Reforma në drejtësi/ Komisioni nis diskutimet, mungon opozita

439
Një javë pas miratimit të projektit të amendimeve kushtetuese, komisioni i posaçëm, është mbledhur paraditen e së hënës, pa praninë e opozitës, për të disktuar paketën e projektligjeve, në kuadër të reformës në drejtësi. Në komision janë të pranishëm edhe ekspertët vendas dhe ata ndërkombëtarë, të cilët prej disa javësh kanë zhvilluar konsultime të gjera me grupet e interesit. Kjo paketë, e emërtuar ndryshe ‘paketa e emergjencës’, parashikon ndërhyrje në 7 ligje, të cilat parashikohet të miratohen bashkë me ndryshimet kushtetuese.
Disa prej këtyre ligjeve janë ai për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; ligji për organizimin e gjyqësorit dhe prokurorisë; si dhe ligji që përcakton funksionin e prokurorisë së posaçme dhe njësisë së hetimit të zyrtarëve të lartë.
Pas miratimit me 14 qershor, vetëm me votat e maxhorancës, të draftit kushtetues, të premten 33 deputetë të shumicës depozituan nismën për ndryshimin e Kushtetutës, duke kërkuar t’i hapet rruga miratimit të projektit në seancë plenare.
Pas shumë përpjekjesh për arritjen e një marrëveshje mes palëve për miratimin me konsensus të kësaj reforme, respektimi i rekomandimit 33 të Opinionit final të Komisionit të Venecias vazhdon të mbetet pika që pengon dakortësinë nga ana e Partisë Demokratike.
Me qëndrimet e saj opozita ka dëshmuar se nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për ‘vendet e rezervuara’ në komisionet e kontrollit të gjyqtarëve. Kryeministri Rama nga ana e tij është shprehur se partitë politike duhet t’i mbajnë duart jashtë nga emërimet në drejtësi. Kjo, sipas tij, është një vijë të kuqe, pasi nuk mund të pranohet që partitë të kenë ‘vende të rezervuara’ veçanërisht në procesin e vetingut. /
Sigal