Reforma në drejtësi, ja ndryshimet përfundimtare

401
Pas rinisjes së negociatave për reformën në drejtësi janë shtuar shanset që palët të dalin me një draft të përbashkët. Pas ripërpilimit të draftit, sot do të mblidhet Komisioni i Posaçëm për ta miratuar nen për nen dhe në tërësi. Drafti që do të hidhet për diskutim dhe më pas do të miratohet nga anëtarët e Komisionit, ka reflektuar kërkesat e opozitës për mospërfshirjen e Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë Administrative. Ndërsa është parashikuar që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Dhoma Speciale e Kualifikimit, të zgjidhet pas një përzgjedhjeje që do të bëjnë ekspertët ndërkombëtarë dhe Avokati i Popullit, dhe kandidaturat e propozuara votohen me 3/5 në Kuvend. Në draftin e propozuar, siç është thënë edhe më herët, parashikohet ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga rradhët e juristëve jo gjyqtarë.
Propozimet
Në draftin e zbardhur, bien në sy formulat mbi të cilat PD, PS e LSI po negociojnë për emërimet e njerëzve në institucionet e reja të drejtësisë. Lufta e madhe bëhet për 5 anëtarët jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë. Një variant është ai që emrat të përzgjidhen nga organet e pavarura dhe të filtrohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, një organ i ri ky që krijohet. Në këtë mënyrë Parlamenti detyrohet të bëjë një përzgjedhje mes kandidatëve më të kualifikuar dhe jo të emëruarve politikë. Formula tjetër i jep të drejtën çdo deputeti të votojë vetëm për një nga pesë kandidatët e këtyre institucioneve. Opozita, duke përqendruar votat në zgjedhjen e një ose dy kandidatëve, siguron përfaqësimin në to. Ndërsa shumica do të mbështesë tre kandidatët që mbeten. Formula e fundit ka të bëjë me krijimin e dy listave alternative të kandidatëve, një nga koalicioni qeverisës dhe një tjetër nga opozita.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të rendisë kandidatët dhe do t’i dërgojë të dyja listat në Parlament, i cili më pas do të zgjedhë tre kandidatë nga “lista e shumicës” dhe dy nga “lista e opozitës”, në të dyja rastet me shumicën e cilësuar me 3/5-at. Në draftin që do të miratohet në komisionin e reformës në drejtësi, ku janë bërë reduktime të dukshme të propozimeve të PD-së, PS-së dhe ekspertëve të huaj të miratuara gjatë shqyrtimit nen për nen. Po ashtu janë pranuar kërkesat e PD-së për të hequr Gjykatën e Lartë Administrative dhe Tribunalin Gjyqësor. Ndërsa është reduktuar dukshëm neni për Byronë Kombëtare të Hetimit, ose siç njihet ndryshe Njësia e Posaçme anti-korrupsion nën varësinë e Prokurorisë së Posaçme. Kompetencat e kësaj Prokurorie, detajet e strukturës dhe zgjedhja e saj do të përcaktohen në ligjin e Prokurorisë. Po ashtu është hequr nga paketa e ndryshimeve kushtetuese kriteri ndalues për mospasjen e një dënimi penal për funksionarët në sistemin e drejtësisë. Drafti përfundimtar i reformës në drejtësi, me ndryshime, do të dorëzohet nesër në komisionin e posaçëm parlamentar, ku edhe pritet të miratohet në tërësi.
Ndryshimet
“Anëtari jo gjyqtar zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mbi bazën e propozimeve nga radhët e avokatëve, një anëtar, nga radhët e noterëve, një anëtar, nga trupa e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar, nga trupa e pedagogëve jo gjyqtarë ose prokurorë të Shkollës së Magjistraturës, një anëtar, dhe nga shoqëria civile, një anëtar. Për çdo vend vakant organet propozuese i paraqesin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi pesë kandidatë të përzgjedhur, sipas një procedure transparente dhe publike. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon Kuvendit”, thuhet në pikën 4 të nenit 33 të Draftit, i cili parashikon ndryshimin e Nenit 147 të Kushtetutës. Sipas parashikimeve, Kuvendi voto veçmas për secilin grup kandidatësh. “Kur në votimin e parë nuk arrihet shumica prej tre të pestave, Kuvendi voton përsëri brenda 7 ditëve.
Në rast se shumica prej tre të pestash nuk arrihet as në votimin e dytë, kandidatët e renditur të parët për secilin grup konsiderohen të emëruar”, thuhet në nenin 5. Në nenin pasardhës, thuhet se kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë, ndërsa mandati i tij do të jetë prej pesë vjetësh pa të drejtë rizgjedhjeje. Në nenin 24 të draftit, parashikohen funksionet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilat janë si më poshtë, siç është emërimi, vlerësimi, ngritja në detyrë dhe transferimi i gjyqtarëve në të gjitha nivelet. Ndryshe nga propozimet e mëhershme, në draftin përfundimtar hiqet shprehja “duke përfshirë gjyqtarët e gjykatave të posaçme, përveç kur parashikohet ndryshe në Nenin 179/b. Kjo kompetencë nuk ushtrohet për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”. Ky Këshill administron të gjithë sistemin gjyqësor duke nisur nga buxheti e deri tek rregullat etike të gjyqtarëve.
Sigal