Reforma në Drejtësi, Meta kërkon takim me Bashën

512
Duke qenë i ndërgjegjshëm që pyetjen e parë do ta bënit për kalendarin mund t’ju them se kjo çështje është sqaruar edhe me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, z. Paloka dhe ka qenë një keqkuptim i Shërbimeve të Kuvendit. Dhe kjo çështje nuk është në Kalendarin e Kuvendit.
Ndërkohë që Reforma në Drejtësi është çështja më e rëndësishme për të gjithë. Dhe me këtë rast dëshiroj t’ju bëjë të ditur, juve edhe opinionit publik, që është shumë i interesuar për mbarëvajtjen dhe konkludimin me sukses të Reformës në Drejtësi se, si Kryetar i Kuvendit i kam dërguar sot një ftesë dhe kërkesë zyrtare Kryetrarit të PD-së z. Lulzim Basha për tu takuar me të në çdo kohë, në çdo vend që ai e çmon të arsyeshme dhe në çfarë do lloj formati që ai e gjykon të arsyeshme, por mundësisht deri ditën e hënë.
Pasi jam i bindur se jemi tashmë të vonuar me kalendarin e reformës për ndryshimet Kushtetuese të Reformës në Drejtësi, e cila nuk është përfshirë deri tani për arsye të mos arritjes së kompromisit përfundimtar në Komisionin e Posaçëm të kësaj reforme.
Por, ndërkohë jemi në një krizë me kohën dhe duhet të reflektojmë dhe të lëvizim sa më shpejt në mënyrë që ky proces të zhvillohet me cilësinë e duhur sipas standardeve të Komisionit të Venecias, por edhe sipas sugjerimeve të EURALIUS-it dhe OPDAT-it dhe jo vetëm kaq, por përveç cilësisë së kërkuar ky proces të gëzojë të gjithë legjitimitetin dhe integritetin e plotë që meriton si krye reforma që i nevojitet vendit.
Jemi në krizë kohe, sepse duhet të ishte përfshirë me kohë në Kalendarin e Kuvendit. Unë besoj që me vullnetin e të gjithë palëve dhe në radhë të parë të opozitës këtë gjë ta bëjmë sa më pare dhe të fitojmë kohën që kemi humbur sepse miratimi i kësaj reforme në Kuvendin e Shqipërisë me cilësinë e duhur, por edhe me legjitimitetin dhe integritetin e duhur është shumë i rëndësishëm për të rritur besueshmërinë e vendit, në mënyrë që të forcojmë argumentet e duhur për të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Njëkohësisht, theksoj se është tejet e rëndësishme që reforma të miratohet sa më parë për të bërë sa më shpejt efektive ndihmën dhe asistencën ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë atë të Shteteve të Bashkuara, për të krijuar dhe fuqizuar institucionet e reja që përfshin kjo reformë dhe që janë mjaft të rëndësishme dhe vendimtare për forcimin e ligjit dhe suksesit e reformës, siç është Byroja Kombëtare e Hetimit apo zyra e Prokurorit Special për Luftën Kundër Korrupsionit.
Pyetje nga gazetarët 
A ka ndryshuar qëndrimi i LSI –së përsa i përket nevojës së Reformës në Drejtësi që të miratohej me konsensus dhe nëse po a mund të na i shpjegoni përse ky ndryshim? 

Dhe si i vlerësoni deklaratat e fundit që Kryeministri Rama, por edhe Ministri i Brendshëm ka shprehur ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve?
Sot jam këtu ekskluzivisht në cilësinë time si Kryetar i Kuvendit. Kam përgjegjësitë e mia në respekt edhe të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit, për të garantuar integritetin e këtij procesi në Parlament deri në miratimin e tij përfundimtar.

Sa i takon pyetjes së dytë, në këtë rast më duhet të them që për fat të mirë nuk kam qenë këtu dhe nuk do të dëshiroja të dëgjoja shkëmbime akuzash në të ardhmen midis përfaqësuesve të institucioneve.

Ne jemi një vend demokratik, synojmë të forcojmë shtetin e së drejtës dhe një nga parimet bazë është ai i balancës dhe pavarësisë së institucioneve dhe çdo institucion duhet të jetë shembull i respektimi të ligjit prej vetes në radhë të parë dhe të kërkojë këtë edhe nga institucionet e tjera. Çdo institucion duhet të jetë shembull i bashkëpunimit për zbatimin e ligjit.

