Reeker: SHBA do ju ndjekë nga afër në vitin e zgjedhjeve

485
Sigal

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker u përcolli dje nga Tirana një mesazh të shkurtër dhe të qartë, krerëve të politikës. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, pasi vlerësoi kontributet e Shqipërisë në ndihmën e çmuar në Afganistan dhe paqen në Rajon, Reeker kërkoi që vëmendja të përqendrohet tek reforma, ndërsa paralajmëroi se SHBA do ndjekë nga shumë afër 2013, që përkon me zgjedhjet e ardhshme. “Siç i thashë Kryeministrit, Uashingtoni do ta ndjekë vitin që vjen nga shumë afër. Presim të shohim përparim të vazhduar me reformat, si dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike; veçanërisht javët që vijnë do të jenë kritike. Janë kritike për të demonstruar përparimin lidhur me reformat dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar”.

Berisha

Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohje për mbështetjen që SHBA i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë, duke theksuar se “mënyra më dinjitoze dhe më e shkëlqyer që Shqipëria të shprehë mirënjohje për mbështetjen e madhe është të përkushtohet ndaj vlerave që ne ndajmë si shoqëri të lira.” Kryeministri Berisha deklaroi se prioriteti më madhor i qeverisë shqiptare është anëtarësimi në Bashkimin Europian, duke nënvizuar vendosmërinë e maxhorancës për të bërë gjithçka që vendi të meritojë statusin kandidat.

Reeker takon Ina Ramën: Me rëndësi pavarësia e institucioneve

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, pati dje një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, z. Philip Reeker.

Ina Rama bëri një pasqyrë të punës së Prokurorisë Shqiptare, angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duke synuar gjithnjë rritjen e profesionalizmit, zbatimit me rigorozitet të ligjit dhe mirëfunksionimin si institucion i pavarur. Në vijim të fjalës së saj, kryeprokurorja, bëri një panoramë të institucioneve të drejtësisë, mënyra si funksionojnë dhe ndërlidhen ato me njëra tjetrën, si dhe sfidat me të cilat ndeshet sot drejtësia shqiptare. Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, z. Philip Reeker, duke vlerësuar punën e Prokurorisë Shqiptare, theksoi se në një demokraci funksionale është e rëndësishme pavarësia e institucioneve. Z. Reeker, në këtë aspekt, duke njohur rezultatet pozitive të arritura, e cilësoi Prokurorinë Shqiptare si një partner të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ruçi takon raportuesin e PE, Chountis

Kryetari i Grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi u takua dje me raportuesin e Parlamentit Europian eurodeputetin Nicholaos Chountis. Ruçi e falënderoi përfaqësuesin e Parlamentit Europian për vëmendjen e veçantë që ky institucion i Bashkimit Europian i ka kushtuar Shqipërisë dhe solli në vëmendje mbështetjen e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave dhe tashmë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke iu referuar interesimit të Raportuesit Chountis për problematikat që lidhen me zgjedhjen e Presidentit, pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, reformën parlamentare dhe për çështjen e imunitetit, zoti Ruçi bëri një prezantim të qëndrimit të Partisë Socialiste lidhur me këto çështje. Zoti Chountis vlerësoi objektivitetin e Kryetarit të Grupit Parlamentar socialist për çështjet që u diskutuan.

Presidenti Nishani-Reeker: Zhvillimi i reformave është sfida më e madhe

Presidenti Nishani prit në takim Zëvendësndihmës/Sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani takoi dje Zëvendësndihmës/Sekretarin amerikan të Shtetit, për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, zotin Philip T. Reeker.  Presidenti Nishani pasi i uroi mirëseardhjen zotit Reeker vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer dhe ndihmën që SHBA-të i kanë dhënë vendit tonë në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor, anëtarësimin në NATO dhe procesin e integrimit evropian. Presidenti Nishani e siguroi Zëvendësndihmës/sekretarin amerikan të Shtetit se zhvillimi i reformave është sfida më e madhe me të cilën përballen institucionet shqiptare, duke nënvizuar se bashkëpunimi i shkëlqyer i institucioneve tona me institucionet dhe agjencitë e SHBA-ve bazuar mbi përvojën e deritashme do të vijojë edhe në të ardhmen. Kryetari i Shtetit e garantoi ambasadorin Reeker se, Shqipëria do të vazhdojë politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe qasjen konstruktive ndaj çështjeve që lidhen me shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon.