Prof. Dr. Zamira Çavo: Reforma e "terapisë shok" në Drejtësi, mashtrim për qytetarët

Jakup B. GJOÇA

Klasa politike shqiptare nuk është e interesuar për një reformë të vërtetë në Drejtësi. Pra as z Rama nuk bën përjashtim. Ajo që mendoj unë personalisht është që një reformë si kjo, e “terapisë shok” në drejtësi, është thjeshtë dhe vetëm një mashtrim i madh për qytetarët

Prof. Dr. Zamira Çavo, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se lufta e re politike në Shqipëri, është për të kapur sistemin e drejtësisë, sepse edhe maxhorancës, edhe opozitës u mungon vullneti politik, ngaqë këto janë elita politike të korruptuara. Prof. Çavo, mendon se shqiptarët, edhe pse nuk kanë besim te kjo elitë politike, shpresojnë se ndoshta Amerika dhe BE do të luftojnë që të luftohet korrupsioni, por të huajt në Shqipëri luftojnë për interesat e tyre, ndaj në fund shqiptarët do të zhgënjehen. Prof. Çavo pohon se ende shteti ligjor nuk është ndërtuar, pasi institucionet shtetërore funksionojnë si institucione të liderit. Prof. Çavo thotë se Rilindja Socialiste nuk është një qeverisje e Majtë, por një qeverisje me interesa klienteliste.

-Prof. Çavo, a mendoni se kryeministri Rama ka vullnet politik të zbatojë Reformë në Drejtësi, apo është përpjekje për të kontrolluar Gjyqësorin?
- E kam thënë që prej fillimit; klasa politike shqiptare nuk është e interesuar për një reformë të vërtetë në Drejtësi. Pra as z Rama nuk bën përjashtim. Ajo që mendoj unë personalisht është që një reformë si kjo e terapisë “shok” në drejtësi, është thjeshtë dhe vetëm një mashtrim i madh për qytetarët, sepse një vend që nuk ka një politikë demokratike në ndërtimin e vet shtetit, nuk mund të gjenerojë Drejtësi reale. Prandaj dhe lufta politike te ne është në thelb luftë për të kapur sistemin e drejtësisë. Të zhytur kokë e këmbë në korrupsion e padrejtësi klasa politike shqiptare, majtas e djathtas kërkon me çdo mënyrë të fitojë kontrollin ndaj sistemit të drejtësisë. Kjo vërteton atë që thashë se në një vend ku demokracia nuk funksionon realisht nuk mund të ketë sistem drejtësie real. Po kështu duhet të kuptojmë se, pa një politikë demokratike, elitat e korruptuara politike do bëjnë betejën mes tyre, duke thirrur në ndihmë protestat qytetare, pikërisht për të siguruar kontrollin e drejtësisë.

