Raporti i ‘Venecias’, Vasili: Dialog politik për reformën në drejtësi

440
Lëvizja Socialiste për Integrim këmbëngul në konsensusin për reformën në drejtësi dhe si rrugë të vetme për këtë sheh dialogun politik. Kreu i Grupit Parlamentar të kësaj force politike renditi tre arsye se përse kjo reformë është më e domosdoshme se kurrë më parë. “Së pari, partitë politike të gjitha kanë shprehur nevojën për reformën. Së dyti, kemi patur dhe kemi produktin në dorë nga një udhëheqës profesionist siç është Komisioni i Venecia dhe së treti, që është edhe kryesorja, kemi të gjithë detyrimin ndaj pjesës dërrmuese të qytetarëve që kërkojnë reformën”, deklaroi në një dalje për mediat, Petrit Vasili. Lëvizja Socialist për Integrim flet për një dialog politik mes aktorëve kryesorë në vend. “Nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të ulemi në tavolinë dhe të ndërtojmë dialogun politik që lexon në mënyrë të paanshme rekomandimet e Venecias në të mirë të një reforme solide në drejtëi që shkon përtej interesave politike dhe që ndërton drejtësinë që shqiptarët duan”, shtoi Vasili.
Deklarata e plotë
Sot jemi në këtë komunikim së bashku për një zhvillim kyç do të thosha, në procesin e Reformës në Drejtësi dhe pikërisht që lidhet me ardhjen e opinionit, thuajse përfundimtar të Komisionit të Venecias, lidhur me draftin e dërguar atje, sikurse edhe të gjithë mendimeve të tjera dhe propozimeve alternative, që u konsultuan në Komisionin e Venecias.
Është besoj një moment shumë i rëndësishëm, pasi tanimë kemi të qartë opinionin e një institucioni me një prestigj të padiskutueshëm, siç është Komisioni i Venecias, por edhe të një institucioni i cili është gjerësisht i pranuar nga e gjithë politika shqiptare, si gjykuesi më i mirë i punës së bërë dhe i shqetësimeve që kanë dalë lidhur me Reformën në Drejtësi.
Sigurisht, me ardhjen e këtyre opinioneve procesi hyn në një fazë të re, shumë të rëndësishme, por njëkohësisht edhe shumë intensive, pasi tani pa asnjë hezitim, pse jo pa humbur asnjë minutë kohë, do të duhet që të fillojë intensivisht nga puna Komisioni i Posaçëm i ngritur për Reformën në Drejtësi.
Dhe në tryezën e këtij komisioni, që ka një përfaqësim nga të gjitha forcat politike kryesore parlamentare, të diskutohet gjerësisht dhe të arrihet në përgatitjen e një drafti konsensual, që do të na çonte në sallën e Parlamentit me një produkt të konsoliduar, të gjithëpranuar, i cili tanimë ka edhe një rrugë udhëheqëse ku ai ecën në përgatitjen e tij, pasi ka gjithë opinionin e gjerë dhe të detajuar të Komisionit të Venecias, që si asnjëherë më parë, është impenjuar shumë seriozisht dhe në thellësi për ta asistuar reformën tonë në mënyrë të veçantë në planin kushtetues.
Ndaj duke pasur parasysh, që të gjitha forcat politike kanë shprehur një vullnet të qartë për të bërë reformën në drejtësi, kemi pasur dhe kemi edhe produktin në dorë të një udhëheqësi profesionalisht të nivelit më të lartë, siç ka qenë Komisioni i Venecias.
Dhe së treti, që është dhe më kryesorja, kemi të gjithë detyrimin ndaj shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që e kërkojnë këtë reformë në drejtësi. Pra, nuk kemi më kohë për të humbur dhe për të ulur në tavolinë dhe për të ndërtuar atë dialog politik, që i lexon të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias në mënyrë të paanshme, në të mirë të një reforme në drejtësi solide, që shkon përtej interesave të vogla dhe të ngushta politike, por që ndërton më së fundmi, atë reformë në drejtësi dhe atë sistem drejtësie, që shqiptarët duan, të ndryshëm nga ai sistem drejtësie me të cilin duam të ndahemi.
Ndaj çdo minutë kohe duhet përdorur për të arritur sa më parë një draft konsensual, që i hap rrugën pas miratimit të tij dhe punës së madhe dhe të gjerë, të gjithë akteve dhe ligjeve të tjera që do të pasojnë, të cilat janë edhe ato në vetvete një proces i gjerë dhe i komplikuar, por që i jep jetë në tërësi reformës në drejtësi.
Sigal