Reeker: Jemi kundër sabotimit dhe manipulimit të zgjedhjeve

430
Sigal

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, te “Zëri i Amerikës” për zgjedhjet e 23 Qershorit në Shqipëri

VOA: A mendoni se Shqipëria ka shans që këtë herë t’i përmbushë standardet ndërkombëtare?

Philip Reeker: Dua të theksoj se, Uashingtoni dhe Brukseli, miq të Shqipërisë, po i ndjekim me shumë vëmendje zgjedhjet, procesin deri në ditën e votimeve, mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe reagimin për rezultatin e zgjedhjeve.  Është shumë e rëndësishme për popullin e Shqipërisë që këto zgjedhje të kryhen në një formë të tillë që është e përshtatshme për një vend anëtar të NATO-s. Ne jemi krenarë që Shqipërinë e kemi partnere në NATO.  Ata duhet të marrin masa që populli shqiptar t’i besojë procesit elektoral dhe që zgjedhjet të plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe ato europiane.  Kjo do të krijonte bazën për fazën e ardhshme të integrimit të plotë të Shqipërisë në komunitetin euro-atlantik.

VOA: Duket se KQZ-ja do t’i administrojë zgjedhjet me 4 anëtarë. Si do të ndikojë kjo për zhvillimin e zgjedhjeve? A mendoni se zgjedhjet do të rrezikohen?

 Philip Reeker:  Një nga gjërat për të cilat kam folur dhe jam shprehur qartazi më parë përpara Kongresit, është se për të plotësuar standardet ndërkombëtare, institucionet duhet të shihen si të pavarura dhe plotësisht funksionuese.  Moskonstituimi i plotë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paraqet sfida për administrimin me efektivitet të zgjedhjeve, veçanërisht përsa i përket certifikimit të zgjedhjeve dhe trajtimit të apelimeve. Ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë e kemi theksuar se kjo është një çështje e rëndësishme, të cilës i duhet kushtuar vëmendje.  Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se populli shqiptar,  shtetasit me të drejtë vote, kanë më pak besim tek procesi, si rezultat i vazhdimit të vështirësive me statusin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por megjithëse KQZ-ja nuk është e plotë, partitë politike, kandidatët, si qeveria edhe opozita, kanë vendosur t’i zhvillojnë zgjedhjet, dhe ato kanë përgjegjësinë t’i zhvillojnë këto zgjedhje në përputhje me statusin e Shqipërisë si një aleate e NATO-s, në mënyrë që gjithë populli shqiptar të ndihet krenar për to.

VOA: A ekziston shqetësim në Uashington se rezultati i zgjedhjeve nuk do të pranohet nga ndonjëra prej palëve?

Philip Reeker:  Le të kujtojmë se në Shqipëri ka mjete ligjore për të apeluar rezultatin e zgjedhjeve përmes sistemit të gjykatave. Si e zhvillojnë fushatën partitë politike, si i zhvillon zgjedhjet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si numërohen votat, si zgjidhen mospajtimet, si reagon publiku dhe partitë politike ndaj rezultatit të zgjedhjeve, të gjitha këto do të dërgojnë një mesazh shumë të qartë rreth të ardhmes së Shqipërisë.  Bashkimi Europian e ka bërë shumë të qartë se të gjitha këto aspekte do të kenë rol shumë të madh në përcaktimin e ritmeve dhe hapave të ardhshëm të statusit të Shqipërisë si vend kandidat, dhe do të ishte me pasoja reale nëse do të kishte mosmarrëveshje të gjata dhe të papajtueshme rreth rezultatit.  Do të kishte një ndikim për shembull, në vlerësimin që vendet e tjera do t’i bëjnë Shqipërisë përsa u përket kërkesave për viza,  do të kishte ndikim se si investitorët e huaj do ta shikojnë Shqipërinë, do të ngrihen pikëpyetje për stabilitetin, për pavarësinë dhe për forcën e institucioneve demokratike. Pra të gjitha këto do të kenë ndikim të madh për të ardhmen e Shqipërisë, për të cilën të gjithë votuesit në Shqipëri janë të interesuar. Ne presim udhëheqje,  kandidatë dhe institucione të përgjegjshme që këto zgjedhje t’i zhvillojnë në mënyrë të rregullt dhe më pas, pasi votimi të mbarojë, t’i zhvillojnë fazat e tjera po me rregullsi. U takon të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë rezultatin përfundimtar. Është sinjal i rëndësishëm që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke zhvilluar zgjedhje të rregullta, që të njihen si të tilla. Në rajon kemi parë zgjedhje të zhvilluara mirë, si në Mal të Zi, në Maqedoni, në Serbi, që kanë plotësuar standardet e zgjedhjeve të lira e të drejta sipas përcaktimit të OSBE/ODIHR-it. Unë kam besim se edhe në Shqipëri kjo mund të ndodhë, por ajo kërkon përpjekje serioze nga të gjitha palët, nga qeveria, opozita, të gjithë kandidatët,  institucionet dhe të gjithë banorët, për të kërkuar që këto zgjedhje të jenë të mira për Shqipërinë dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

