Reforma në drejtësi, Vlahutin: E pashpjegueshme pasuria miliona euroshe e gjyqtarëve e prokurorëve

584
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin dha një mesazh të qartë për gjyqtarët nuk justifikojnë pasurinë e tyre prej miliona euro. Në tryezën për konsultimin publik të ndryshimeve ligjore për reformën në drejtësi, Vlahutin theksoi se, llogaridhënia do të jetë parimi kryesor i reformës.
“Kjo luftë është nëna e të gjitha luftërave. Ka ende abuzim të burimeve që duhet tu përkasin të gjithëve. Ky është një krim dhe krimi quhet korrupsion. Nëse do të duhet të paguash një mjek për fëmijën tënd apo duhet të paguash dikë për një vend pune atëherë kjo nuk është liri. Korrupsioni në vetvete nuk është gjenetik”, tha Vlahutin.
Ambasadorja e BE-së në Tiranë më tej nënvizoi se, gjyqtarët që kanë një pagë prej 1 500 euro do të duhet të japin llogari për pasurinë e tyre që arrin në miliona euro. Vlahutin tha se ligji duhet të mbrojë qytetarët dhe jo të pasurit.
“Mbështetja e jonë mbi reformën nuk mbështetet tek mendimi se disa gjyqtarë janë më të korruptuar. Gjyqtarët dhe prokurorët janë vektori kryesor i ndryshimeve. Kanë miliona euro pasuri në mënyrë të pashpjegueshme. Ku paga më e madhe e gjyqtarë është 1 500 euro disa kanë akumuluar miliona euro. Pse ndodh? Për shkak se janë martuar me partnere të pasur apo vijnë nga familje të pasura? Është ky një sistem për të mbrojtur qytetarët apo të pasurit nga ligji. Nëse unë do të isha e martuar me një partner të pasur do të isha e para që do të mbështesja këtë reformë pasi do të doja që pasuria ime të ishte e ligjshme. Procedura e kontrollit është mu në zemër të kësaj reforme. Llogaridhënia duhet të jetë parimi kryesor”, u shpreh Vlahutin.
Në fund, përfaqësuesja e BE-së foli dhe për kulturën e personave të paprekshëm në Shqipëri, duke thënë se kjo duhet të marrë fund pasi reforma në drejtësi është një kush i panegociueshëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Vlahutin tha se duhet të ketë hetime dhe dënime në të gjitha nivelet.
“Ju të gjithë jeni të ndërgjegjshëm se nëse Shqipëria dëshiron që një ditë të jetë pjesë e BE-së reforma në drejtësi është një kush i panegociueshëm. Hetime serioze, hetime të rënda dhe dënime në të gjitha nivelet e mundshme. 25 vjet më përpara ju e fituar sërish lirin individuale për të thënë atë që mendonit. Nuk e fituat lirin që të robëroheshit. Nuk ka asnjë person të paprekshëm, ata mbështeten tek kultura e pandëshkueshmërisë”, përfundoi Vlahutin.
Ambasadori francez në vendin tonë, Bernard Fitoussi deklaroi sot se qeveria shqiptare duhet të marrë masa për luftën ndaj korrupsionit. Ambasadori Fitoussi teksa u ndal tek ndryshime kushtetuese theksoi se emërimet në drejtësi duhet të jenë transparente.
Nga ana tjetër ambasadori lëshoi një mesazh të qartë, ndërsa pohoi se në këtë proces duhet të bëhet dallim se cilët janë gjyqtarët e korruptuar.
“Lufta ndaj korrupsionit ka shumë rëndësi. Puna mund të bëhet në afatshkurtër, qeveria të marrë masa. Emërimet në drejtësi duhet të jenë transparente. Të bëhet dallimi cilët janë gjyqtarët e korruptuar”, tha ambasadori Fitousi.
Sigal