Reagon Bashkia Pogradec/ Masakrimi i liqenit nga firma ndërtuese dhe rreziku që u kanoset automjeteve nga shkëmbinjtë

82

Gazeta Telegraf/

Bardhyl Berberi 


Rruga që u rri pogradecarëve si “Shpata e Damokleut”


Tashmë skandali me rrugën aq të përfolur për abuzime Lin  – Pogradec e cila ende nuk është përfunduar kaloj një muaj që është braktisur nga firma “PEVLAKU” që po kryente ndërtimin e saj. Madje ajo ka tërhequr të gjitha makineritë dhe prej disa ditësh është larguar. Ka qenë segmenti Lumi i Terhanit deri në Pogradec, i gjatë 950 m me një kosto prej 9.5 milionë dollarë  e cila sipas burimeve zyrtare ka marrë 99 përqind të fondit limit. Secili që vjen në Pogradec përballet me ato 950 m rrugë të shkatërruar, të cilat janë bërë shumë më keq se kur ishin më parë. Çuditërisht heshtet dhe vetëm drejtuesit e mjeteve mallkojnë deri në kupë të qiellit kur makina e tyre bie në ndonjë grope. Por e keqja nuk ka të sosur kjo rrugë pasi kaloj një muaj e braktisur dhe pas shirave  bien shkëmbinj nga kalaja deri në bregun e liqenit. Qindra e mijra makina që kalojnë në këtë aks janë të rrezikuara të humbasin jetën. Pasi gjatë punimeve dhe shpimeve me sondë dhe minat e hedhur e kanë prishur strukturën e shkëmbinjve të cilët rrukullisen nga shkëmbinjtë lart  mbi rrugën ku kalojnë automjetet. Nje shofer autobuzi nga Korça thotë se zoti na ka shpëtuar deri tani nga ndonjë masakër që shkëmbinjtë që bien nga lart të na hedhin në liqen …


Flet nënkryetari i bashkisë


Nënkryetari i Bashkisë në Pogradec Polikron Balliu rreth këtij problem kaq akut dhe të rrezikshëm për gazetën “Telegraf” dha se “firma PEVLAKU që ndërtonte rrugën ka bërë devijim të projektit. Sipas projektit mbetjet inerte nga hapja e rrugës nuk parashikoheshin të hidheshin në breg të liqenit duke e masakruar atë por të çoheshin në Luadhin e Çelos. Për këto shkelje me projektin dhe dëmtimin e ambientit inspektorët e bashkisë e knaë gjobitur dy herë nga 50 mijë lekë firmën. Por, thotë zoti Balliu, pas nesh ka vendosur gjobë edhe Ministria e Mjedisit, nuk e di shifrën e saktë të gjobës që ka vendosur ata,  por di që ata janë laguar …prej më shumë se një muaj. Është vërtet paradoksale që pasi firma thyen projektin dhe pas një viti punime si bashkia dhe Ministria e Mjedisit vendos gjoba pasi bregu i liqenit është masakruar krejt. Dhe largimi i tyre i ngjan asaj proverbës mes  ujkut  dhe qingjit pasi ujku kishte vendosur ta hante qingjin dhe i thotë atij se më ke turbulluar ujin po kështu edhe konstruktorët largohen pasi  ju vendosën gjobat. Pogradecarët dhe gjithë ata që vijnë në Pogradec apo mjetet e Korçës, Ersekës dhe Devollit po e vuajnë këtë mynxyrë. Me të drejtë, tha një i moshuar nga Pogradeci se ne me këtë rrugë u munduam të vemë vetulla dhe nxorën sytë, ndërsa të tjerët mbushën xhepat… Padyshim që largimi i firmës me gjithë makineritë është një skandal i radhës dhe duhet pyetur drejtori i rrugëve se çfarë ndodh me këtë rrugë kaq të përfolur  me një kosto të majme  prej 9.5 milionë dollarë për të shpëtuar dy  bunker të luftës italo – greke. A e shohin pushtetarët që vijnë për fundjavë në Pogradec apo venë hanë lakrorë me dy peta në Boboshticë  se rruga është një skandal dhe aty nuk punohet  por në vendin tonë ka kaq shumë skandale dhe ata janë ambientuar dhe nuk u bën përshtypje…Veçse ta dini mirë se gjithkush që kalon tek rruga  e shkatërruar hyrëse në Pogradec  kalon aty me makinë me kokë në torbë  nga gurët që bien nga lart…