Reforma në drejtësi dhe ata që do të testojnë gjyqtarët dhe prokurorët

442
Ndërhyrja e politikës në 27 vite me radhë në sistemin e drejtësisë, ka degraduar nivelin profesional. Reforma në udhëkryq ende pa nisur
Ngritja e komisioneve të reja të vettingut është një nga shtyllat kryesore të nisjes së Reformës në drejtësi. Janë pikërisht këto komisione që do të formohen nga kandidatë ardhur nga radhët e pedagogëve dhe magjistratëve. Parë në këndvështrimin fillestarë duket se asgjë nuk është e pamundur, kur bëhet fjalë për emra të njohur pedagogësh që çdo ditë bëjnë që fjalë e tyre të dëgjohet në auditore. Japin mësim në Shkollën e magjistraturës dhe në Fakultetin Juridik. Vlerësojnë student, një pjesë e të cilëve mund të kalojnë për nga njohuritë edhe vet pedagogët. Ditën e djeshme pesë kandidatët për organet e reja të Vettingut u morën në pyetje nga një juri e posaçme. Ndoshta kandidatët nuk ishin përgatitur për pyetjet, të cilat i “kapën mat”. Por ajo që doli ishte e dukshme. Pedagogët e juridikut nuk njihnin ish-kryeprokurorët, ish-avokatin e njohur Kleanthi Koçi, vrarë në vitin 1999 dhe që deri më sot ka mbetur një dosje në errësirë. Nuk njihnin ish-kryeprokurorin Ali Dragoshi. Video e transmetuar të jepte përshtypjen e një komedie. Ishte një situatë qesharake po aq dhe shokuese. Pyetjet u drejtuan nga Përparim Kabo. Pesë anëtarët, kanë aplikuar të jenë pjesë e trupës që do të hetojnë prokurorët dhe gjyqtarët. Reforma në Drejtësi një nga proceset më të përfolura prej më shumë se një viti, duket se ka mbetur në vendnumëro. Personat që janë futur në lista dhe që do të jenë pjesë e organeve të reja të Vettingut, më së shumti janë klane të një force politike. Ndonëse vijnë nga radhët e Universiteteve, ata nuk janë mirëfilli të pavarur. Përzgjedhja e tyre duke se nuk është e rastësishme dhe e pandikuar. E në këto kushte edhe reforma do të bëhet sipas modelit të dirigjuar nga politika. Pavarësisht përpjekjeve për ta konsideruar një proces tërësisht të diktuar dhe menaxhuar nga ndërkombëtarët, politika e brendshme, ka marrë masat që të ketë gjithçka nën kontroll. E kjo do të ndikojë edhe mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të mund të vazhdojnë karrirerën e tyre. Duke qenë se në organet e reja të Vettingut do të jenë pedagogë me një përvojë më të vogël se sa ajo e një gjyqtari në karrierë apo një prokurori, atëherë edhe puna vështirësohet. Por gjithçka mund të lehtësohet, nëse ata përpara do të kenë një listë të parapërgatitur me emrat të cilët nuk duhet të jenë më pjesë e sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë. E njëjta gjë pritet të bëhet edhe me anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjatë muajit tetor pritet që të nisin punë organet e reja të vettingut. Megjithëse tre organet e vettingut do të shqyrtojnë dosjet e 800 njerëzve të drejtësisë, nisja e punës së tyre nuk e kompleton zbatimin e reformës në drejtësi sepse Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë që duhet të drejtojnë sistemin e drejtësisë nuk janë ngritur ende.
Sigal