Raporti/ Të majtët e zhgënjyer që po rebelohen ndaj Ramës

597
Sigal

Fraza e Pandeli Majkos që bëhet gati sapo ka ndonjë krizë brenda familjes së tij politike: “Pse liderët na tradhëtojnë rrugës së pushtetit” nuk qe as një lapsus as një rastësi. Brenda rrdhëve të majtëve, atyre që në Shqipëri i ka mbajtur të bashkuar me njëri tjetrin një antisalizëm gati patologjik po vihet re kohët e fundit një lloj zhgënjimi dhe lodhje me Edi Ramën. Nuk janë një apo dy zëra, por po krijohet një bashkësi që nuk duan asesi kthimin e PD-së në pushtet, por ndihen të lodhur të tradhëtuar dhe të zhgënjyer nga përralla e Rilindjes.

Jo më larg se dje një socialist i orëve të para, që militantët e viteve ’90 e mbajnë mend të ndeshej me presidentin autokrat Berisha në konferencat e shtypit, si gazetar i Zërit të Popullit, Hamdi Jupe, ish deputet i PS-së në një editorial shkruar për Panorama i bënte thirrje Ramës të largohej: “Të shkojë Edi të pushojë ca kohë në vilën e tij në Surrel, pse të mos shkojë? Të bëjë atje piktura dhe ekspozita. Të luajë atje basketboll dhe të mbjellë edhe një kërpudhë betoni te shtëpia e tij. Le që, atje kërpudhat mbijnë vetë, nuk ka nevojë t’i mbjellësh. Kështu do të freskohet nga ajri i pastër dhe do t’i vijë mendja në vend Edit”.

Natyrisht për Jupen as që mendohej një rotacion pushteti, sado i madh zhgënjimi ai propozonte një tjetër shef qeverine nga PS: “Ka ardhur koha që në Partinë Socialiste të mendohet për një kryeministër të ri. Të mendohet, thashë. Ka një përvojë në këtë drejtim. Gjatë qeverisjes tetëvjeçare 1997- 2005, Partia Socialiste ndërroi gjashtë herë Kryeministrin: Fino, Nano, Majko, Meta, Meta, Nano. Të gjithë ishin socialistë. Dhe në fund të mandatit në vitin 2005, rritja ekonomike në vend ishte 6 për qind. Mos vallë duhet mësuar nga kjo përvojë? Përvojë socialiste është”.

Në fakt shkrimi i ish gazetarit të “ZP” ishte një mbështetje për qëndimet e një ish themelueseje të Partisë Socialiste, Ara Dade, që kishte kërkuar edhe ajo një qeveri të majtë pa Ramën.

“Edi Rama duhet të largohet, jo që të vijë opozita, por që PS të ketë një ekip të vërtetë me vlera. Më duket se vendi po shkon keq e më keq. PS e ka marrë mandatin për 4 vjet, korrigjimet mund të bëhen brenda PS dhe mund të krijojë qeveri mjaft dinjitoze. Jam për një qeveri socialiste dhe nuk bie dakord me tezën që Rama e përdor shpesh edhe nëpër blogje që e vetmja alternativë është Edi Rama, ose Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Nuk është e vërtetë. PS ka plot alternativa qeverisëse. Jam për procese në parti. Ka edhe nga të rinjtë, por edhe nga ata me përvojë. Unë çuditem pse kanë heshtur. PS i ka të gjitha kapacitetet që të reformohet”, ka thënë dade dy javë më parë në « 5 pyetjet nga Babaramo ».

Por, kundërshtitë nuk janë vetëm politike. Mbi të gjitha alarmante ato bëhen për të majtën kur vijnë nga një shtresë që e ka votuar pa kushte PS-në si ajo e veteranëve të mbetur të luftës. Kështu njëri prej tyre, Sevo Tarifa deklaroi publikisht se do të dorëzonte tesrën e partisë, pas vendimit të Ramës për të rehabilituar dhe rivarosur me nderime, një kolaboracionist si kreu i Ballit Kombëtar, Mit’ha Frashëri.

Kjo shtresë doli edhe publikisht kundër Ramës duke i etiketuar qëndrimet e tij si neofashiste: “Organizata e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, nuk është pajtuar asnjëherë e nuk do të pajtohet kurrë me këto qëndrime që bien erë neofashizëm”,thuhej në një deklaratë të komitetit të veteranëve.

Ky debat u pasqyrua gjërësisht në një gazetë supër të majtë, si e përditshmja “Dita”. Por edhe “Dita” që pas homologes së saj TEMA ka qenë një nga organet e shtypit që jo vetëm ka qenë në ballë të betejës për rrëzimin e Berishës, por ka mbështetur ngritjen e Ramës në pushtet, e ka shtuar kohët e fundit dozën e saj të kritikave.

Në kolonat e saj kryerilindasi po shigjetohet përditë e më shumë për dhuratat që u bën ish oligarkëve të Berishës, për uzurpimin që pop o i bën PS, madje aty janë rimarë edhe të gjitha akuzat që i janë bërë bashkëshortes së kryeministrit Linda Rama.

Pra ditë pas dite, po formëzohet një front që nuk e shohin më të ardhmen e së majtës shqiptare tek kryerilindasi pushteti i të cilit, po pasuron oligarkët, po ndrysh liritë, po shton pabarazitë dhe po rehabiliton kolaboracionistët
Pas largimit të valës së parë të atyre që e mbështetën për të ardhur në pushtet, si shkrimtarja Elvira Dones dhe shou mani Adi Krasta, por që u zhgënjyen shpejt nga qeverisja e tij, erozioni nga themelet e së majtës është vala e dytë me të cilën po përballet Rilindja e cila tashmë nuk ka mbështetje as morale as ideologjike por vetëm përkrahjen e pushtetit të parasë dhe të interesit.