Referendumet lokale, PS çon KQZ-në në Kolegj për formularët tip

414
Sigal

TIRANE – Nëse do të mbahen referendume lokale kundër shkrirjes së komunave si njësi administrative, përfundimisht do të vendoset më 14 Janar. Ka qenë ky vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i cili këtë të enjte shqyrtoi padinë e Partisë Socialiste për shfuqizimin e një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me të cilin 130 njësi vendore janë pajisur me formular tip për mbajtjen e referendumeve.

Kolegji Zgjedhor vendosi këtë të enjte që 130 paditë e Partisë Socialiste, të cilat kërkojnë shfuqizimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pajisjen e pushtetit lokal me formularë tip për mbajtje referendumi të shqyrtohen si një padi e vetme dhe vendimi përfundimtar të jetë më 14 janar.


Palët ndërgjyqësore përfshi juristët e Partisë Socialiste, ata të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesit e KQZ-së janë përballur në seancë duke pranuar vendimin e Kolegjit për bashkimin e dosjeve në një të vetme ku të paditur janë 130 komuna të përfaqësuar nga të zgjedhur të Partisë Demokratike.

A1Report ka siguruar një kopje të padisë së Partisë Socialiste ku rezulton se KQZ me vendimin numër 24, ka vendosur: 

Miratimin e kërkesës së nismëtarëve për pajisjen me fletë tip për mbledhjen e nënshkrimeve të nëvojshme për referendum vendorë për çështjen e qeverisjes vendore të komunës. 
 
Më tej në padi saktësohet dhe pyetja në referendum e cila nëpërmjet formularit tip është:

A jeni dakord që komuna të shkrihet?

Sipas juristëve të Partisë Socialistë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka respektuar një sërë verifikimesh ligjore që duhet të bëheshin para dhënies së “OK” dhe dorëzimit të formularëve tek personat kërkesë, çka sipas tyre vendimmarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të shfyqizohet.

Ky proces në Kolegjin Zgjedhor vjen pak kohë pasi në përballjen juridike që u zhvillua në Gjykatën Kushtetuese mes opozitës e mazhorancës për hartën territoriale, ku Kushtetuesja vendosi të lërë në fuqi ndarjen me 61 njësi lokale.