Z. Meta, pak ditë më parë ju ishit në Washington DC dhe u pritët në Departamentin e Shtetit nga Ndihmës Sekretari i Shtetit, Ambasador William Brownfield. Siç kemi mësuar keni folur edhe për reformën në drejtësi. A mund të na zbuloni ndonjë mesazh tjetër nga ky takim në lidhje me këtë proces?

Pata kënaqësinë dhe përgjegjësinë që në Washington të pritem nga Ndihmës Sekretari i Shtetit, Ambasador William Brownfield, Byroja të cilën ai drejton është përgjegjëse për mbështetjen e programeve të SHBA-ve dhe të Departamentit të Shtetit për agjencitë e zbatimit të ligjit.
Në rastin konkret, edhe për mbështetjen e SHBA-ve për reformën në drejtësi, si dhe në fusha të tjera që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit, kundër korrupsionit, terrorizmit, trafikut të drogës dhe kontrollit të kufijve, pra gjithçka që ka të bëjë me agjencitë e zbatimit të ligjit.
Mesazhi i tij për mua si Kryetari i Kuvendit ka qenë shumë i qartë, duke më siguruar për mbështetjen e plotë të SHBA-ve për vendin tonë, për Kuvendin e Shqipërisë dhe gjithë institucionet tona për zbatimin me sukses të kësaj reforme.

Kërkesa e tij ka qenë e qartë, për të bërë çdo përpjekje që kjo reformë të përmbyllet sa më shpejt në mënyrë që edhe mbështetja e SHBA-ve sa më shpejt të fillojë të bëhet efektive.

Z. Meta, dje në parlament, Kryeministri Rama ka deklaruar se mazhoranca do ta kalojë e vetme reformën, madje duke gjetur edhe vota në Parlament për të plotësuar kuorumin e nevojshëm për ta miratuar paketën e ndryshimeve kushtetuese në mungesë të vullnetit të opozitës. Ju si e vlerësoni këtë deklaratë?

Si Kryetar i Kuvendit, dhe e theksova edhe më parë se jam këtu ekskluzivisht në këtë cilësi dhe më duhet të mos paragjykoj asnjë aktor dhe faktor, përfshirë edhe opozitën. Kjo është edhe arsyeja përse e kam kërkuar këtë takim me z. Basha, si kryetar i opozitës. Pra takim në nivelin më të lartë me opozitën, sepse është forca kryesore opozitare në Kuvendin tonë dhe nuk më lejohet të paraqes asnjë paragjykim dhe të nxitohem pa u zhvilluar ky takim. Opozita është shprehur se është për reformën në drejtësi dhe ka qenë e përfshirë në procesin e reformës në drejtësi. Opozita i është drejtuar dy herë Komisionit të Venecias dhe ka marrë dy herë edhe ajo, si edhe aktorët e tjerë që i janë drejtuar këtij komisioni, përgjigje për pyetjet, për shqetësimet, për standardet e elementeve të caktuara të reformës.

Opozita ka qenë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të reformës në drejtësi edhe pse me vonesë, në bashkëpunim dhe diskutim të vazhdueshëm me EURALIUS dhe me OPDAT-in. Si Kryetar i Kuvendit, unë nuk kam asnjë të drejtë që të paragjykoj qëndrimin e tyre, por duke qenë se jemi në presionin e kohës për të mos e përsëritur që jemi në krizë në raport me kohën për shkak të axhendës europiane të Shqipërisë, jam i angazhuar për të përfshirë plotësisht opozitën në një proces tërësisht transparent me integritet dhe gjithmonë me cilësinë e duhur dhe të kërkuar.

Takimi mes jush dhe z. Basha do të jetë kokë më kokë apo do të ketë edhe përfaqësues të tjerë në tryezë bashkë me ju?

Takimi midis meje dhe z. Basha është kërkuar nga ana ime si një takim zyrtar që do të thotë se nuk është një takim informal, dhe e nënvizoj edhe një herë tjetër, jam shumë fleksibël për gjithçka që ka të bëjë me vendin e takimit, që ka të bëjë me formatin e takimit dhe me çdo element tjetër, por nuk jam shumë fleksibël te koha. Pra, jam fleksibël për t’u takuar në çdo moment duke filluar nga tani e në çdo kohë, por mundësisht deri të hënën. Sepse, përndryshe mund të komprometojmë procedurat parlamentare dhe integritetin e Kuvendit. Sepse kemi një Kushtetutë mbi të cilën funksionon Kuvendi dhe për më tepër kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese. Kemi edhe një Rregullore të miratuar me konsensus.

