Reagimi i PD-së: Gënjeshtrat e Ministrit Veliaj u bënë sot tërësisht qesharake nga vetë Edi Rama

521
Sigal

Skandali: Qeveria në 8 vjetët e fundit nuk u paguante sigurime shoqërore 250 mijë nëpunësve të vet

Pardje ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj denoncoi qeverinë “Berisha” se në 8 vitet e saj nuk u ka siguruar 250.000 nëpunësve të saj asnjë qindarkë nga sigurimet shoqërore, edhe pse ato janë të mbajtura, por. Siç u la të kuptohej, ai fond është përdorur për qëllime të tjera.

Akuza në shifra: 109 milionë dollarë të humbura

Akuza sipas ministrit Veliaj, për qeverisjen 8 vjeçare të Berishës: Në total numri i subjekteve që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore, për punëtorë të deklaruar shkon në 53. 060 të tillë. Në total kanë rrezikuar pensionet e 250 mijë shqiptarëve, nga të cilat 1 407 janë institucione publike buxhetore, kurse 51 653 janë subjekte private”. 109 milionë dollarë të humbura, shifra në total. Por, veç ushtarakëve, gardistëve, mjekëve, mësuesve, punonjësve të ALUIZNI-t, vetë punonjësit e Inspektoriatit Shtetëror dhe ata të Sigurimeve Shoqërore, kanë rezultuar të mashtruar. Janë rreth 1500 institucione shtetërore, të cilat për 8 vite me radhë kanë mashtruar mijëra zyrtarë, duke u vjedhur paratë e sigurimeve shoqërore, e çka është më e rëndë, duke u rrezikuar pensionet.

Kryeministri Rama: Hetim nga prokuroria

Ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili dje denoncoi skandalin duke shtuar se të gjithë ata që kanë abuzuar nuk do të rrinë pa u ndëshkuar dhe i kërkoi prokurorisë hetim rrënjësor. “Ne nuk do t’i ndahemi as atyre të cilët kanë abuzuar dhe ministria ka ngritur grupin e vet të posaçëm për të depozituar pranë prokurorisë të gjitha të dhënat dhe prokuroria do të hetojë, duhet, dhe besoj se do e bëjë këtë në mënyrë të imtësishme në të gjitha nivelet e kësaj grabitjeje.” – tha dje kryeministri Rama.

PD-ja: Gënjeshtra të ministrit Veliaj

Deputeti demokrat, Sherefedin Shehu,tha dje, në reagimin e PD-së, se gënjeshtrat e ministrit Veliaj, i përgënjeshtroi vetë kryeministri Rama. “Gënjeshtrat e Ministrit të papërgjegjshëm të Mirëqënies Personale, u bënë sot tërësisht qesharake nga vetë Edi Rama. Rama dhe Veliaj genjenë për kontribute të pa derdhur, sepse pagat e sistemit buxhetor nuk paguhen nga Thesari i Shtetit, pa faturën e kontributeve shoqërore. Numri i punonjësve buxhetore në kohën e qeverisjes së mëparshme ka rënë në 87 mijë, ndërkohë që Rama dhe Veliaj flasin për 250 mijë të pasiguruar. Rama dhe Veliaj synojnë të përhapin panik publik, duke frikësuar ata që kanë qënë në marrëdhënie pune me shtetin. Me deklaratat e tyre të papërgjegjshme, Rama dhe Veliaj dëmtojnë rëndë imazhin e shtetit. Dhe më e keqja, ata nxisin publikisht evazionin fiskal, duke u thënë njerëzve se vetë shteti nuk paguan kontributet e sigurimeve shoqërore.

Skema e pensioneve, shkatërrim i sistemit

 Deputeti i PD-së,  Sherefedin Shehu dhe njëkohësisht ekspert i ekonomisë, pohoi gjithashtu se “E vërteta e skemës së pensioneve të Ramës është shkatërrimi i sistemit të pensioneve. i ashtuquajturi pension social është në fakt ndihma e sotme ekonomike, por duke e quajtur pension ata synojnë të godasin kulturën e sigurimeve dhe nxisin evazionin fiskal. Me pensionin social ata përgjysmojnë pensionin minimal nga 125 mijë lekë në 67 mijë lekë. Me trefishimin e kontributeve në fshat ata ju heqin fermerëve pensionin e barazuar me qytetin dhe ju thonë mjaft e keni pensionin social. Me heqjen e tavanit të pensioneve e thellojnë padrejtësinë mbasi skema e Ramës i rrit pensionet për ata që kanë paga të larta dhe i ul për ata që kanë paga të ulëta.”.