Reforma në Drejtësi, KLD grup pune për ecurinë e procesit dhe problematikat

61
Procesi i reformës në drejtësi ka qenë objekt kryesor i diskutimit dhe marrjes dhe dhënies së mendimeve në mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, drejtuar nga Presidenti Ilir Meta. Mësohet se Drejtuesja e Komisionit të Vettingut Genta Bungo i kërkon Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorisë që t’i përcjellë brenda 15 ditësh vlerësimin profesional për gjyqtarët dhe prokurorët. Bëhet e ditur se shkresa është dërguar në mënyrë elektronike në adresë të prokurorisë dhe KLD-së . Mënyra e zgjedhur për t`ia përcjellë këtë kërkesë ka qenë edhe një nga pikat që është diskutuar në mbledhjen e kësaj të premteje në Këshillin e Lartë i Drejtësisë, e dyta nën drejtimin e Presidentit Ilir Meta. Nisur nga kjo kërkesë Këshilli krijoi edhe grupin e punës, i cili do të bashkëpunojë me komisionin e pavarur të kualifikimit në mënyrë që çdo procedurë të bëhet brenda kuadrit ligjor në fuqi. Anëtarët përfaqësues të KLD në këtë grup pune janë Vangjel Kosta, Gerd Hoxha, Neritan Cena si dhe përfaqësues të ministrisë së drejtësisë. Ky grup krijohet pak ditë pasi anëtarët e KLD dhe stafi i komisionit të kualifikimit kanë pasur një takim informal mes tyre ku është diskutuar për mënyrën se si do të procedohet me vlerësimin e gjyqtarëve. Mbledhja nisi me diskutimin formal të informacionit të paraqitur në Këshill, në lidhje me takimin e zhvilluar nga Kryeinspektori dhe Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së, me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Pasi u analizua informacioni, anëtarët shprehën një zëri vullnetin e KLD-së, për të bashkëpunuar më të gjithë Institucionet shqiptare dhe Institucionet partnere ndërkombëtare, që kanë asistuar në procesin e Reformës në Drejtësi, për të çuar përpara procesin. Gjithashtu, në emër të Këshillit, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, theksoi se KLD dhe Inspektorati i saj do të përmbushin të gjitha detyrimet që do i ngarkohen nga ky proces. Për të rakorduar qëndrimet më institucionet që merren me procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, përfshi edhe miratimin e akteve të përbashkëta, KLD vendosi të ngrejë një grup pune prej 4 anëtarësh, të cilët do rakordojnë dhe bashkëpunojnë në mënyrë të përhershme lidhur me ecurinë e procesit dhe problematikat. Bazuar në rendin e ditës mbledhja vijoi me shqyrtimin e projekt-akteve përfundimtare të vlerësimit, të përgatitura nga Kryeinspektori i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Në përfundim të këtij shqyrtimi, si dhe pas vlerësimit të ankimeve përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 15 gjyqtarë. Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.