Reforma në drejtësi në të njëjtën linjë me Spanjën, Naço: Do asistojë

503
Sigal

SPANJE – Reforma që Shqipëria do të ndjekë në sistemin e drejtësisë do të ketë bashkëpunimin dhe asistencën e qeverisë spanjole. Këtë garanci mori ministri i Drejtësisë Nasip Naço në takimin që mbajti me homologun spanjoll. Ministri Rafael Catala u shpreh se vendosja e këtij bashkëpunimi lehtësohet ndjeshëm nga fakti që reformat e Shqipërisë në sistemin e drejtësisë janë në të njëjtën linjë me nismat ligjore dhe principet që Qeveria Spanjolle po realizon. Ministri Naço vlerësoi ndihmën e dhënë dhe shprehu vullnetin e Qeverisë Shqiptare për të marrë nga Spanja eksperiencën më të mirë në lidhje me reformën në sistemin e drejtësisë.
 
Gjatë takimit të homologëve u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me Qeverinë Spanjolle dhe qasja e njëjtë e të dy qeverive në luftën kundër korrupsionit, terrorizmit dhe narkotrafikut.
 
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço zhvilloi vizitën zyrtare në Spanjë në kuadër të intensifikimit dhe thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët në sistemin e drejtësisë mes dy vendeve. 

Ministri Naço është takuar gjithashtu me Presidentin e Këshillit të Përgjithshëm të Pushtetit Gjyqësor, institucion ky homolog me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjatë këtij takimi u fol për reformat në këtë sektor ndërsa ministri evidentoi vullnetin e mirë qeveritar për reformimin e institucioneve të drejtësisë.