Reforma në Drejtësi, ja sa do jetë paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve

672
Paralelisht me diskutimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese në kuadër të Reformës në Drejtësi ka nisur edhe diskutimi i paketës së projektligjeve që duhet të miratohen për ta bërë këtë reformë funksionale. Për këtë qëllim, dje u zhvillua tryeza e parë konsultative me temë “Paketa e Projektligjeve për mirëqeverisjen, organizimin e gjyqësorit dhe statusin e magjistratit”.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte konsultimi i tri projektligjeve të shtyllës së gjyqësorit, të Reformës në Drejtësi, të projektligjeve “Për Organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH”, dhe “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të RSH” me aktorët kryesorë të sistemit. Pas prezantimit, sugjerime dhe komente nga gjyqtarët dhe prokurorët dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë u bënë lidhur me hartën gjyqësore që propozohet, pagat dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve dhe prokurorëve, zgjedhja e anëtarëve të organeve kolegjiale të sistemit të drejtësisë, buxheti gjyqësor, pozicioni i ministrit të Drejtësisë etj.
Sa u përket pagave, projektligji “Mbi statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” përcakton një formulë të re, mbi të cilën do përllogaritet ajo.
Paga e magjistratit caktohet sipas përkatësisë së magjistratit në grupin dhe nivelin e pagës.
Paga e magjistratit ndahet sipas grupeve të pagave (G), bazuar në këta tregues: a) Magjistrat që ushtron funksionin në gjykatat ose prokuroritë e shkallës së parë (G1); b) Magjistrat që ushtron funksionin në gjykatën ose prokurorinë e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (G2); c) Magjistrat që ushtron funksionin në gjykatën ose prokurorinë e shkallës së dytë (apelit), (G3); ç) Magjistrat që ushtron funksionin në Gjykatën e shkallës së dytë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Zyrën e Posaçme të Prokurorisë (G4); d) Magjistrat që ushtron funksionin në shkallët më të larta të gjykatave dhe prokurorive (G5). Shtesa për vjetërsi (S) në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2% e pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, e cila realizohet në nivelin e pagës me një shtesë prej 4% në fillim të vitit të tretë, 4% të tjera në fillim të vitit të pestë të ushtrimit të funksionit, dhe më pas 8% për çdo 4 vjet të plota të ushtrimit të funksionit.
Paga mujore e magjistratit është shuma që rezulton nga: a) Paga mujore referuese për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është mesatarja e “pagës mujore bazë të punonjësve të shërbimit civil në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm (I a) dhe pozicionit të Drejtorit të Përgjithshëm (II a)”, sipas përcaktimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave, b) Shtesa për pagën në grup [G% x (I-a + II a)/2], dhe c) Shtesa për vjetërsi (S) e llogaritur mbi bazën e pagës referuese [S% x (I a + II a)/2] sipas pikës 3 dhe 4 të këtij neni. Shtesa për grupin e pagës është shuma, e cila rezulton nga shumëzimi i pagës referuese me koeficientin në përqindje sipas funksionit që magjistrati ushtron, përkatësisht: a) G1: 150%, b) G2: 155%, c) G3: 158%, d) G4: 163%, e) G5: 166%. Ndërkohë që gjyqtarët dhe prokurorët përfitojnë edhe një sërë favoresh të tjera, duke filluar nga financimi i shkollës për fëmijët e tyre, financimi i kurseve, financimi i plotë i kredisë për shtëpi në qendër të qytetit etj.
Sigal