VOA:  Meqë KQZ-ja nuk do të jetë në gjendje ta certifikojë rezultatin e zgjedhjeve, a është e pranueshme që rezultati të certifikohet nga Kolegji Zgjedhor?

Philip Reeker:  Ligjet e Shqipërisë, Kushtetuta e Shqipërisë, parashikojnë procedura ligjore për këto raste. Siç e theksuam, duke mos e plotësuar KQZ-në,  do të ketë vështirësi për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve. Këtë e kemi theksuar shpesh herë. Por megjithë mangësitë e KQZ-së, si qeveria edhe opozita kanë vendosur të shkojnë në zgjedhje. Mendoj se numërimi i votave do të jetë një element kritik, një pjesë e rëndësishme e procesit, është një nga elementët që nuk gëzon nivelin më të lartë të besimit të publikut, bazuar në historikun e manipulimeve elektorale në të kaluarën, prandaj u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të kenë përfaqësuesit e tyre në aparatin lokal elektoral dhe në grupet e numërimit të votave, që të jenë pjesë  e këtij procesi dhe të respektojnë deri në fund, në germë dhe në frymë, ligjet. Duke ndjekur ligjet, duke respektuar institucionet dhe pavarësinë e tyre, atëherë edhe elektorati, popullsia, banorët do të kenë besim tek procesi. Përpjekjet për të vonuar ose manipuluar procesin do ta gërryenin më tej besimin e publikut tek zgjedhjet në Shqipëri dhe tek partitë si përfaqësuese të ligjshme të interesave të qytetarëve. Qytetarët e Shqipërisë dhe unë kam folur me shumë prej tyre, presin që zgjedhjet të shënojnë përparim, ata duan të jenë krenarë nga zgjedhjet, të jenë krenarë nga ato që kanë arritur, të thellojnë më tej integrimin euro-atlantik, të tërheqin më shumë investime të huaja dhe të kenë atë qëndrueshmëri dhe begati që meritojnë.

FLASIN PER “TELEGRAF” POLITIKANËT

Në lidhje me intervistën e Philip Reekel, ne morëm disa reagime nga politikanë të njohur të vendit tonë, të cilët thanë se ky paralajmërim është një sinjal alarmi që duhet mbajtur parasysh nga liderët kryesorë të dy koalicioneve të mëdha.

NARD NDOKA, kryetari i PKD-së

Apeli që zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker,i drejtohet gjithë klasës politike shqiptare. Zgjedhjet i certifikon KQZ-ja dhe në mungesë të 5 votave certifikohen nga gjykata, Kolegji Zgjedhor. Nuk ka shume rendesi si certifikohen, por si zhbillohen zgjedhjet dhe stadardet. Fushata është normale dhe ky fillim duhet të vazhdojë më tej edhe në administrimin e zgjedhjeve në numërim.

