Reforma në drejtësi, PS-LSI apel opozitës: Të mos humbim më kohë

507
Ka zgjatur rreth 90 minuta takimi mes koalicionit qeverisës, ku kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre kanë diskutuar para së gjithash për reformën në drejtësi. Në një dalje për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, tha se nuk është nevoja që me “takticizma politike” të shtyhet miratimi i reformës në drejtësi: “Nuk kemi kohë dhe luks për të humbur për reformën në drejtësi. Të dëgjojmë çfarë thotë opozita, të këshillohemi me misionet e Euralius dhe Opdat, pastaj ta miratojmë pa vepruar me takticizëm politik. Ne e ftojmë që në rrugën tonë të ecë dhe opozita që të japë një produkt sa më të mirë në këtë çështje”
Deklarata e plotë e kreut të Grupit Parlamentar të LSI
Besoj se nuk duhet ta zbehim fokusin e takimit të sotëm për asnjë ngjarje tjetër të ditës, sepse përpara kemi një reformë madhore, siç është reforma në drejtësi dhe një reformë tjetër në proces, siç është ajo zgjedhore.Bashkëndamë sigurisht në mënyrë të plotë një vizion të njëjtë edhe për qasjen ndaj reformës në drejtësi, që hyn në një moment do të thosha përfundimtar, pasi nuk kemi luksin të humbasin kohë më tej me momente të shkuara.
Qëndrimi i mazhorancës është të jemi aty që kjo reformë të mbyllet sa më parë. 
Së dyti të dëgjojmë pa paragjykime se çfarë thotë opozita dhe sigurisht të reflektojmë ato që ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it do të gjejnë me vend, pasi ata i kemi pranuar të gjithë së bashku si gjykuesit më të mirë.Dhe pas kësaj të mos humbasim më kohë tjetër as me takticizëm politik të opozitës dhe as me veprime të tjera, pasi produkti final që shqiptarët presin, por edhe hapat e mëtejshëm të integrimit na kushtëzojnë, është pikërisht miratimi i kësaj reforme. Sa i takon çështjes tjetër të reformës zgjedhore, besoj që këtu rruga është më e shtruar, është shumë më ndryshe, pasi kemi shumë çështje të qarta. Kemi edhe një rrugë të shtruar nga OSBE-ODHIR-i dhe besoj se ecja në këtë rrugë sa i takon mazhorancës është e qartë. Ne ftojmë që në këtë rrugë të eci edhe opozita pa paragjykime të ndërsjellta në mënyrë që të japim një produkt sa më të mirë për këtë çështje.
Sigal