Reforma administrative, Kryebashkiakët propozime për ndarjen

417
Sigal

Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo – Territoriale të Shqipërisë ka dëgjuar dje pasdite propozimet e kryetarëve të bashkive më të mëdha të vendit, në kuadrin e reformës administrativo – territoriale. Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, në fjalën e tij ka propozuar që Durrësi të ketë vetëm dy bashki, Durrësin dhe Krujën dhe me synimin që qytetarëve t’u ofrohen shërbime cilësore, të ketë një plan rregullues të integruar për të gjithë qarkun. Sipas tij, deri tani vetëm në zonën e autostradës Tiranë – Durrës janë parashikuar 5 plane të shkëputur nga njeri tjetri. “Çdo njeri ka bërë një plan rregullimi që nuk është i integruar në rang qarku dhe kështu nuk funksionon. P.sh, në zonën industriale përreth autostradës kemi një zhvillim të paqëndrueshëm. Ne duhet të bëjmë të mundur të realizojmë zhvillimin e qëndrueshëm dhe çdo bashki duhet të ketë hapësirat për decentralizimin fiskal, që është domosdoshmëri dhe mundësi zhvillimi. Ne nuk duhet të presim vetëm grante nga Qeveria për të zhvilluar zonat. Gjykoj se Qarku i Durrësit duhet të ketë dy bashki, Durrësin dhe Krujën”,- tha Dako. Një propozim tjetër erdhi nga kryebashku i Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili tha se, këshillat vendore duhen zvogëluar dhe rritur cilësisht; gjithashtu, këshilltarët nuk kanë pse paguhen. “Jam për një bashki në bazë rrethi dhe reforma të behet njëherë e mire. Unë jam për zvogëlimin e këshillave, një numër të vogël e cilësor dhe këshilltarët nuk kanë pse të paguhen”,- tha Sejdini. Kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, propozoi që për Qarkun e Fierit të jenë vetëm 3 njësi, Fieri, Lushnja dhe Mallakastra, sepse kështu ato administrohen më mirë sesa të copëtohen më shumë. “Jam i mendimit që kryetari i njësive duhet të jetë njëkohësisht edhe administrator i tyre. Sot, ligjet dhe vendimet e qeverisë sjellin një lloj zhgënjimi në buxhetet e njësive vendore, pasi disa prej tyre janë zona turistike dhe kanë shumë biznese të tilla, kurse Fieri p.sh nuk ka, por ka biznese të tjera. Ndaj, duhet parë që një përqindje e të ardhurave t’i kalojë njësive vendore, duke bërë specifikët për secilën”,- tha Zeqaj. Kreu i bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, propozoi që në komuna të emërohen administratorë, si në Kosovë me qëllim që të shmangen burokracitë dhe të lehtësohet komunikimi.