke humbur të drejtën e vëzhgimit, pasojë e së cilës është vjedhja e votës në tavolinë. Së dyti, sistemi zgjedhor aktual, u jep privilegjin PS-PD, që të marrin mandate për deputetë me një numër më të vogël votash, ndërsa partitë e tjera, mund të marrin edhe 25.000 vota dhe të mos kenë asnjë deputet. Një rast tipik është partia FRD-ja mori 25 .000 vota dhe asnjë mandate, PDS-ja mori 20.000 vota dhe asnjë mandate, “LIBRA”, e cila mori 23.000 vota në zgjedhjet e 2017-s, por nuk fitoi asnjë mandat deputeti. Në Qarkun e Korçës, LSI-ja me 19.500 vota fitoi vetëm një mandat, ndërsa PS me 45.000 vota fitoi 4 mandate, dhe PD-ja afërsisht po me 44.000 vota fitoi 3 mandate. Pra, PS dhe PD përfitojnë nga sistemi zgjedhor, votat e partive të tjera, duke marrë padrejtësisht mandate. Mandati i deputetit, sipas sistemit zgjedhor aktual në Shqipëri nuk përfaqëson vullnetin e votuesve, pasi është Lista e Mbyllur e Partisë, që përcakton, sipas renditjes listore, se cilët persona do të marrin mandatin e deputetit. Parlamenti ka ngritur edhe Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, për zgjedhjet parlamentare të 2021-it, por deri tani PS-PD nuk kanë bërë të ditur nëse do të kenë vullnet politik për të ndryshuar sistemin zgjedhor në Proporcional Kombëtar, në mënyrë të atillë, që çdo votë të ketë barazi, që çdo mandat deputeti të ketë barazi në çdo qark, që të jetë votuesi ai që do të zgjedhë deputetin dhe jo Lista Partiake. Gjithashtu, duhet që ligji elektoral të dënojë partitë politike, kandidatët që shpenzojnë para elektorale, pa treguar shumën dhe burimin financues. Prandaj, nuk mund të ketë reformë zgjedhore pa ndryshuar sistemin zgjedhor, ku vota të ketë barazi dhe votuesi të votojë ai përfaqësuesin për në Parlament, ku ligji elektoral të jetë kaq I rreptë, sa partitë të mos kenë asnjë mundësi të financohen (edhe) nga bota e krimit, nga paratë e pista, siç ka ndodhur deri tani. Ndryshe, kur PD-PS, me reformë zgjedhore bëjnë vetëm retushime dhe restaurime të privilegjeve të tyre zgjedhore, atëherë edhe vetë Reforma Zgjedhore do të mbetet përherë “Thembra e Akilit” në Shqipëri.