Takimi do të jetë zyrtar, edhe qëndrimi im pas takimit do të jetë zyrtar. Shpresoj që të jetë një takim i dobishëm ashtu sikurse jam i hapur dhe këtë e kam theksuar prej kohësh, për çdo takim të të gjithë aktorëve të përfshirë prej kohësh në këtë proces, për të verifikuar përfundimisht qëndrimin e secilit dhe për t’i dhënë një zgjidhje me cilësi, integritet dhe legjitimitet kësaj reforme që kërkojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, që e kërkon edhe e ardhmja europiane e Shqipërisë.

Z. Meta, po ju çfarë do t’i ofronit më shumë se sa Rama kreut të opozitës?

Besoj se qëllimi i ftesës është shumë i qartë. Vullneti është maksimal. Takimi i zhvilluar midis z. Rama dhe z. Basha mendoj se ka qenë një hap pozitiv. Ka qenë një takim shumë i vonuar dhe një takim që duhet të ndodhte prej kohësh, sepse edhe reforma mendoj se mund të kishte kaluar më parë, të paktën brenda muajit prill.

Por sidoqoftë mendoj se është një hap pozitiv. Natyrisht që jo çdo gjë mund të zgjidhet në një takim, por unë jam i bindur se nëse ekziston vullneti i plotë dhe i vërtetë dhe nuk kam përse ta dyshoj këtë si Kryetar i Kuvendit ende, gjithçka mund të zgjidhet shumë shpejt duke garantuar cilësinë e reformës, sipas standardeve të Venecias, sipas gjithashtu Opinioneve të EURALIUS dhe të OPDAT- për çështje të caktuara dhe natyrisht t’u japim edhe një lajm të mirë të gjithë qytetarëve shqiptarëve. Njëkohësisht, t’u japim edhe një mesazh të fortë të gjithë miqve dhe mbështetësve të Shqipërisë në Bruksel.

A do të keni edhe ju një përfaqësues nga Partia Socialiste në këtë takim , ndoshta z. Xhafaj që drejton edhe Komisionin e Posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi?

Unë jam i hapur për çdo zgjidhje dhe format që zgjedh z. Basha. Jam shumë fleksibël , jam shumë bashkëpunues. Jo vetëm kaq, por jam edhe për një takim si Kryetar i Kuvendit me të gjithë aktorët që janë marrë me reformën në drejtësi deri më tani, jo vetëm me z. Xhafaj, por edhe me z. Bylykbashi që aktualisht përfaqëson opozitën, me z. Basha si kryetar i opozitës dhe z. Paloka si kryetar i grupit parlamentar, me z. Rama si kryetar i Partisë Socialiste, si forca kryesore parlamentare dhe me z. Ruçi si kryetar i grupit parlamentar, me përfaqësuesit e EURALIUS dhe të OPDAT-it, me përfaqësuesit politik të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara, si dhe të gjithë parterët që janë të interesuar që kjo reformë të përmbyllet me cilësi, me legjitimitet dhe me integritet.
Në parim, si Kryetar i Kuvendit, a mendoni se një reformë e miratuar me vota të peshkuara edhe nga opozita do të kishte integritetin e nevojshëm? Ju kujtoj se opozita një skenar të tillë e ka cilësuar të turpshëm, jo vetëm për Kuvendin, por edhe për politikën në tërësi.
Unë kam vullnetin maksimal dhe do të jem i palodhur deri në sekondën e fundit për të garantuar në Kuvendin e Shqipërisë mbarëvajtjen e reformës kushtetuese që garanton reformën në drejtësi, që ajo të ketë cilësinë e duhur, por të ketë edhe legjitimitetin dhe integritetin e duhur. Për këtë duhet bashkëpunim dhe përgjegjësi nga të gjithë dhe shpresoj gjithashtu edhe nga opozita.

Çfarë do t’i ofronit z. Basha më shumë se çfarë mund t’i ketë ofruar z. Rama?

E theksova edhe njëherë tjetër që në këtë takim, unë do të jem ekskluzivisht në pozicionim tim si Kryetar i Kuvendit, i cili ka përgjegjësi për mbarëvajtjen e këtij procesi në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo që do të theksoja është vullneti për transparencë maksimale dhe vullnet maksimal për cilësinë e duhur të reformës dhe integritetin parlamentar të gjithë këtij procesi. Faleminderit dhe suksese për nesër!
Sigal