Reforma në Drejtësi, Berisha takon Lu dhe administratorin e USAID

475
Ish-Kryeministri Sali Berisha u takua sot me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe administratorin e USAID-it për Europën dhe Euroazinë, O’Melia. Në këtë takim u diskutua për reformën në drejtësi, për të cilën Berisha shprehu falënderimet për mbështetjen e ambasadorit Lu dhe të qeverisë amerikane, e cila, theksoi ai, është jetike për vendin dhe progresin e tij drejt BE.
Berisha u shpreh se reforma u shty dhe u ngadalësua shumë pasi Edi Rama, duke i bërë vendit një dëm shumë të madh, refuzoi konsensusin dhe doli me tezën se në Shqipëri nuk është punuar ndonjëherë me konsensus, në një kohë që çdo reformë e madhe në këtë vend, në këto 25 vite, është bërë vetëm me konsensus. Nga ana tjetër, Berisha tha se problemi më kardinal me të cilin sot përballet vendi është krimi, krimi i lidhur me nivelet më të larta të qeverisë, i cili po rrënon çdo ditë reputacionin e Shqipërisë dhe që kërcënon si stabilitetin e vendit ashtu dhe progresin drejt BE-së.
Berisha theksoi se bashkëpunimi i qeverisë me krimin është i qartë si kristali në shumë e shumë raste, ndër ta rasti i Arben Frrokut dhe Emiljano Shjullazit, për të cilët ambasadori amerikan u detyrua të denoncojë publikisht qënien e tyre të lirë, por ata ishin të lirë sepse Edi Rama me konceptin e krimit të dobishëm nuk lejonte arrestimin e tyre. Ndaj dhe bashkëpunimi në fushën e zbatimit të ligjit me qeverinë amerikane është jashtëzakonisht i rëndësishëm, u shpreh ai.
Sigal