SABIT BROKAJ: Paralajmërimi është i drejtë

Mendoj se ky paralajmërim është një pjesë korrekte për deklaratën e bërë nga zoti Reekel. Ky paralajmërim bëhet për t’i kujtuar liderëve tanë, por sidomos zotit Sali Berisha se e shkuara nuk duhet të ripërsëritet më. Kjo sepse Sali Berisha e ka bërë normë të sjelljes së tij, mosnjohjen e rezultatit, në raste humbjesh. Por pavarësisht, nga kjo, unë mendoj se, tani Berisha nuk ka më mundësi të justifikohet për humbjen dhe as të gjejë pretekst për të mbështetur mosnjohjen e rezultatit. Por pavarësisht nga ajo që ka ndërmend të bëjë Berisha unë po e them këtu me sigurinë më të madhe se e Majta do të fitojë.

KRISTAQ KUME: MOSNJOHJA KRIJON DESTABILIZIM

Mundësia për mosnjohjen e rezultatit nga liderët politikë ekziston në çdo rast. Por çfarë pasojash sjell kjo mosnjohje për vendin tonë? Natyrisht, nga më të rëndat. Sepse mosnjohje e rezultatit do të thotë në fund të fundit, edhe shtim të protestave, ose prishje të rendit publik. Dhe kjo ndikon drejtpërsëdrejti te qytetarët e thjeshtë. Dhe kjo mund të krijojë destabilitet dhe dëme të mëdha në jetën sociale, ekonomike dhe politike të vendit tonë. Por unë mendoj se deri tani Berisha ka deklaruar se, do ta njohë rezultatin që do të dalë nga këto zgjedhje. Po kështu, pas tij në të njëjtën mënyrë është përgjigjur edhe Edi Rama. Dhe unë mendoj që nga mosnjohja nuk kemi përse të kemi frikë, ngaqë njohja e rezultatit është konfirmuar.

IDAJET BEQIRI: DEKLARATA ËSHTË BËRË PËR BERISHËN

Për mendimin tim ky është një paralajmërim serioz që bie për ata që kanë vesh. Dhe në radhë të parë ky paralajmërim vjen nga SHBA-të për Sali Berishën. Sepse ai ka treguar që në momente të ndryshme, ose në raste humbjesh, ai nuk ka njohur rezultatin. Sipas mendimit tim, Philip Reekel i bie pragut që të dëgjojë dera. Dhe në këtë rast, kjo deklaratë bëhet që të dëgjojë Berisha. Sepse Berisha ka treguar se ai nuk pranon dhe nuk është i zoti të menaxhojë humbjen. Ndërsa për rezultatin e zgjedhjeve unë mendoj se është e sigurt që koalicioni i Majtë do të fitojë në një diferencë të ndjeshme ndaj koalicionit të Djathtë. Rezultati këtë radhë do të shënojë një fitore të merituar, për ne.

FATOS KLOSI: NUK KA ASNJË SHANS PËR MOSNJOHJE!

Paralajmërimi që ka bërë zoti Philip Reekel është një gjë normale dhe e vlerësueshme për momentin parazgjedhor. Por unë mendoj se sot në Shqipëri, Sali Berisha nuk ka asnjë lloj mundësie që të mos njohë rezultatin e humbjes së tij. Sepse ky rrezik ndër vite ka ardhur vetëm prej tij, apo prej manipulimeve që ka bërë. Ndërsa tani ai nuk ka asnjë lloj shansi që të mos njohë rezultatin, sepse Sali Berisha ka në dorë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si edhe të gjitha organizmat e tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet, duke përfshirë këtu ata që organizojnë komisionet, infrastrukturën zgjedhore, policinë, etj., etj.. Kështu që ky kapitull është i mbyllur kurse manipulimi i qeverisë me KQZ-në është një turp. Në këtë rast, Sali Berisha ka vetëm një rrugë për të ndjekur pas rezultatit zgjedhor. Kjo është rruga e daljes, në mënyrë që t’i jepet fund historisë së manipulimeve, regresit dhe korrupsionit. Ndërsa mosnjohjen e rezultatit ta harrojë.