Rauning: Burgimi opsioni i fundit, aplikoni dënime alternative

466
Mbipopullimi në burgje mbetet një problem ndër vite. Prezenca e OSBE-së por dhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar rekomandojnë aplikimin e masave alternative
Ambasadori Florian Raunig tha se dënimi me burg duhet të përdoret kur vepra penale është tepër e rëndë , dhe të shpeshtohen masat alternative të burgimit.
Florian Raunig :“Shqetësimet e besimit të sigurisë nuk mund të zgjidhen thjesht me burgosje, përkundrazi problemi kryesor në sistemin e burgjeve është mbipopullimi. 
Privimi nga liria duhet të jetë opsioni i fundit. Kjo masë duhet të aplikohet vetëm kur vepra penale është aq e rëndë saqë aplikimi i çdo mase tjetër do të ishte i papërshtatshëm.Prezenca rekomandon të shpeshtohen masat alternative të burgimit 
OSBE nënvizon se masat që kanë për qëllim “uljen e mbipopullit të burgjeve duhet të jenë pjesë e politikës penale koherente dhe racionale e cila synon parandalimin e sjelljeve kriminale, efektivitetin në ligjzbatim”
Po kështu “Rritja e konsiderueshme e numrit të personave në burgje përbën një sfidë të madhe për administratën e burgjeve dhe sistemin e drejtësisë penale në tërësi, si për garantimin e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, por dhe për menaxhimin e efektshëm të institucioneve”
Ambasadori nuk harroi pa nënvizuar dhe reformën në drejtësi se duhet të jetë gjithëpërfshirëse për të qenë e efektshme.
Deklarata u bë sot gjatë prezantimit të raportit të OSBE-së për uljen e mbipopullimit të burgjeve.
Florian Raunig :“ Qëllimi i shërbimit të provës është të kontribuojë për një proces të drejtë të drejtësisë penale. Në raste të duhura shërbimi i provës është më efikas dhe më i efektshëm sesa burgu, sepse kombinon dënimin me rehabilitimin.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, deklaroi angazhimin e tij për ndërtimin e një politike penale strikte, të bazuar në interesin e ligjit dhe jo atë të çastit.
Në këtë iniciativë ai tha se do të bashkëpunojë me Prokurorin e Përgjithshëm. Sipas Manjanit është absurditet që sot për armëmbajtje pa leje dënohesh më shumë sesa për terrorizëm.
Manjani: Politika penal nuk mund të jetë pjesë e politikës që jemi mësuar ne. Duhet të ketë rregullat dhe parimet e veta. Nuk mund të shtyhet nga politika e ditës.Politika penale udhëhiqet nga interesi i zbatimit të ligjit dhe parandalimit të disa fenomeneve. Na ka dhënë efekt një farë shtrëngimi i çastit por nuk është afatgjatë, nuk është garanci që po u shtrëngua politika penale krijon efekte të menjëhershme, apo afatgjatë. Jemi mbështetës të politikës penale që harmonizohet sa më shumë të jetë e mundur në interes të ligjit dhe parandalimit.Si Ministër i Drejtësisë kam ndërmend që sëbashku me prokurorin e përgjithshëm të ndërtojmë një politikë penale strikt të bazuar në interes të ligjit dhe jo interesa të çastit. Interesat e çastit na kanë çuar në atë ekstremitetin tjetër që ndërhymë tek kodi penal sipas interesit të çastit dhe sot kemi dënim ekstremal për armëmbajtje pa leje, madje për armëmbajtje pa leje dënohesh më shumë sesa për terrorizëm.Kjo është absurditet.Kjo do sjellë edhe reduktim të mbipopullimit në burgje.
Sigal