Raporti për narkotikët nga DASH/ Tahiri: Jemi në rrugën e duhur. Noka: Bandat të lidhura me qeverinë

487
Sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër lëndëve narkotike, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend kryesor burimi për prodhimin e marijuanës dhe një pikë tranziti për dërgesat e kokainës dhe heroinës me destinacion përfundimtar tregjet evropiane. Gjatë vitit 2015, thuhet në raport, autoritetet shqiptare kryen një sërë arrestimesh dhe kapën një sasi të madhe droge nga prodhuesit dhe rrjetet e trafikantëve që veprojnë në vend, duke vazhduar prirjen e vitit 2014.  Duke komentuar raportin në fjalë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar se bëhet fjalë për një sukses të forcave të policisë në luftën kundër drogës. 
“Jemi në drejtimin e duhur në luftën kundër drogës dhe për të ndërprerë lidhjet e trafikut me shtresat e shoqërisë dhe ato të vendimmarrjes. Kemi një sukses të padiskutueshëm. DASH dha sot një konfirmim për lidershipin politik dhe atë të Policisë së Shtetit. Besoj se kjo është një ditë e mirë për policinë shqiptare”, ka thënë Tahiri.

Nga ana tjetër ka reguar edhe deputeti demokrat, Flamur Noka lidhur me raportin e Departamentit të Shtetit për narkotikët, duke vlerësuar se Shqipëria ka bërë hapa prapa.
“Shqipëria është gjelbëruar anekënd me hashash. Raporti i DASH thotë se jemi vend prodhues dhe e konsideron Shqipërinë edhe vend tranzit për drogërat e forta”, ka deklaruar Noka. Sipas tij, bandat dhe trafikantët e drogës në vend janë të lidhur me ministrin e kryeministrin. “Shqipëria ishte hequr nga harta e vendeve tranzitore për drogën, ky është një kthim prapa”, ka thënë Noka.
‘Në një ditë si kjo pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit i cili ka konfirmuar atë që ne kemi thënë vazhdimisht, atë që shqiptarët kanë parë në këtë periudhë se Shqipëria është mbuluar me kanabis, dalja e ministrit ishte një dalje prej krenaristi kur Shqipëria është gjelbëruar anekënd me hashash, dhe kështu ndodh sepse raporti i DASH, e cilëson në mënyrë të drejtprërdrejt që Shqipëria është prodhuesi kryesor i kanabisit në Europë dhe Shqipëria është pikë kryesore e tranzitit të drogave të forta. Konfirmim më të qartë dhe më të plotë se ky për treguar se në këtë vend ku qeverisemi nga Edi Rama dhe ministri i tij kryetrafikant Sajmir Tahiri, se në këtë vend ku bandat dhe trafikantët të lidhur drejtpërdrejt me ta janë edhe në parlament, pra konfirmim për atë që ne shohim se shqiptarët dhe Shqipëria qeveriset nga trafikantët, ku nuk mund të ndodhë ndryshe kur në Parlament kemi banditë dhe trafikantë, nuk mund të ndodhë ndryshe kur bandat e Habilajve dhe të Shullazit e kanë kthyer Shqipërinë në plantacion droge dhe në korridorin kryesor të drogave të forta. Ky është realiteti dhe në këtë realitet që ne e jetojmë çdo ditë, i vuri vulën sot edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Ky është një turp i madh për këtë qeveri. Ju mbani mend në vitin 2012 Shqipëria kishte dalë nga harta e trafikut të drogave të forta, Shqipëria nuk ishte më pikë tranzit. Ky është një kthim mbrapa dhe dalja e një krenaristi është e turpshme, në vend të futej sot skutave dhe të fshihej nga turpi për këtë damkë që mori vendi ynë, ai del me paturpësi së bashku me kryeministrin e tij si krenaristë dhe mburren për një turp dhe një damkë që iu vu vendit tonë sot’ deklaroi Noka. 
Sigal