Reforma territoriale, ambasadori Raunig: Palët duhet të ulen dhe të flasin me njëra-tjetrën

393
Sigal

Ministri i Shtetit  për Çështjet Vendore, Bledi  Çuçi, informoi dje Ambasadorët e akredituar në vendin tonë mbi ecurinë e procesit të reformës administrativo-territoriale, në një takim që u zhvillua në ambientet e Hotel Sheraton në kryeqytet. Në përfundim të këtij bashkëbisedimi, gjatë një prononcimi të përbashkët për mediat me Ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, Ministri Çuçi tha se, e kishte siguruar Ambasadorin se, maxhoranca parlamentare nuk do të bëjë asgjë që do të prekë sistemin elektoral. “Kjo do të jetë një reformë që do të fokusohet vetëm në riorganizimin e administrativo-territorial të vendit”, -u shpreh Ministri para mediave. Ai gjithashtu garantoi se, reforma në fjalë është e udhëhequr nga kritere tërësisht teknike dhe profesionale. Ndërsa kreu i OSBE-së Raunig, duke e cilësuar reformën si shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit, u bëri thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve të interesuar për përmbushjen e saj, të bëhen pjesë e procesit. “Është koha kur palët duhet të ulen dhe të flasin për të gjetur zgjidhjen në mënyrë që të çojnë përpara këtë reformë. Nuk është mirë që një pjesë të ngelë jashtë”,- tha Raunig. Ambasadori theksoi se: “reforma territoriale është reforma territoriale. Të gjitha çështjet që po preken, si reforma zgjedhore, duhet të analizohen. Nuk është e thënë që reforma territoriale të ketë patjetër implikime për reformën zgjedhore. Mund të ketë, por prandaj palët duhet të ulen dhe të flasin me njëra-tjetrën”.