Referendumi i njësive vendore sjell acarin në politikë

505
Sigal

Skandali: Drejtuesit e Administratës Publike bëhen edhe avokatët e PS-së në Kolegjin Zgjedhor

Bylykbashi i PD-së: Kërkesa e njësive vendore, e drejtë, kushtetuese”

KQZ-ja do të shpallë më 14 janar vendimin për njësitë vendore, që kërkuan prej saj, formularin për referendum. Janë 129 njësi vendore që kanë bërë kërkesën dhe KQZ-ja ka nisur shqyrtimin e kërkesave të tyre për formularin-tip. Ndërkohë, PS-ja ka vendosur të ngrejë padi në Kolegjin Zgjedhor, për 129 njësitë që kërkuan formularin për referendum, e cila u shqyrtua dje, pa arritur që të merrej një vendim. Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë në 14 janar kërkesën e PS-së, për rrëzimin e vendimeve të KQZ-së, të cilat kanë hapur rrugën referendumeve lokale, kundër ndarjes së re administrative-territoriale. Kolegji mori në shqyrtim ankimimin e socialistëve dhe bashkoi kërkesat për të kundërshtuar referendumin në 129 komuna që janë kundër hartës së re territoriale. Kolegji gjithashtu pranoi PD-së si palë të interesuar në proces. Me bashkimin e çështjeve, Kolegji hodhi shortin për një trupë të re gjyqtarësh, që do të kryesohet nga Edlira Petri.  Kërkesa e këtyre njësive vendore vjen pas pakënaqësive që shoqëruan ligjin për ndarjen administrative – territoriale të vendit. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese, pak kohë më parë ka rrëzuar padinë e PD-së, që ligjin e ri “Për Ndarjen Territoriale” ta vlerësonte si antikushtetues, kështu që, në bazë të këtij ligji, zgjedhjet e 21 qershorit 2015, për pushtetin lokal do të zhvillohen sipas kësaj ndarjeje të re territoriale, e cila ka shkurtuar shumë ndjeshëm numrin e njësive vendore, ku nuk ka më asnjë komunë, por vetëm Bashki. KQZ-ja, nëse merr vendim që t’u japë 129 njësive vendore formularin për referendum, cila do të jetë rrjedhja e procesit zgjedhor dhe sa do të ndikojnë, nëse zhvillohen, referendumet dhe vendimet që do merren nga ato, në zgjedhjet e 21 qershorit?

Flasin për “Telegraf”:

Dëshira Subashi, ish-zëvendëskryetare e KQZ-së:  Nuk ka mundësi të zhvillohet asnjë referendum vendor

-Zonja Subashui, a mundet KQZ-ja me 4 anëtarë të japë formularë për referendumin njësive vendore?

– Ligji nuk kërkon një vendim të cilësuar për këtë gjë.

– Domethënë, edhe mund ta japë?

– Kështu e kanë bërë ligjin. Këtu nuk është zgjidhur problemi në kompleks. KQZ-ja u jep formularin që njësitë vendore të mbledhin firmat, dhe pas kësaj, ata i paraqesin kërkesë KQZ-së, për zhvillimin e një referendum dhe pas kësaj KQZ-ja shprehet për referendumin.

– Nëse KQZ-ja i thotë “Po” referendumit, çfarë bëhet me zgjedhjet e 21 qershorit?

– Jo, nuk ndodh kjo sepse ligji i ka përcaktuar afatet e bërjes së referendumeve, që janë 3 muaj para ose mbrapa datës së shpallur të zgjedhjeve.

– Atëherë, është lojë kjo që do të bëjë KQZ-ja me formularët?

– Lojë është, lojë. Unë besoj që është lojë, megjithatë edhe mund të jetë ndryshe. Që ato njësitë apo organizatorët, t’i kenë mbledhur paraprakisht firmat  dhe po nxori këtë vendim KQZ-ja për formularët, ata pas një jave ia paraqesin KQZ-së dhe pastaj KQZ-ja vepron me shpejtësi, që të kapë afatin 3 mujor para 21 qershorit për t’u bërë referendumi nga njësitë vendore. Kjo është punë tjetër.

– Dhe kështu, mund ta nxjerrë jashtë loje datën e 21 qershorit për zgjedhjet e pushtetit lokal?

