Reforma në drejtësi/ Rauning: Gjithëpërfshirje dhe transparencë

410
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig vlerësoi procesin e konsultimit publik për reformën në drejtësi të nisur sot në Shkodër, ndërsa theksoi rëndësinë që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.
Duke theksuar se përfshirja e publikut në këtë reformë ndihmon në orientimin e politikave drejt interesit publik, Ambasadori i OSBE-së, theksoi se “pronarët e vërtetë të kësaj reforme ligjore janë shqiptarët, institucionet demokratike të vendit dhe qytetarët”, dhe se ‘përpjekjet për të zhvilluar sistemin e drejtësisë të së ardhmes duhet të kenë autorësi vërtet kombëtare”
Qëllimi i takimit të sotëm mbajtur në mjediset e Universitetit “Luigj Gurakuqi, ishte prezantimi i kapitujve kryesorë të Dokumentit Analitik për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, si marrja e mendimeve dhe sugjerimeve konkrete nga të interesuarit dhe pasqyrimi më pas i tyre në paketën e propozimeve për reformën ligjore.
Një javë me pare në Tiranë, në prezencën e mbi 200 të ftuarve, u prezantua dokumenti “Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri -2015”. Ky dokument analitik është një përshkrim tërësor i mënyrës së organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe i rezultateve që ka dhënë sistemi që nga viti 1998 (vit kur u hodhën themelet e sistemit në Kushtetutë).
Ky përshkrim përfshin të gjithë komponentët, duke filluar nga organizimi i gjykatave dhe i prokurorisë, detyrat e tyre, mënyra sesi “qeveriset” gjyqësori dhe prokuroria, statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, mënyra e administrimit të shërbimeve gjyqësore dhe prokuroriale, financimi i sistemit, shërbimet e lira (avokati, noteri etj), si dhe zbatimi i vendimeve të gjykatave.
Dokumenti Analitik u hartua nga një grup ekspertësh, vendas dhe të huaj, të angazhuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, ekspertë të atashuar nga institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë dhe një Sekretariat i Posaçëm Teknik.
E konsideruar si një nga reformat më të rëndësishme që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, ajo ka marrë vëmendjen e lartë të faktorit ndërkombëtar, i cili ka shprehur mbështetjen e plotë për realizimin e saj, përmes ofrimit të asistencës teknike
Sigal