Reforma, Ministria e Drejtësisë paralajmëron 3220 punonjësit e policisë së burgjeve

603
Nën “mbulesën” e reformës pritet që pas katër vitesh, policia e burgjeve të jetë sërish në ankthin e shkarkimeve. Këtë fakt e ka paralajmëruar Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë që burime të besueshme nga burgjet shprehen se e gjitha kjo pritet të jetë valë shkarkimesh e njëjtë me atë të vitit 2013, kur PS erdhi në pushtet. Janë jo pak por 3220 punonjës të policisë së burgjeve që do t’u duhet të vihen përballë një testimi dhe verifikimi të plotë të dokumentarit. Mësohet se e gjitha kjo bëhet për të larguar të punësuarit në radhët e policisë së burgjeve nga LSI. Burimet thanë se kjo reformë pritet të nisë pas datës 25 shtator. Ata që janë në qendër të kësaj të ashtuquajture reformë, janë punonjësit me 20 vite punë dhe që kanë mbushur moshën 60 vjeç. Për të kryer reformën ashtu sikundër edhe ka pohuar Ministrja e re e Drejtësisë, Etilda Gjoni, fillimisht do të kalohet faza e parë, ajo e verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar nga çdo punonjës. Më pas do të kalohet në një testim të përgjithshëm. Data e testimit ende nuk është caktuar. Policia e Burgjeve ka shumë problematika. Sipas Kryetarit të Shoqatës së Policisë së Burgjeve, reforma nuk duhet të konsistojë në shkurtimin e punonjësve, por në shtimin e tyre, pasi ka mungesë në plotësimin e turneve.
Sigal