– Nuk e besoj, nuk e besoj, sepse bërja e një referendumi ngre tonet politike. Nuk e agregon vetë ligjin bërja e një referendum. Instancat janë të detyruara ta shqyrtojnë dhe të marrin vendime sipas ligjit. Mua më duket si e pabesueshme të ndodhë, për më tepër kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që la ndarjen e re territorial në fuqi. Megjithatë, ka qenë në Kolegjin Zgjedhor këtë javë shqyrtimi i ankimimit së PS-së ndaj KQZ-së, që KQZ-ja të mos japë formularët për referendum njësive vendore, dhe Kolegji Zgjedhor ende nuk ka thënë asgjë për vendimin që ka marrë apo do të marrë për këtë gjë.

Po sikur Kolegji Zgjedhor të rrëzojë animimin e PS-së çfarë ndodh?

– Po mori vendim Kolegji Zgjedhor që është “OK” që KQZ-ja të japë formularët, kuptohet që kjo është vendimi i marrë, pastaj. Që duhen dhënë formularët e referendumit. Gjithsesi, është një pështjellim i madh para zgjedhjeve, para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që pranoi ndarjen territorial.

– Nëse KQZ-ja vendos për referendum,  dhe kemi një “Jo” nga ky referendum, sepse është brenda afatit kohor, çfarë ndodh me zgjedhjet?

– Është e vështirë të arrihet kuota e pranimit të referendumit, sepse kërkon të kesh listat e zgjedhësve, dhe 50 % e votuesve të thonë “OK” për referendum. Kjo nuk është realizuar në asnjë palë zgjedhjesh. KQZ-ja bën lojëra procedurale, formale, por në thelb, unë nuk besoj që me këtë ligj të realizohet ndonjë referendum për të marrë vendim. Ky është edhe konstatimi i OSBE-së që në 2003, ku ka kërkuar që të ndryshohet ky ligj i  referendumit, kjo hallkë demokracie. Politika çdo herë ndryshon kodin zgjedhor, por këtë pikë të referendumit nuk e ka prekur. Ndaj unë nuk besoj se mund të bëhet gjë që mund të prekë këtë ndarje të re territorial.

Aldo Bumçi, deputet i PD-së: Askush nuk thotë në demokraci që të mos dëgjojmë qytetarët

– Zoti Bumçi, a ka mundësi të zhvillohet një referendum i vendorëve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi ligjin për “Ndarjen Territoriale”?

– Nga ana politike absolutisht po, sepse, e para flasim për shprehjen e vullnetit të qytetarëve, dhe askush nuk duhet të thotë që nuk duhet të dëgjohen qytetarët. Referendumet lokale nuk e rrëzojnë direkt ligjin, dhe janë thjesht shprehje e opinionit. Duhet një referendum kombëtar që ta rrëzojë drejtpërdrejt këtë ligj. Ne kemi mbledhur 70.000 firma për referendumet lokale, tregojnë që ata nuk janë konsultuar dhe të shprehin vullnetin e tyre. Askush nuk thotë në demokraci që të mos dëgjojmë qytetarët. Një numër i konsiderueshëm për nisje.

– Nëse nuk zhvillohet referendum, a do të marrë pjesë PD-ja në zgjedhje?

– Le të shikojmë sesi do të zhvillohen ngjarjet.

Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së: “Unë nuk besoj që fundi i gjithë kësaj të jetë bërja e një referendumi vendor, qoftë edhe në një nga njësitë”

-Zoti Kume, kjo KQZ a e ka tagrin që të vendosë për  referendumet e 129 njësive vendore, të cilat kërkojnë t’i thonë “Jo” ndarjes së re territoriale?

– KQZ-ja tashmë i ka filluar procedurat për të filluar referendumin që kanë kërkuar disa njësi vendore, ndërkohë që ka deklaruar që nuk do ta trajtojë çështjen në themel, në kuptimin që a është ose jo kjo kërkesë në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor, kapitullin përkatës për referendumet lokale, por do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që ta trajtojë këtë çështje.

– A mund të ketë ndonjë mundësi që këto njësi vendore që kanë kërkuar, të zhvillojnë referendumin, duke pasur parasysh edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin “Për ndarjen territoriale?

– Kërkuesit e referendumeve lokale kanë deklaruar se në kërkesën e tyre për referendum, ata nuk atakojnë ligjin ose pjesë të ligjit, i cili tashmë ka hyrë në fuqi edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Dhe këtë sepse, një referendum lokal nuk mund ta bëjë dot një gjë të tillë.

– Nëse nuk kërkojnë këtë, atëherë përse e duan referendumin?

