Reforma në drejtësi, agjenci kundër korrupsionit gjyqësor

387
Me fillimin e sesionit të ri parlamentar do të nisë puna edhe për reformat e premtuara nga qeveria “Rama” dy vite më parë, por që ende nuk janë realizuar. Një ndër to është edhe reforma në sistemin e drejtësisë, e cila ka bërë që komisioni i posaçëm të vijojë punën edhe në këto ditë të nxehta të gushtit. Pikërisht Komisioni i Posaçëm për reformën në sistemin e drejtësisë ka bërë një propozim për krijimin e një agjencie për të luftuar korrupsionin brenda radhëve të gjyqësorit. Propozimi vjen nga ekspertët e komisionit të posaçëm për hartimin e reformës në drejtësi dhe synon t’i heqë këtij sistemit etiketimin si një ndër më të korruptuarit në vend. Strategjia e hartuar nga ekspertë vendas e të huaj parashikon krijimin e strukturës së specializuar antikorrupsion në nivel kombëtar, në përbërje të së cilës është policia, prokuroria dhe gjykata, si një domosdoshmëri për zbulimin, hetimin dhe gjykimin e aktorëve të korruptuar të sistemit të drejtësisë. Dokumenti propozon që struktura të jetë e qëndrueshme, në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët të mos lëvizen, penalizohen apo të ndihen në rrezik për shkak të hetimeve apo çështjeve.
Këta funksionarë do t’i nënshtrohen kontrollit të së shkuarës së tyre dhe do gëzojnë trajtimin dhe përfitimet e duhura financiare si dhe do te kenë akses të gjerë në bazat e të dhënave të ekzekutivit. Në mbështetje të kësaj strukture, ekspertët duket se do të bëjnë të mundur edhe përfshirjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si pjesë e reformës në drejtësi. Ata propozojnë që Kushtetuta të parashikojë edhe krijimin e një policie të specializuar, përgjegjëse për rastet e rënda të korrupsionit, sikurse mund të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit apo një formë tjetër e përshtatshme. Ndonëse Byroja Kombëtare e Hetimit u kundërshtua nga opozita dhe u rrëzua poshtë nga Gjykata Kushtetuese me pretendimin se ndërhyn në kompetencat e Prokurorisë, qeveria sërish e ka vendosur atë si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë.
Fatmir Xhafaj, kryetari i këtij komisioni në një takim me gazetarët të mbajtur vetëm disa ditë më parë u shpreh se po vijon puna për të ngritur një strukturë policore shumë më funksionale, me kritere shumë më të forta përzgjedhjeje dhe qëndrueshmërie në detyrë në funksion të hetimit dhe në mënyrë të veçantë në funksion të strukturës së re që do të ngrihet, Agjencisë Kombëtare Antikorrupsion. “Ndërhyrjet ligjore të parashikuara në këtë dokument strategjik duhet të ndjekin modelet e praktikave ndërkombëtare për sigurimin e provave, për gjurmimin dhe hetimin e çështjeve të korrupsionit të tilla si përdorimi i agjentit provokues, dëshmitarë anonimë dhe të mbrojtur, nxitjen e shtetasve të bashkëpunojnë në hetime duke kryer veprime simuluese”, thuhet në propozimin e komisionit.
Ndaj ngritja e një agjencia të posaçme kundër korrupsionit, është një model që do të ndiqet dhe gjendet edhe në vende të tjera të Ballkanit. Në Kroaci Zyra për Ndalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (USKOK) është një departament i specializuar i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe ka mandatin për të drejtuar hetimet policore dhe ndjekjet penale të kryera për korrupsionin dhe rastet e krimit të organizuar brenda juridiksionit të saj. Edhe në Rumani, funksionon Drejtoria Kombëtare Kundër Korrupsionit, e ngarkuar me parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave që lidhen me korrupsionin.
Sigal