Reforma në drejtësi, Harito: E domosdoshme për zhvillimin e vendit

442
U zhvillua sot në Tiranë takimi i 5-të i Grupit Special për Reformën në Administratën Publike. Reforma në administratën publike ishte objektivi i diskutimeve nw takim, si një nga kriteret kryesore që duhet të plotësoje vendi për marrjen e antarësisë në Bashkimin Europian
Takimi u drejtua bashkërisht, për Shqipërinë nga Milena Harito, Ministre e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe për Komisionin Evropian dhe nga Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.
Në hapjen e takimit Ministrja Harito tha se reforma në Administratën Publike është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare pasi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin dhe antarësimin e vendit në BE.
“Reforma në Administratën Publike është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare, sepse jemi shumë të ndërgjegjshëm që çdo reformë që ndërmarrim, çdo akt që ndërmarrim, çdo vullnet politik, nëse nuk është i mbështetur në një administratë publike të qëndrueshme dhe profesionale është jetëshkurtër. Për zhvillimin e vendit është e domosdoshme që administrata publike të forcohet, të profesionalizohet dhe ashtu si në gjithë vendet e zhvilluara të jetë administrata ajo që garanton vazhdueshmërinë e shtetit dhe profesionalizmin e shtetit,”- tha Harito.
Ministrja Harito më pas ka bërë një rezyme të arritjeve të deritanishme në drejtim të reformës së administratës duke u ndalur në ndryshimet ligjore, miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Administratës Publike, reformimin më të thellë të ndodhur në Shërbimit Civil, ndryshimin e mënyrë së rekrutimit në këtë Shërbim, vendosjen në punë të Sistemit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, etj.
Ndërsa Matuella tha se reforma e administratës publike është një nga shtyllat kyçe të reformave thelbësore të kërkuara në procesin e anëtarësimit në BE. Për të arritur këto objektiva, reforma ka nevojë për një udhëheqje të fuqishme dhe të kuptuarit se gjithë institucionet publike duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në zbatimin e kësaj reforme.
Përfaqësuesja e Komisionit kujtoi se reforma e administratës publike është një proces shumë kompleks dhe shumë gjithëpërfshirës.
Strategjia e Zgjerimit të BE-së 2014-2015 ka përcaktuar kuadrin për monitorimin e reformës së administratës publike dhe gjashtë fushat thelbësore në këtë aspekt: kuadri strategjik i reformës së administratës publike, hartimi dhe koordinimi i politikave, shërbimi publik dhe menaxhimi i burimeve njerëzore, përgjegjshmëria, ofrimi i shërbimit dhe menaxhimi financiar publik. Të gjitha këto fusha janë njësoj të rëndësishme për të pasur një administratë publike të mirë që arrin objektivat e Qeverisë dhe jep rezultate për qytetarët.
Pjesëmarrësit diskutuan progresin e arritur nga Shqipëria në gjashtë fushat thelbësore. Komisioni vlerësoi progresin e përgjithshëm të bërë që prej Grupit të fundit Special për Reformën në Administratën Publike në shkurt 2015, si miratimi i Strategjisë së Reformës Publike dhe Kodit të Procedurës Administrative. Njëkohësisht Komisioni nënvizoi fushat ku nevojitet më shumë progres në muajt e ardhshëm, si sigurimi i qëndrueshmërisë financiare për procesin e reformës, zbatimi koherent i Ligjit për Nëpunësin Civil duke siguruar rekrutim transparent, të drejtë dhe të bazuar në merita, sigurimi i një procesi zhvillimi transparent të politikës publike, sigurimi i rritjes së transparencës së buxhetit dhe progresi në zbatimin e strategjisë për parandalimin e pagesave të prapambetura. Takimi tjetër i Grupit Special për Reformën në Administratën Publike do të zhvillohet në shkurt 2016.
Sigal