– Ata thonë se u kërkojnë qytetarëve të njësive të tyre vendore që të shprehin e t’i përgjigjen pyetjes  “A jeni dakord që të ekzistojë ose jo njësia juaj vendore?”  E gjitha kjo, edhe në mënyrën e të shtruarit të çështjes kërkon interpretim. Ndaj, për mendimin tim, KQZ-ja, të mos bëhet palë në këtë lloj diskutimi, t’i referohet mundësive që i lejon Kodi Zgjedhor, në rastin e referendumeve lokale, ku thuhet që KQZ-ja duhet të zbatojë të njëjtat procedura si në rastet e referendumeve kombëtare, për aq sa është e mundshme, ose e nevojshme.

– Ju çfarë kuptoni, e gjithë kjo nga KQZ-ja bëhet thjesht formalisht?

– Unë nuk besoj që fundi i gjithë kësaj të jetë bërja e një referendumi vendor, qoftë edhe në një nga njësitë.

– Njësitë vendore, derisa nuk duan të preket as një pjesë e ligjit, çfarë duan të arrijnë me referendum lokal?

– Edhe nëse KQZ-ja nuk do ta kalojë çështjen e referendumeve lokale në Gjykatën Kushtetuese, në një moment të caktuar, megjithëse është deklaruar ndryshe, por do të marrë vetë vendimin, që e ka të lejuar nga ligji, unë besoj se maxhoranca do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese për  jokushtetutshmërinë e këtij vendimi, gjithmonë me atë që referendumi lokal nuk mund të godasë as pjesë të ligjit. E gjitha kjo është rrjedhojë e qëndrimit politik të së djathtës gjatë gjithë procesit që ka paraprirë dhe rezultatit për hartën e re territorial dhe administrative, e cila, sipas opozitës është një produkt që është realizuar për interesat elektorale të maxhorancës. Instrumentet që kërkojnë të përdorin, ndërkohë opozita, për ta atakuar këtë reformë të ndarjes territorial, për mendimin tim, ka shumë pak shanse ligjore ta realizojë objektivin. Nëqoftëse do të ishte shumë e logjikshme dhe e bazuar ligjërisht që të kërkojë një referendum popullor të përgjithshëm me qëllim që qytetarët të pyeten, nëse janë dakord ose jo, me këtë ndarje të re administrative dhe territoriale. Mundësitë për ta realizuar këtë referendum, duke pasur parasysh kufizimet që janë në ligj, janë të pakta.

 Oerd Bylykbashi, nënkryetar i Komisionit të Ligjeve: “Sot në KQZ janë 70.000 firma që i thonë “Jo” shkrirjes së bashkive dhe komunave të tyre; referendumi e drejtë kushtetuese e tyre”