- Shqiptarët, a kanë besim, se më në fund, do të ketë reformë në Drejtësi, që politika të mos ndikojë në Gjyqësor dhe Gjyqësori të hetojë dhe gjykojë korrupsionin e shtetarëve dhe zyrtarëve më të lartë?
- Si popull, e kemi dyshimin të ndërthurur në ADN-n tonë sociale. Pra ne gjithnjë dyshojmë dhe pse shpesh besojmë symbyllurazi. Është një paradoks historiko-politik ky. Por, pavarësisht kësaj, mendoj se qytetarët shqiptar jo se besojnë, por shpresojnë shumë që një reformë, e cila të vendos ekuilibrat në një shoqëri demokratike, të kryhet sa më parë. Por e dini ku qëndron kleçka? Shqiptarët duan dhe shpresojnë në këtë reformë, por ndërkohë janë të bindur që me këtë elitë politike kjo drejtësi nuk ndreqet. Dhe i kanë kthyer sytë nga të huajt. Dëgjoni si qarkullojnë fjalët: “Eeee, këtë radhë Amerika e ka seriozisht, do bëjë drejtësi... apo: “Nuk të le BE me këtë drejtësi të korruptuar..’ Për mendimin tim kjo është fatkeqësia jonë e çastit. Ne mendojmë dhe shpresojmë që Drejtësinë do të na e vendosë Amerika, apo BE. Nuk di unë ndonjë vend në botë, që Amerika të këtë bërë diçka për të ardhmen e demokracisë në atë vend. Përkundrazi, edhe kur ka vënë “dorë” e ka bërë për fitimet e saj. Të huajt gjithnjë kanë mbajtur anën e atij që u intereson për momentin, duke e justifikuar këtë me termin “reformë”. Nuk besoj që në këtë botë, ku i forti synon të bëjë ligjin, këtyre ndërkombëtarëve ju rreh zemra për drejtësinë shqiptare! Konjukturat globale kërkojnë të mbajnë nën kontroll gjithçka, pra dhe “drejtësinë” tone, jo për të bërë Drejtësi për vendin e për popullin, por drejtësi për interesat e tyre gjeopolitike. Dikush mund të thotë , epo mirë mjafton të na heqë qafe ndonjë peshk të madh . Dhe sërish them : Dhe nëse çuam para drejtësisë ndonjë të tillë, a ndreqet puna? Kush do merret me milionat që kanë abuzuar politikanët tanë që nga vitet 90 e këtej? Kush do merret me paratë e humbura të shqiptarëve? Populli dhe nëse beson, në fund të fundit, do të mbetet sërish i zhgënjyer.

- A mund të themi, që pas 5 vjetëve qeverisje të Rilindjes Socialiste, u mundësia ndërtimi i shtetit Ligjor, siç premtoi kryeministri Rama?
- Ndërtimi i shtetit ligjor? Shumë për t’u pretenduar. Unë mendoj se ne jemi akoma në hapat e ndërtimit të shtetit, pasi institucionet tona shtetërore ende funksionojnë si instrumente Lideri dhe jo si institucione ligjore shtetërore.

- Përse ende në Shqipëri kanë ngecur dhe nuk zbatohen reformat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?
- Unë kam rezervat e mia dhe për reformat që BE u imponon shteteve të tjera. Por mendoj se në Shqipëri reformat e propozuara nga BE në nivelet makro janë jo rrallë të shkruara bukur, por të pazbatueshme. Zbatimi i tyre kërkon vullnetin politik. Që t’ i kthehem edhe njëherë reformës në drejtësi , pra pa Vullnet politik nuk do të ketë as Drejtësi e as zbatueshmëri të reformave apo Ligjeve të shtetit. Ky Vullnet nuk do të mund të arrihet për aq kohë sa elita politike e këtij vendi është zhytur në korrupsion marramendës dhe lufta që bën është vetëm për të mbuluar dhe mbrojtur pasuritë e tyre. As të maxhorancës politike dhe as opozitës politike nuk u intereson as populli e as e ardhmja e tij brenda apo jashtë BE.-së! Për këtë nuk duhet të kemi asnjë iluzion. Dikush mund të thotë se “qenkemi pa shpresë” Unë them Jo, ka një shpresë dhe ajo gjendet tek secili prej nesh. Mjafton të mos u shkojmë më pas e të mos duartrokasim shushunjat që na pijë gjakun, mjafton që të bëhemi bashkë për problemet e ditës dhe me siguri gjërat do të ndryshojnë. Jam e bindur se kur të ketë ardhur koha. Populli do ta gjejë edhe rrugën dhe lidershipin që do t’ia hapi këtë udhë.

- Sipas jush, përse është thelluar mjerimi i popullit? Përse qeveria e Majtë socialiste shkurton edhe fondet për ndihmën sociale?
- Kur më keni pyetur edhe herë të tjera për qeverisjen “Rama”, ju kam thënë me bindje: Kjo qeverisje e Rilindjes Socialiste nuk është e majtë! Pra nuk kam si t’i kërkoj fytyrën humane një qeverisje që mendon për interesat klanore jo publike. Në këto kushte varfëria do shtohet dhe pabarazia po ashtu.

