Reforma e Drejtësisë dhe dekriminalizimi do të fillojë nga hetimi i pasurisë

442
Komisioni i Venecias, në rekomandimet që publikoi për draftin e reformës në drejtësi, theksin e vuri te kufizimi i pranisë të ministrit të drejtësinë në institucionet disiplinore të Gjyqësorit, në mosndërprerjen e mandateve, në kriteret e emërimeve etj, ku në thelb, do të thotë që politika të mos ketë ndikim në vlerësimet e Gjyqësorit. 
Katharsi fillon nga hetimi i pasurisë dhe jo nga ndërtimi i numrit të institucioneve të drejtësisë
Ndërkombëtarët, BE dhe sidomos SHBA, nëpërmjet ambasadorit amerikan në Tiranë, përditë deklarojnë që nuk mund të pranojnë më që korrupsioni, si metastazë kanceri, të degjenerojë dhe të mbajë peng politikëbërjen dhe drejtësinë në Shqipëri. Ambasadori amerikan, Donald Lu, dje në tryezën për “Reformën në Drejtësi dhe të drejtat e grave”, ambasadori Lu tha se drejtësia blihet si “mall” nga politikanët dhe të pasurit, ndërsa ata që janë viktimat e këtij sistemi janë të varfrit. Korrupsioni në drejtësi jo vetëm që i lejon gjyqtarët dhe politikanët të mbushin xhepat me para të pista; ai po shkatërron jetët e njerëzve normalë të ndershëm. Ambasadori amerikan Lu, njëfarësoj, thotë se nuk është e mjaftueshme, më që të mbetemi te miratimi dhe votimi I ligjeve dhe reformave, por veprimi konkret, kësaj here do të fillojë, pikërisht nga produkti i korrupsionit: Hetimi i pasurisë, që ka grumbulluar me paratë e krimit dhe të korrupsionit, çdo politikan, çdo gjyqtar, çdo prokuror, çdo zyrtar i lartë. Dhe pasuria e krimit dhe e korrupsionit, siç theksoi edhe para disa ditësh ambasadori amerikan Donald Lu, duket, që tek ora e dorës, që te makina, që të vilat, dhe pastaj, më tej, te llogaritë bankare, te kompanitë e biznesit, etj. 
Sa kohë duhet të presim, që të pasurit e të fuqishmit të thonë se nuk janë ende të kënaqur me këtë reformë në drejtësi?
Kësaj pyetjeje retorike, duhet t’i jepet një përgjigje e shpejtë. “Propozimi aktual për reformën në drejtësi po u jep njerëzve shpresën se ndryshimi po vjen, Ekspertë tanë nga SHBA dhe BE u përfshinë aktivisht në çështjen e ndryshimeve kushtetuese. Ndryshe nga propozimet e mëparshme nevojitet një mekanizëm për të larguar gjyqtarët e korruptuar dhe të paaftë. Ky sistem i ri do të largojë nga sistemi gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Korrupsioni mbush xhepat me para të pista”, u shpreh ambasadori Lu. Prandaj, edhe kësaj here, do të ndërtohen ato institucione, ato mekanizma ligjore për drejtësinë, ku politika të jetë sa më larg vendimmarrjes të Gjyqësorit, emërimeve, masave disiplinore të Gjyqësorit, në mënyrë të tillë, që prokuroria të hetojë këdo, që gjykata të gjykojë këdo, pavarësisht nga pozita e pushtetit dhe nga forca ekonomike e xhepit. Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu deklaroi dje se “Është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë e diskutimit të kësaj reforme të rëndësishme. E dimë se propozimi i tanishëm i reformës duhet të përfshijë ndryshime të rëndësishme për të reflektuar ide më të mira nga Komisioni i Venecias, ekspertët e opozitës, gjyqtarët, prokurorët, juristët dhe publiku i ndërgjegjshëm. Ky proces ka nisur, njerëzit e pushtetshëm kanë frikë nga zbatimi i Reformës në Drejtësi. Lu pohoi se këta persona të ashtuquajtur sipas tij të pushtetshmit do humbasin paratë e pista dhe do përfundojnë në burg. “Njerëzit e pushtetshëm kanë frikë nga kjo reformë. Të pushtetshmit do humbasin paratë e pista dhe do të përfundojnë në burg”, tha ambasadori Lu. 
Sigal