 I pyetur për çështjen nëse sa është i mundur zhvillimi injë referendumi nga 129 njësitë vendore që kanë depozituar kërkesën e tyre në KQZ, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, nënkryetar i Komisionit të Ligjeve dhe eksperti për Çështjet Zgjedhore dhe Juridike në PD, tha: “Referendumi që kërkojnë komunitetet e këtyre njësive vendore për t’i thënë “Jo” shkrirjes së bashkive dhe komunave të tyre nëpërmjet ndarjes së re territoriale, të miratuar kundër interesit të këtyre komuniteteve dhe pa konsensus, bazohet plotësisht në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor. Referendumi, që kërkojnë njësitë vendore nuk shfuqizon asnjë ligj, por është kërkesë për t’u shprehur për një çështje me rëndësi të veçantë, pra referendum konsultativ, krejtësisht ndryshe nga rasti i TEC të Vlorës, kur me një referendum të një njësie vendore, kërkohej të shfuqizohej një ligj i parlamentit. Ky është një referendum, që bazohet në nenin 108 të Kushtetutës, pika 4, i cili i jep të drejtën komunitetit të një njësie vendore të shprehet në mënyrë të posaçme për një çështje me interes të veçantë të qeverisjes vendore në komunë apo bashki. Kufijtë e një njësie janë thelbësisht të rë rëndëishëm për vetqeverisjen e një komuniteti që egziston prej dekadash. Shkrirja e njëanëshme edhe pa konsultim me komunitetin e njësisë së tyre vetqeverisëse, e zhbën këtë komunitet me qëllim krijimin e një kominiteti të ri në të ardhmen. Kushtetuta detyron konsultimin paraprak dhe ky konsultim nuk ka ndodhur. Në shumë njësi pati kundërshtime, madje edhe protesta në rrugë, por qeveria nuk deshi t’ia dijë, me arrogancën e saj tipike. Tashmë, këtyre komuniteteve u ka mbetur vetëm referendumi që të shprhin qëndrimin e vet për zhbërjen e tyre. I pyetur për konfliktin e mundshëm ligjor të referendumeve me zgjedhjet vendore, deputeti Oerd Bylykbashi sqaroi se referendumet nuk kanë asnjë lidhje me datën e zgjedhjeve locale, sepse vetë ligji e rregullon këtë, duke krijuar një distancë kohore midis afatit për zhvillimin e referendumit dhe datës së zgjedhjeve. Bylykbashi theksoi se në asnjë rast nuk mund të zhvillohet referendum në të njëjtën datë me datën e zgjedhjeve, dhe se referendumi nuk mund të zhvillohet në tre muajt që i paraprijnë fundit të mandatit. Aktualisht, ky afat është data 15 qershor. Ai sqaroi se ligji e lejon pregatitjen paralele të zgjedhjeve dhe të referendumeve. Më tej, Bylykbashi u shpreh: “Ne, si PD kemi thënën  që me këtë hartë territoriale nuk mund të bëhen zgjedhje. Me këtë hartë cënohen në mënyrë të pariparueshme standartet dhe legjitimiteti i zgjedhjeve e për pasojë bashkëjetesa demokratike dhe ne nuk do ta pranojmë që Rama dhe Meta të na kthejnë në situatën skandaloze të zgjedhjeve të 2000 dhe 2001. Ky është qëndrimi ynë politik i palëkundur, i pavarur nga referendumet.” Më tëj ai theksoi: “Referendumi vendor do të bëhet vetëm për ato njësi vendore që e kanë kërkuar.  Këto referendume do të zhvillohen sepse janë një kërkese legjitime kushtetuese e atyre komuniteteve. Partia Socialiste kërkon t’u ndalojë të drejtën e shprehjes me referendum këtyre komuniteteve. Nuk mjaftoi që nuk i pyeti, por tani kërkon t’u mohojë edhe shprehjen e vullnetit me votë. Nëse këto referendume vendore do t’i thonë “Jo” ndarjes territoriale, atëhere ne do të jemi përpara konfirmimit të asaj që ligji u bë pa i pyetur vendorët, sepse është në kundërshtim me vullnetin e tyre. Qeveria pretendon se e konsultoi popullsinë, me sondazhin fantazëm me 16.000 persona të pyetur, ku sigurisht një pjesë e mirë janë kundër ndarjes. Për ta kuptuar sa farsë dhe qesharak është ky sondazh i porositur i qeverisë tek kompani kliente të saj, mjafton të themi se mesatarisht janë pyetur 43 persona për secilën bashki dhe komunë. Kjo është absurde! Sot në KQZ janë depozituar 70.000 firma që thonë “Jo”, që janë kundër shkrirjes të njësive të tyre, dhe për rrjedhojë këtë duan ta shprehin me referendum. Kjo do ishte baraz me nje sondazh me të  paktën 140-150 mijë shtetas të pyetur. Kuptohet se numri i personave që sot janë shprehur kundër në vetëm 1/3 e vendit është disa herë më i madh se sondazhi fantazëm i qeverisë”

Skandali: Drejtuesit e Administratës Publike bëhen edhe avokatët e PS-së në Kolegjin Zgjedhor

Dje, ne kolegjin zgjedhor, ankimimin e PS-së kundër KQZ-së që të mos japë formularët e referendumit njësive vendore, e përfaqësuan 3 zyrtarë të lartë të Administratës Publike dhe konkretisht, Koli Bele, i cili është  Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë se Energjetikës dhe dy drejtor te kësaj Ministrie, të cilët u përfaqësuan  si avokatë  të Partisë Socialiste. Koli Bele ka qenë para zgjedhjeve zëvendëssekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, ku sekretar ka qënë ministri i tij.  Kjo përfaqësi e 3 titullarëve të lartë të Ministrisë së Energjetikës, në një çështje gjyqësore me karakter politik, sikurse është në Kolegjin Zgjedhor,  është një abuzim i hapur dhe shkelje e ligjit “Për Statusin e Nëpunësit Civil”,  ku në asnjë mënyrë nuk lejohet që zyrtarët e larte te përfaqësojnë parti politike. Paraqitja e 3 titullarëve  të  Ministrisë së Energjetikës  në Kolegjin Zgjedhor për gjykimin e një ankimimi të PS-së, dëshmon qartazi se Administrata Publike nuk është e depolitizuar dhe as e departizuar, sikurse e kërkon detyrimisht ligji. Kur, ndërkohë, këta titullarë, të arrestojnë se nuk ke paguar dritat dhe të shkarkojnë se pse ke 10 mijë lekë pa paguar dritat.

Jakup B. GJOÇA