- Ju si e shpjegoni që, ndërkohë, kemi pakësim të fondeve për investime publike, ndërkohë, që shteti paguan miliona euro në vit për koncesione?
- Është pjesë e politikës liberale kjo. Një qeverisje e tillë synon të privatizojë gjithçka e çdo gjë në favor të interesave klienteliste. Pra fillon me tenderimet, ku vidhen miliona nga taksat tona, kalohet në koncesione dhe përfundohet në privatizim. Kjo është e gjitha. Qeveritë shqiptare prej 29 vitesh këtë rrugë kanë ndjekur.

- Ju, si e shpjegoni, që shumë pak flitet për ekonomi në Shqipëri, duke anashkaluar fenomenet e papunësisë, antagonizmin e biznesit, mungesën e investimeve të huaja, klima jo e përshtatshme politiko-ekonomike në Shqipëri për të investuar, etj? 
- Sepse ne si popull ngopemi me politiken e ditës, por pa marrë vetë pjesë në te. Dhe këta që na udhëheqin e dinë mirë. Ndaj na shtyjnë te dëgjojmë e debatojmë me “opinionistët” për x, apo y, por jo për hallet e ditës dhe sidomos për ekonominë, pabarazinë e investimet.

- Prof. Çavo, a duhet të mbajë përgjegjësi politike kryeministri Rama, që një ministër i tij, akuzohet për bashkëpunim me krimin në trafikimin ndërkombëtar të hashashit?
- Është një përgjegjësi morale dhe jo institucionale. Ka shumë raste në botë, kur një ministër akuzohet për afera korruptive, ose skandale të tjera, por nuk ka përgjegjësi institucionale kryeministri. Pra, nuk ka pse i kërkohet z Rama largimi nga qeverisja, sepse Saimir Tahiri akuzohet për lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike. Është absurde. Por ka njëmijë gjëra të tjera, për të cilat mund t’i kërkosh dorëheqjen z Rama, e që kanë të bëjnë me jetën tonë të përditshme. Vë re me shumë keqardhje që njerëzit të mërzitur nga qeverisja arrogante e z Rama, i kthejnë sytë nga z Basha, kur edhe vetë janë të bindur se edhe ky është disa herë më i anatemuar se sa kryeminsitri ekzistues. Së fundi, dua të them se për sa kohë nuk do ndërgjegjësohemi për të drejtat tona, se sa kohë për të shprehur pakënaqësinë tonë ndaj një modeli qeverisje, bashkohemi me një model që e kemi provuar apo dënuar, ne nuk mund të flasim as për demokraci e as për zhvillim. 

1
Kjo qeverisje e Rilindjes Socialiste nuk është e majtë! Pra nuk kam si t’i kërkoj fytyrën humane një qeverisje që mendon për interesat klaniste jo publike. Në këto kushte varfëria do shtohet dhe pabarazia po ashtu.
2
Të zhytur kokë e këmbë në korrupsion e padrejtësi klasa politike shqiptare, majtas e djathtas kërkon me çdo mënyrë të fitojë kontrollin ndaj sistemit të drejtësisë
3
Vë re me shumë keqardhje që njerëzit të mërzitur nga qeverisja arrogante e z Rama, i kthejnë sytë nga z Basha, kur edhe vetë janë të bindur se edhe ky është disa herë më i anatemuar se sa kryeministri ekzistues
4
Për sa kohë nuk do ndërgjegjësohemi për të drejtat tona, se sa kohë për të shprehur pakënaqësinë tonë ndaj një modeli qeverisje, bashkohemi me një model që e kemi provuar apo dënuar, ne nuk mund të flasim as për demokraci e as për zhvillim