Reforma në drejtësi, Basha: Propozimi i Ramës, dredhia e radhës

503
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas propozimit të radhës të kryeministrit drejtuar opozitës, duke deklaruar se, reforma në drejtësi nuk ka nevojë për deklarata elektorale. “Kjo reformë kërkon gjithëpërfshirje të gjithë shqiptarëve, të çdo faktori politik dhe opozitës, e jo përjashtime siç ka bërë deri tani dhe siç po vazhdon të bëjë Edi Rama”, ka thënë Basha. 
Ai është shprehur se, “është e vështirë t’i besosh një njeriu që një herë thotë ‘reforma e drejtësisë do të kalojë pa opozitën’, pastaj kërcënon se ‘do ta votoni me një këmbë’, pastaj tenton planin e blerjes së mandateve, pastaj plane të tjera B, C, D dhe tani lëshohet në ekstremin tjetër ‘shkruajeni vetë si të doni’, duke përjashtuar Partinë Socialiste nga përgjegjësia”. “Me këtë deklaratë ai vetëm sa fakton se asnjëherë nuk e mori seriozisht reformën në drejtësi, por e trajtoi prej ditës së parë si instrument pushteti, për larje llogarish dhe intriga politike”, ka vijuar Basha. 
“Nuk kam pranuar që në fillim dhe nuk do të pranoj as sot, as nesër që drejtësia të trajtohet si plaçkë për të mbyllur pazare apo për të bërë kalkulime për hir të karrikes”, ka theksuar kreu i opozitës.  Ai ka nënvizuar se, PD dhe opozita janë të angazhuara në këtë proces me seriozitet që ditën e parë, duke kërkuar konsensus, duke ofruar zgjidhje, duke qëndruar fort në parimet dhe rekomandimet e Venecias. 
“Sepse qëllimi ynë i vetëm është një reformë që t’i shërbejë shqiptarëve dhe Shqipërisë sot dhe në dekadat që vijnë, dhe jo orekseve të ditës, skemave, intrigave dhe kurtheve për pushtet. Opozita e ka shkruar propozimin me kaligrafi dhe përmbajtje të Venecias dhe Rama e ka mbi tryezë. Ta votojmë dhe shqiptarëve e aleatëve që po kërkojnë konsensusin tash sa kohë t’u japim lajmin e mirë”, përfundon Basha.
Sigal