Reforma në drejtësi, nis konsultimi publik i paketës së ndryshimeve kushtetuese

446
Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, do të zhvillohet prezantimi dhe konsultimi publik i paketës së ndryshimeve kushtetuese, i përqendruar në katër tryeza qendrore, që do të zhvillohen në Tiranë, gjashtë tryeza rajonale me përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupet e interesit, si dhe nëntë tryeza në tryeza në qendra universitare, ku do të zhvillohen bashkëbisedime me pedagogë dhe studentë të Fakulteteve të Drejtësisë. Në këtë fazë, përgjatë muajit nëntor dhe dhjetor, konsultimi publik synon përthithjen e mendimeve dhe të sugjerimeve nga aktorë të sistemit të drejtësisë, profesionistë të fushës, nga përfaqësues të botës akademike, të grupeve të interesit, etj.

Mendimet dhe sugjerimet e dhëna do të merren në shqyrtim nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë vendas e të huaj dhe në vlerësimin e tyre, do të reflektohen në dokumentin për ndryshimet kushtetuese. Parimet e gjithëpërfshirjes, transparencës dhe profesionalizmit do të vazhdojnë të udhëheqin zhvillimin e këtij procesi, me qëllim për të përmbushur objektivat dhe pritshmërinë e lartë të publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë ndaj kësaj reforme. Në kuadër të konsultimeve për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, zyra e shtypit e Kuvendit njofton se ditën e premte, më datë 13 nëntor ora 15:00 në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, do të zhvillohet Konsultimi publik për “Pushtetin Gjyqësor”. Pjesëmarrës në këtë takim janë gjyqtarë, grupet e interesit, avokatë, pedagogë të së drejtës të universiteteve publike dhe private, shoqëri civile, institucione të fushës, grupet parlamentare, etj.
Sigal