Reforma në drejtësi, Opozita takon Eichhorst: Duhet konsensus mes palëve

56
Ekspertët e opozitës për reformën në drejtësi dhe zyrtarë të tjerë të PD janë takuar me drejtoren për Ballkanin në Shërbimin e Jashtëm Europian, Angelina Eichhorst.
Zyra e shtypit të PD, sqaron kontributin që opozita ka dhënë për një reforme konsensuale dhe rreziku që ekziston për kapjen nga politike e sistemit të drejtësisë.
“Eduard Halimi e informoi zyrtaren e Bashkimit Europian mbi qëndrimin dhe vullnetin e Partisë Demoraktike, për të kontribuar në realizimin e një Reformë reale në sitemin e drejtësisë, bazuar në standardet e Komisionit të Venecias, duke e konsideruar këtë reformë si jetike për vendin, në funksion të ndërtimit të një sistemi drejtësie me mekanizma të qëndrueshëm që të luftojë korrupsionin, por nga ana tjetër që garantojnë pavarsinë e sistemit nga politika”, thuhet në njoftimin e PD.
Më tej thuhet se “Halimi ndau shqetësimin me znj. Eichhorst mbi veprimet e mazhorancës për të përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me opozitën në realizimin e kësaj reforme, si dhe rrezikun evident që ekziston për kapjen politike të sistemit të drejtësisë nëpërmjet amendamenteve kushtetuese të propozuara nga mazhoranca.”
Po ashtu “Halimi u shpreh se pas daljes së Opinionit Paraprak të Komisionit të Venecias, Partia Demokratike kërkoi që të bëhej një draft i përbashkët bazuar në standardet e Venecias dhe se vullneti i mirë do tregohej në rast se do respektoheshin sërish të gjitha rakomandimet e Venecias. Mirëpo, kjo ishte e pamundur, për shkak se përsëri mazhoranca ndërtoi një proces të njëanshëm dhe dërgoi për mendim final në Komisionin e Venecias një draft të njëanshëm, që shmang rekomandimet e Venecias.”
Nga ana e saj Eichhorst e konsideroi realizimin e Reformës në Drejtësi si një nga prioritetet kyçe për ecurinë e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe shprehu gadishmërinë për të ndihmuar në këtë proces. Ajo ndau të njëjtin mendim se palët duhet të bashkëpunojnë në mënyrë të sinqertë në realizimin e këtij procesi, sipas të njëjtin model te aplikuar gjate procesit të miratimit te akteve ligjore dhe kushtetuese për dekriminalizimin.